Arjola Kondakçiu mes gazetarisë dhe krijimtarisë letrare
2023-09-20 10:00:57

Arjola Kondakciu.(Foto personale)

Arjola Kondakciu.(Foto personale)

Arjola Kondakçiu ka lindur në qytetin e Fierit, por ka jetuar dhe është marrë me krijimtari letrare në Durrës. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës për degën Gjuhë - Letërsi, dhe ka botuar librat "Fate njerëzore" skica letrare (shoqëruar me vizatime të sajat), "Klithmat e shpirtit" poezi dhe " Ndjesia e Aromave" përjetime letrare (reçensione, kritika, këndvështrime).

Arjola ka qenë e përfshirë edhe në disa Antologji poetike në Shqipëri, Kosovë e Greqi, ndërsa ka punuar  si gazetare në media të ndryshme. Pjesëmarrëse në disa aktivitete letrare brenda e jashtë vendit, Arjola ka qenë pjesë e katër projekteve vullnetare për zgjerimin e bibliotekave në qendrat e riedukimit. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për rrugëtimin e saj në fushën e gazetarisë dhe krijimtarisë letrare si dhe projektet që ka realizuar.

Arjola Kodakciu ne interviste per CMG

Arjola Kodakciu në intervistë për CMG

CMG: Si ju lindi pasioni për letërsinë, si autore e tre librave ?

Arjola Kondakçiu: Ka qenë një rastësi sepse nuk ishte ëndrra ime për të shkruar, nuk ka qenë asnjë dëshirë çuditërisht, por ka ardhur si rrjedhojë e një dhimbje të madhe që kam pësuar. Ishte vëllai im që shkruante,  por  ka humbur jetën në Athinë duke punuar. Ka qenë shumë i ri, 32 vjeç dhe më është dukur si një mënyrë për të mbuluar dhimbjen, vazhdimësia e të shkruarit që ai e la përgjysmë. Kështu u bë ëndrra ime.

CMG: Cili është zhanri letrar i librave tuaj ?

Arjola Kondakçiu: Unë më shumë jam tek proza e shkurtër dhe poetike. Gjithashtu jam marrë edhe me kritikë letrare. Kam botuar poezi, por ka qenë më shumë për inerci, sepse kur kam pasur fillimet e mia që nga viti 2006 nuk kishte shumë aktivitete për prozën, pasi shumica e aktiviteteve ishin vetëm për poezinë. Jam ulur për të shkruar sepse kisha frymëzim, por ndikon shumë dhe formimi në lidhje me arsimimin dhe realizova një botim me poezi. Prapë preferenca ime mbetet proza.

CMG: Flasim për librin tuaj të pare, si është pritur nga lexuesit dhe kritika letrare?

Arjola Kondakçiu: Unë punoja në gazetën “Intervista” që ka pasur një sukses të madh para disa vitesh, por nuk e dija që kisha talent për të shkruar. Ka qenë botuesi i asaj gazete, Artan Kristo që i dërgova dy-tre shkrime për rubrikën “Histori njerëzore”   dhe më  kontaktoi, duke më thënë se kisha shumë talent, gjë që nuk e dija. Pas një pune të gjatë aty erdhi  dhe botimi i parë i librit që ka qenë me histori njerëzore. Ky ishte një investim sepse kuptova që prirja ime ishte edhe diku tjetër, pasi libri ka njëlloj imazhi.

Në atë libër kam bërë diçka të veçantë, duke i ndëthurur skicat letrare me skica vizatimesh, sepse piktura ka qenë një ëndërr e imja e ndërprerë për shkak të rrethanave në adoleshencë. Ka qenë një punë plotësisht e imja, dy talente të kurorëzuara në një libër. Ndërsa përsa i përket kritikës, nuk është shkruar për librin tim që të bëhej një kritikë e mirëfilltë, jo se e pretendoja por duhen mbështetur autorët e rinj, për t’i dhënë motivim. Brenda asaj kritike mund të përfshihej dhe forma për ta motivuar autorin e ri. Ne sot i kemi format e ndryshme, siç janë reçensionet, esetë, apo kritika paksa e zbutur në këndvshtrim, që ndihmojnë. Kështu që atë që nuk e kanë bërë me mua në ato vite unë me mundësitë që kam tani dhe profesionalizmin e fituar, por edhe me dëshirë jam përpjekur që të ndihmoj shumë autorë të rinj që kanë diçka të veçantë, me reçensione.

