Kina dhe ASEAN thellojnë lidhjet e ngushta përmes ekspozitës dhe samitit
2023-09-20 11:41:08

Ekspozita Kinë-ASEAN bëri bashkë rreth 2000 biznese nga mbi 40 vende, përfaqësuesit e të cilëve vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe u angazhuan për ta çuar në nivele më të larta këtë bashkëpunim. Tregtia midis Kinës dhe ASEAN-it u rrit me 11.2 për qind në bazë vjetore në vitin 2022 dhe të dy palët kanë qenë partneri më i madh tregtar i njëra-tjetrës për tre vjet radhazi. Kryeministri kinez Li Qiang tha se që përparimi të avancojë duhet që palët të angazhohen në bashkëpunim të bazuar në parimet e përfitimit të ndërsjellë dhe reciprocitetit.

CFP

CFP


Kina dhe ASEAN thellojnë lidhjet e ngushta përmes ekspozitës dhe samitit

Kryeministri Li Qiang ripohoi angazhimin e Kinës për një politikë fqinjësie të miqësisë, sinqeritetit, përfitimit të ndërsjellë dhe gjithëpërfshirjes në forcimin e lidhjeve me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore, duke bërë thirrje për një lidhje më të ngushtë interesash midis Kinës dhe grupit rajonal prej 10 vendesh.

Vendi është i gatshëm të rrisë importet e produkteve unike dhe me cilësi të lartë nga shtetet anëtare të ASEAN-it dhe të zgjerojë shkallën e tregtimit të mallrave të ndërmjetme, tha Li, duke iu drejtuar hapjes së Ekspozitës së 20-të Kinë-ASEAN dhe Samitit të Biznesit dhe Investimeve Kinë-ASEAN.

Ekspozita treditore, e cila u zhvillua në Nanning, rajoni autonom Guangxi Zhuang, ka bashkuar rreth 2000 biznese nga mbi 40 vende. “Që palët të arrijnë një zhvillim më të madh, Kina dhe ASEAN-i duhet të angazhohen në bashkëpunim të bazuar në parimet e përfitimit të ndërsjellë dhe reciprocitetit, të krijojnë një rrjet më të ngushtë interesash të përbashkëta dhe ta ngrenë bashkëpunimin në një nivel më të lartë”,- u tha Li udhëheqësve të ASEAN-it dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit.

CFP

CFP

Tregtia midis Kinës dhe ASEAN-it u rrit me 11.2 për qind në bazë vjetore në 975.3 miliardë dollarë në vitin 2022 dhe të dy palët kanë qenë partneri më i madh tregtar i njëra-tjetrës për tre vjet radhazi që nga viti 2020.

Kryeministri theksoi nevojën për të shfrytëzuar potencialin e rrugëve të reja tregtare ndërkombëtare tokësore dhe detare, përmirësimin e vazhdueshëm të lidhjes rajonale, krijimin e zonave të ndryshme demonstruese të bashkëpunimit dhe eksplorimin e bashkëpunimit në fusha në zhvillim si iniciativat e gjelbra dhe me karbon të ulët, si dhe ekonomia digjitale.

Kina do të mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për një kuadër bashkëpunimi rajonal të përqendruar me ASEAN-in dhe do të mundësojë një përafrim më të mirë midis nismës “Një brez, një rrugë” dhe strategjive të zhvillimit të vendeve të ASEAN-it, tha ai. Negociatat për versionin 3.0 të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN tani po përparojnë pa probleme dhe Kina është e gatshme të përshpejtojë bisedimet, tha kryeministri kinez.

Kryeministri kinez siguroi gjithashtu drejtuesit e biznesit se Kina do të ecë përpara me hapjen institucionale, do të bëjë hapa më të mëdhenj në mbrojtjen e të drejtave intelektuale dhe do të promovojë konkurrencën e ndershme.

China Daily

Vizitorët blejnë durian nga Malajzia në ekspozitën e 20-të China-ASEAN në Nanning, rajoni autonom i Guangxi Zhuang, të shtunën/China Daily

Duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes së ekspozitës, kryeministri kamboxhian Hun Manet tha se ASEAN-i dhe Kina mund t'i tregojnë botës shembuj të përfitimeve të prekshme të forcimit të bashkëpunimit shumëpalësh pa anuar drejt proteksionizmit, unilateralizmit apo nacionalizmit ekonomik.

Ai theksoi se ASEAN-i dhe Kina duhet të përforcojnë bashkëpunimin dhe ndërvarësinë, duke hapur më tej tregjet dhe duke përmirësuar lidhjen, elasticitetin e zinxhirit të furnizimit, kapacitetin e prodhimit të lidhjes së furnizimit dhe lehtësimin e tregtisë.

“Ne duhet të punojmë së bashku për të promovuar investimet e dyanshme. Përveç kësaj, ne duhet të forcojmë mbështetjen teknike, veçanërisht në përputhje me kërkesat e tregut”,- tha udhëheqësi kamboxhian.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, tha se vendi i tij ka përkrahur teknologji si nga Perëndimi ashtu edhe nga Kina, dhe “Huawei” në veçanti, për vendosjen e 5G.

Ai tha se Malajzia i mori vendimet pa u kërcënuar apo nën presion, sepse vendi punon bazuar në besimin e marrëdhënieve shekullore. Anwar bëri thirrje për përpjekjet kolektive të ASEAN-it dhe Kinës për t'u fokusuar në paqen dhe prosperitetin rajonal dhe për të nxitur marrëdhëniet tregtare dypalëshe dhe shumëpalëshe.

CFP

CFP

“Unë jam optimist se kjo ekspozitë do të vazhdojë të shërbejë si një katalizator për bizneset tona, duke nxitur bashkëpunim të madh dhe duke stimuluar rimëkëmbjen ekonomike”.

Momenti i fuqishëm i bashkëpunimit midis Kinës dhe ASEAN-it ka rritur gjithashtu besimin e drejtuesve të biznesit në ekspozitën e Nanning.

Lu Yimin, menaxher i përgjithshëm i “China General Technology (Group) Holding”, tha se fjalimi i kryeministrit Li tregoi rrugën për Kinën dhe ASEAN-in për t'iu përmbajtur hapjes dhe gjithëpërfshirjes për të ndërtuar një partneritet miqësor dhe të qëndrueshëm dhe për të mbështetur përfitimin e ndërsjellë dhe rezultatet e favorshme.

Lu tha se kompania e tij do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me vendet anëtare të ASEAN-it në zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët, ekonominë qarkulluese dhe kujdesin shëndetësor.

Li Dongchun, drejtor i lartë i qendrës së biznesit ndërkombëtar në “Guangxi Liugong (Guan shi Liu gon) Machinery”, tha se ekspozita dhe samiti i kanë ofruar kompanisë një platformë të mirë për komunikimin ndërkombëtar dhe eksplorimin e klientëve.

CFP

“Gjatë dy dekadave të fundit, ne kemi zhvilluar partnerë lokalë në 10 shtetet anëtare të ASEAN-it. Performanca jonë në tregjet e ASEAN-it po bëhet gjithnjë e më e mirë”,- tha ai.