Zv.presidenti kinez takon kreun e OBK-së dhe kryediplomatin e ShBA-së
2023-09-19 19:54:04

foto: Xinhua

foto: Xinhua

Zv.presidenti kinez Han Zheng, i cili ndodhet në Nju-Jork për të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dhe sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken.

Han i tha Guterresit se bota sot përballet me ndryshime të përshpejtuara të papara në një shekull, me ndërthurjen e faktorëve të ndryshëm të paqëndrueshëm dhe të pasigurt.

Sa më komplekse dhe më e zymtë të jetë gjendja ndërkombëtare, aq më e nevojshme është të ruhet multilateralizmi i vërtetë dhe aq më shumë bota ka nevojë për një OKB të fortë, theksoi ai.

Vizioni i ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, nisma "Një brez, një rrugë", Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global, të propozuara nga presidenti kinez Xi Jinping, përputhen me idealet dhe objektivat e Kombeve të Bashkuara dhe njihen gjerësisht e mbështeten aktivisht nga bashkësia ndërkombëtare, tha Han. 

Kina do të jetë si gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuese në zhvillimin botëror dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar e do të mbështesë Kombet e Bashkuara në luajtjen e një roli qendror në çështjet ndërkombëtare, tha ai.

foto: Xinhua

Nga ana e tij, Guterres falënderoi Kinën për mbështetjen e vendosur për kauzën e OKB-së dhe shprehu vlerësim për nismat e rëndësishme të propozuara nga presidenti kinez.

Gjatë takimit me Blinkenin, Han tha se marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme kino-amerikane janë në të mirë për të dy vendet dhe botën.

Duke përshkruar zhvillimin e Kinës si një mundësi e jo një sfidë, një përfitim e jo një rrezik për Shtetet e Bashkuara, Han tha se të dy palët mund të kontribuojnë në përparimin e njëra-tjetrës dhe të arrijnë lulëzimin e përbashkët.

Kina, tha ai, është e qëndrueshme në politikën e vet ndaj Shteteve të Bashkuara, duke ndjekur gjithmonë tre parimet e paraqitura nga presidenti Xi Jinping, të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime në përbashkëta, në shikimin dhe trajtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Han shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Kinën për të realizuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit në Bali të Indonezisë.

Të dy palët, tha ai, duhet të ndërmarrin veprime praktike, të krijojnë kushte të favorshme dhe të bëjnë më shumë për të forcuar kuptimin, besimin e ndërsjellë e bashkëpunimin me dobi të përbashkët, që marrëdhëniet Kinë-ShBA të kthehen në rrugën e shëndetshme dhe të qëndrueshme e të sjellin përfitime për të dy vendet dhe për pjesën tjetër të botës.

Blinken, nga ana e tij, u shpreh se Shtetet e Bashkuara mirëpresin forcimin e komunikimit, menaxhimin e dallimeve dhe përparimin e bashkëpunimit me Kinën.