Botimet e Arjola Kondakciut (Foto personale)

Botimet e Arjola Kondakciut (Foto personale)

CMG: Si janë ndjerë autorët e rinj për mbështetjen që u keni dhënë?

Arjola Kndakçiu: Sigurisht që janë ndejrë më të sigurtë, pasi një person kur të shkruan me sinqeritet, ti do dalësh pastaj me librin e dytë apo të tretë, sepse ka shumë të rinj që duhen përkrahur. Unë shoh që edhe pas shumë vitesh mbeten po të njëjtët autorë, pra në çdo 10 vjeçarë sigurisht që ka autorë shumë të mirë, por nëse nuk u japim mundësi për t’i motivuar autorët e rinj, atëhere ne do mbetemi tek ideja që nuk ka talente të rinj dhe nuk ka kritikë letrare, gjë që realisht nuk qëndron po duhet ta ekuilibrojmë me një logjikë të shëndetëshme dhe të arsyeshme.

CMG: Prej disa vitesh keni punuar si gazetare në disa media. Si ka qenë eksperienca juaj në fushën e gazetarisë?

Arjola Kondakçiu: Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Sigurisht që ka vështirësitë e veta dhe unë kam qenë një person që doja të eksploroja. Nuk më ka pëlqyer që të merresha vetëm me një zhanër, të kisha një punë të sigurtë në gazetari. Diku më ka penalizuar përsa i përket anës ekonomike  fakti që shkoja sa te lajmet, te pjesa sociale apo reportazhet, por nga ana tjeër ka qenë një përvojë që ka ndikuar shumë dhe në aspektin jetësor. Në rastin tim të gjitha njohuritë që kam marrë në fusha të ndryshme kam arritur t’i perfeksionoj në proçesin e të shkruarit në gazetari. Dua të theksoj që gazetaria është një mënyrë që edhe të hap rrugët, por njeriu do bëjë dhe brenda gazetarisë atë që di të japë më mirë nga vetja.

Unë e kam kuptuar me kalimin e koohës, që ndjehem shumë mirë tek reportazhet. Gjithashtu jam marrë me organizime për emisione dhe së fundi  nuk jam shkëputur nga gazetaria plotësisht, por  kam marrë përsipër të organizoj promovime të librave. Kjo është një kënaqësi më vete dhe përgjegjësi sepse duhet ecur me hapin e kohës në mënyrë që të reklamohet puna.

CMG: Keni punuar në radio dhe shtypin e shkruar. Cilën do të preferoni për të punuar?

Arjola Kondakçiu: Kur punoj në gazetë kam një emocion që nuk e ndaj dot, është ajo magjia e mrekullueshme pozitive që të jep e shkruara. Unë ruaj akoma me shumë nostalgji copëza të shkrimeve të mia të para nëpër gazeta, ndonëse ka humbur ai emocion, sepse media po ecën me hapin e kohës. Interneti ka bërë punë e vet dhe shumica e atyre gazetave sot janë kthyer në portale mediatike. Sigurisht që radio mbetet dashuria ime e parë për shumë arsye dhe ka një vend të veçantë te unë.

Arjola Kondakciu (Foto personale)

Arjola Kondakciu (Foto personale)

CMG: Flasim për angazhimin tuaj me disa antologji poetike në evente të ndryshme.

Arjola Kondakçiu: Në disa antologji më kanë përfshirë pa e ditur. Kështu kanë ndodhur gjërat në jetën time, ku disa i kërkojnë dhe disa ju vijnë. Në disa të tjera më ka interesuar që të jem e përfshirë, sepse një autor që shkruan nuk do të mbetet thjesht në kufijtë e miqësisë apo brenda vendit, por puna krijuese është mirë kur ballafaqohet sepse në antologji marrin pjesë shumë autorë. Kjo do jetë një punë që do mbetet edhe për brezat që do vijnë. Është një eksperiencë nga më të veçantat, por është edhe fat që të jesh në këto antologji, sidomos kur brenda është dhe përzgjedhja e autorëve, për të kuptuar vërtetë se në çfarë niveli jemi, sepse ka shumë që shkruajnë. Nuk mund të themi që shkruajnë mirë apo keq, por për këdo që shkruan gjithmonë do të ketë lexues.

