Censi i popullsisë dhe banesave, zv.ministri Yzeiraj: Me rëndësi që të dhënat të jenë reale
2023-09-20 18:34:06

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj (Foto RTSH)

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ka dhënë detaje në lidhje me  regjistrimin e popullsisë dhe banesave, proces që nisi më 18 shtator në të gjithë Shqipërinë.

Yzeiraj deklaroi për “RTSH 24” se nga ky proces përfiton i gjithë vendi, pasi të dhënat e përfituara janë të rëndësishme për të orientuar dhe informuar politikat dhe vendimmarrjet.

Yzeiraj theksoi se është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë vlerën e censit dhe që të dhënat e përfituara të jenë reale.

I pyetur nëse ky proces do të mund të ishte realizuar edhe online përmes portalit e-Albania, zëvendësministri u shpreh se nuk është mundur për shkak se për disa pyetje, siç është adresa, nevojitet edhe verifikimi përmes anketuesit në terren.

Më shumë se 5 mijë anketues do të grumbullojnë informacionin e nevojshëm, ndërsa puna në terren do të zgjasë për 6 javë, deri më 30 tetor.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është i 12-ti qëkur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912. Sipas INSTAT-it, kostoja totale për realizimin e procesit këtë vit është 16.9 milionë euro. (Elona)