Të martën u zhvillua në Luzhou të provincës Sichuan ceremonia e hapjes së Ekspozitës së 2-të të Produkteve me Tregues Gjeografikë Kineze dhe të Huaja dhe Forumi i Marrëveshjes për Treguesit Gjeografikë Kinë-BE. Veprimtaria treditore është me temë "Forcimi i mbrojtjes së treguesve gjeografikë dhe promovimi i zhvillimit me cilësi të lartë të industrisë". Gjashtë zona ekspozimi tematike, që përfshijnë çajin, verën, ushqimet, frutat e perimet, produktet e zejtarisë dhe kategori të tjera, përmbajnë më shumë se 3 000 artikuj.
Për herë të parë kjo ekspozitë ka një vend të ftuar nderi, që është Italia. Pavijoni i Italisë shfaq më shumë se 60 produkte të rëndësishme në pesë kategori: djathë, verë, vaj ulliri, mish dhe erëza, duke shpërfaqur në mënyrë gjithëpërfshirëse kulturën ushqimore italiane. Përveç kësaj, rreth 30 vende e rajone, përfshirë Francën, Poloninë dhe Slloveninë, marrin pjesë në këtë ekspozitë.
Ekspozita mbulon në thelb të gjitha provincat e qytetet nga mbarë Kina, me gjithsej afro 200 qytete e konte. Gjithashtu, 27 vende e rajone, duke përfshirë ASEAN-in, Bashkimin Evropian, Italinë, Francën, Poloninë dhe Slloveninë, marrin pjesë në ekspozitë.
Në edicionin e sivjetshëm do të zhvillohen më shumë se 20 aktivitete, duke përfshirë Forumin e Marrëveshjes për Treguesit Gjeografikë Kinë-BE, ceremoninë e hapjes së pavijonit të Bashkimit Evropian, ceremoninë e hapjes së pavijonit ndërkombëtar të qytetit binjak Asti, mbledhjen për prodhimin dhe marketingun e produkteve me tregues gjeografik kineze dhe të huaja, forumin për tregtimin dhe zhvillimin e produkteve me tregues gjeografik e forumin e ligjit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale për treguesit gjeografikë, duke tërhequr blerës vendas dhe të huaj, tregtarë me shumicë dhe distributorë të produkteve me tregues gjeografikë.
Përveç kësaj, në ekspozitë do të organizohen negociata ndërmjet ofruesve të shërbimeve në rrjedhën e sipërme dhe të poshtme, tregtarëve, blerësve, shitësve me shumicë e distributorëve të produkteve kineze dhe të huaja me tregues gjeografikë. Gjatë së njëjtës periudhë, do të zhvillohen një numër takimesh lidhjeje mes prodhimit dhe shitjes së produkteve me tregues gjeografikë vendase dhe të huaja për të ofruar mundësi për ekspozuesit e blerësit dhe për të ofruar një platformë bashkëpunimi për bizneset.
Ekspozita e Parë e Produkteve me Tregues Gjeografikë Kineze dhe të Huaja u mbajt në korrik të vitit 2022 në Luzhou, duke arritur 12 projekte investimesh dhe bashkëpunimi për produktet me tregues gjeografikë dhe më shumë se 200 porosi për produkte të tilla. Vëllimi i transaksioneve të produkteve të ekspozuara në edicionin e parë të ekspozitës i tejkaloi 23 milionë juanët. (Zhan Dian)