“Grabitja e shpejtë e turmës” pasqyron hendekun e madh mes të pasurve e të varfërve në ShBA
2023-09-19 12:16:42

Foto nga CFP

Foto nga CFP

"Grabitja e shpejtë e turmës është në fakt krim i organizuar." Ditët e fundit, shumë përdorues interneti kanë shprehur zemërimin e tyre në media sociale për këtë dukuri shoqërore. "Grabitja e shpejtë e turmave" do të thotë se një grup njerëzish të organizuar nëpërmjet medias sociale nxitojnë në dyqane për të grabitur mallra, pastaj largohen menjëherë.

Kohët e fundit kanë ndodhur shumë raste të tilla në ShBA. Kështu, në Los Anxhelos u thye vitrina e supermarketit "Macy's" dhe humbën parfume me vlerë prej 20 mijë dollarësh, ndërsa dhjetëra njerëz grabitën supermarketin luksoz "Nordstrom" . Ndërsa në qytetin Glendale po në shtetin e Kalifornisë u grabit një dyqan "YSL" , ku humbën mallra me vlerë prej rreth 300 mijë dollarësh.

Sipas raportit të bërë nga Federata Amerikane e Shitjes me Pakicë, vitin e kaluar krimet e organizuara kundër sektorit të shitjes me pakicë në ShBA u shtuan 26.5 % në krahasim me vitin 2021, kur vëllimi i humbjeve në sektorin amerikan të shitjes me pakicë arriti në 94.5 miliardë dollarë.

Përballë një vale të tillë grabitjesh, a e ka forcuar goditjen kundër krimit policia amerikane? Në fakt, tani numri i policëve amerikanë është i pamjaftueshëm. Sipas njoftimeve të medias, nën presionin e normës së lartë të kriminalitetit, punës së lodhshme, kontradiktës mes policisë e qytetarëve, vjet numri i policëve amerikanë që dhanë dorëheqjen nga puna u shtua 47 % në krahasim me vitin 2019. Shtimi i krimeve dhe pakësimi i policëve kanë forcuar vështirësinë e zbatimit të ligjit në ShBA.

Analistët vunë në dukje gjithashtu se "grabitja e shpejtë e turmës" ka pasqyruar hendekun e madh mes të pasurve e të varfërve në shoqërinë amerikane. Sipas raportit të Rezervës Federale Amerikane për pasuritë familjare, deri në 3-mujorin e katërt të vitit 2021, pasuria e përgjithshme e njerëzve më të pasur që zënë vetëm 1% të popullsisë amerikane arriti në 45.9 trilionë dollarë, duke shënuar rekord. Nga ana tjetër, përqindja e varfërisë në ShBA në vitin 2020 arriti në 11.4%, dhe tani 37 milionë amerikanë jetojnë ende nën nivelin e varfërisë. (Fani)