foto: MJK
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha të hënën se, përballë rritjes së unilateralizmit, hegjemonizmit dhe kundërvënies në bllok, Kina dhe Rusia duhet t'i përmbahen multilateralizmit të vërtetë.
Gjatë takimit me homologun e tij rus Sergei Lavrov, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se të dy vendet duhet të jenë në përputhje me prirjen e kohës, të mbajnë përgjegjësitë e vendeve të mëdha dhe të përmbushin detyrimet e duhura ndërkombëtare.
Ai u bëri thirrje të dy palëve që të promovojnë multipolaritetin në botë dhe të nxitin zhvillimin e një qeverisjeje globale më të drejtë dhe më të barabartë nëpërmjet forcimit të bashkërendimit strategjik.
Si vende të mëdha dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha Wang, Kina dhe Rusia mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për ruajtjen e qëndrueshmërinë strategjike globale dhe promovimin e zhvillimit dhe përparimit botëror.
Nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shtetit, marrëdhëniet kino-ruse kanë ruajtur hovin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, me thellimin e bashkëpunimit praktik, pasurimin e shkëmbimeve kulturore dhe rritjen e shpejtë të shkëmbimeve të personelit, u shpreh Wang.
Nga ana e tij, Lavrovi tha se në mars, presidenti kinez Xi Jinping bëri një vizitë të suksesshme në Rusi dhe zhvilloi një takim të rëndësishëm me presidentin rus Vladimir Putin, gjë që përcaktoi kursin për të ardhmen e marrëdhënieve Rusi-Kinë.
foto: MJK
Duke pasur parasysh ndryshimet komplekse dhe drastike në peizazhin ndërkombëtar, Lavrovi tha se Rusia e Kina duhet të forcojnë më tej bashkërendimin e bashkëpunimin brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, me qëllim që të ruajnë së bashku normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Të dy palët vlerësuan zgjerimin historik të BRICS-it dhe shprehën gatishmërinë për të punuar me të gjitha vendet anëtare të BRICS-it për të ndërtuar një platformë më të madhe të solidaritetit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Lavrovi shprehu pikëpamjet e tij për krizën në Ukrainë, vlerësoi dokumentin e qëndrimit të Kinës për mbajtjen parasysh të shqetësimeve të sigurisë të të gjitha palëve dhe për nxitjen e eliminimit të shkaqeve rrënjësore të konfliktit.
Pala ruse, shtoi ai, është gjithmonë e hapur për negociata dhe dialog.
Kina është e përkushtuar ndaj bisedimeve të paqes dhe do të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës sipas mënyrës së vet, u shpreh Wang.
Të dyja palët shkëmbyen mendime dhe bashkërenduan qëndrimet për çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. (Zhan Dian/Artan)