CMG: Keni marrë pjesë si vullnetare për zgjerimin e biblotekave në burgje. Si erdhi kjo iniciativë?

Arjola Kondakçiu: Në fillim thashë se arsyeja përse fillova të shkruaja ishte dhimbja e madhe që pata për vëllain tim, Ardianin. Një vit pas vdekjes i kam mbledhur të gjitha shkrimet e tij. Unë në ato vite isha shumë e re, ku doli libri “Ëndërr e ndërprerë”, por pas atij libri nga një bibliotekë e madhe që vëllai im ka lënë, e vetmja pasuri në atë moshë të re që ai ka humbur jetën, jam motivuar nga ato libra. Nuk them  se nuk i doja librat, por me kalimin e kohës nuk i kemi mundësitë për t’i mbajtur në ambientet familjare ose ndoshta këta libra janë më të dobishëm në disa ambiente të tjera. Ka qenë një periudhë që një mikesha ime më ofroi një bashkëpunim për burgjet.

Ky projekt ishte vullnetar dhe librat do dhuroheshin. Ishte një iniciativë që më ka dhënë shumë kënaqësi, për faktin që çon dije përtej hekurave, ku ka njerëz që lexojnë më shumë sesa ku ne jetojmë, pra në njëfarë mënyre jep shpresë. Ky projekt zgjati një vit, duke përfshirë libra nga bibloteka e vëllait tim, që janë ndarë me pjesë të ndryshme. Ka qenë një projekt në disa burgje të Shqipërisë dhe në tre burgje në Prishtinë. Më vonë unë këtë projekt e kalova në disa shkolla në Durrës dhe Fier dhe për fëmijët autikë, por vjen një moment që të mbarojnë dhe librat, dhe disa i blëmë vetë me ulje çmimi. Ishin mënyra të ndryshme që ju dhuron personave që ndoshta nuk të vjen rasti për t’i takuar dhe as të njohin, por shpërblimin më të madh e merr nga Zoti, dhe thellë brenda vetes ndjen se ke bërë diçka të mirë. Ky ishte një projekt i suksesshëm sepse libri është një dritare e shpresës.

Arjola Kondakciu (Foto personale)

CMG: Librin tuaj të tretë e keni titulluar” Ndjesia e aromave”, përjetime letrare. Si e kanë pritur lexuesit?

Arjola Kondakçiu: Ky libër ka ardhë në një moment ku ti mendon se nuk ka asnjëlloj shprese për arsye se pësova një aksident dhe më vona pata një problem të madh me shëndetin tim. Një person si unë, që gjithë jetën ka investuar në fushën e të shkruarit dhe ka lexuar libra pafund, papritur shihte një biblotekë të tërë dhe nuk mbante mend se çfarë kishte në ato libra. Unë nuk mendoja që do shkruaja prapë sepse më kishte përfshirë rutina e punës dhe fakti që këtu libri nuk ka ndonjë ecuri për shitjet. Isha e vendosur sepse e ndjeva të nevojshme që të rikthehesha me një botim, për arsyen se këto kujtime që unë kam shkruar të ndërthurura në copëza letrare, në kritika letrare në disa shkrime me përmbajtje artistike kanë qenë si shkëndiza për mua dhe më kanë ndihmuar që të më kthehet ajo pjesë e memories pas pasojave të aksidentit.

Fatmirësisht unë pata jo vetëm përmirësime shëndetësore, por arrita të kem në dorë rikthimin e frymëzimit tim, që ndoshta e kisha fshehur për disa vite. Ndjesia e aromave e ka me vend këtë titull, për arsye se të gjitha janë copëza nga fëmijëria ime të futura me elementë të ndryshëm, që do të thotë se agjë nga jeta jonë nuk humbet kot.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet e suskese.

Arjola Kondakçiu: Faleminderit shumë për intervistën, dhe kam vënë re nga postimet që juve i kushtoni rëndësi dhe personave që ndoshta nuk janë të njohur, por kanë një vlerë dhe një rol në këtë botë dhe patjetër që duhen evidentuar.

Intervistoi: Gazmend Agaj