Eksportet (Foto MPanairi i Kantonit (Foto CMG)onitor)
Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme të Shqipërisë për muajin korrik 2023 Kina përbën partnerin e dytë tregtar më të rëndësishëm për Shqipërinë, pas Italisë, me Gjermaninë dhe Greqinë në vendin e tretë dhe të katërt.
Konkretisht, përmes shifrave, partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë janë: Italia me 31,2 përqind, Kina me 7,8 përqind, Gjermania me 6,6 përqind dhe Greqia me 6,5 përqind. Shifra dhe pozicione të ngjashme tregtare janë edhe për tetëmujorin janar-gusht 2023.
Po sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar-korrik 2023, nga Kina kemi importuar 54.5 miliardë lekë mallra, ose mbi gjysëm miliardë euro, me një rritje prej më shumë se një të tretën(34 përqind), në krahasim me periudhën janar-korrik 2022, kohë kur vëllimi i importeve nga Kina ishte vetëm 40.6 miliardë lekë.
Ne importojmë nga Kina makineri, pajisje elektrike dhe hidrosanitare, të cilat përbëjnë rreth 40 për qind të totalit.
Artikujt të gizës dhe çelikut përbëjnë grupin e katërt të importeve kryesore nga Kina për në Shqipëri. Veshjet janë grupi i pestë mallrave më të importuara nga Kina, ndërkohë që importet e plastikës renditen në vendin e gjashtë.
INSTAT (Foto Scan Tv)
Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2022 shënoi një rritje të eksporteve të Shqipërisë drejt Kinës, në masën 67 përqind. Kina është vendi i 6-të tek i cili ne eksportojmë, për nga vlera në treg e eksporteve tona.
Kryesisht, Shqipëria eksporton lidhje hekuri, xeherorë dhe koncentrate bakri, si dhe xeherorë dhe koncentrate kromi, pasi industria kineze është gjithnjë e etur për lëndë të tilla të para.
Më 15 shtator 2023, organizimi në Tiranë, si partneritet mes kompanisë shqiptare Euroasia Group, me shtrirje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, dhe Qendrës se Tregtisë së Jashtme të Kinës, i një konference ndërkombëtare, me qëllim prezantimin dhe promovimin e Panairit të Kantonit të eksport– importeve të Kinës, ishte një sinjal i rëndësishëm për Shqipërinë dhe prodhuesit shqiptarë, të interesuar për të eksportuar në Kinë.
Panairi i Kantonit, i cili zhvillohet në pranverë dhe vjeshtë çdo vit, përfaqëson panairin më të madh tregtar, të organizuar ndonjëherë në botë, pas rifillimit të plotë të pavioneve të tij me prani fizike, në Edicionin e 133-të të Panairit të pranverës, më datat 15 prill-05 maj 2023.
Më datat 15 tetor-04 nëndor 2023, Panairi i Kantonit do të mirëpresë mbi 25 mijë kompani kineze dhe kompani nga të gjitha vendet e botës, të cilat do të prezantojne produktet dhe shërbimet e tyre. Gjatë ditëve të zhvillimit të tij, priten të lidhen me dhjetëra mijëra kontrata të eksport-importit.
Foto nga VCG
Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Tiranës i ka dërguar një kërkesë të drejtpërdrejtë Agjencisë Shtetërore të Nxitjes së Investimeve, AIDA, e cila është institucioni përgjegjës per rritjen e investimeve në Shqipëri dhe të eksporteve shqiptare në botë.
Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Tiranës ka kërkuar që në panairet e ardhshëm të import-eksportit në Kinë, Dhoma të jetë një aktor, për të realizuar mbledhjen dhe orientimin e sipërmarrësve prodhues shqiptarë, të cilët kanë kapacitetet e duhura për të penetruar në tregun kinez, duke i orientuar si lobues zyrtar, për të marrë pjesë në këto panaire.
Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Tiranës i ka evidentuar prodhuesit shqiptarë, të cilët janë të gatshëm për të reklamuar produktet e tyre në panairet e Kinës. Këta prodhues janë në sektorin e bletarisë, në sektorin e ullinjve dhe të vajit të ullirit, si dhe në sektorin e bulmetrave dhe të nënprodukteve të qumështit, birrës, etj. Kemi sipërmarrës tejet mase të interesuar edhe në sektorin e produkteve të konservimit të perimeve dhe frutave.
Kina është treg i madh dhe kompanitë shqiptare duhet të bëhen bashkë, si dhe të integrohen edhe në oferta rajonale, për t’i bërë të interesuara kompanitë importuese kineze. Rast tipik është ai i birrës shqiptare, ku prodhues shqiptarë të birrës po shikojnë të bashkëpunojnë edhe me prodhuesit e birrës nga Maqedonia e Veriut, të cilat tashmë kanë depërtuar në tregun kinez.
Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore të Shqipërisë është pjesë e strategjisë për nxitjen e eskporteve, e cila po ndiqet nga qeveria shqiptare.
Edhe në nivel të investimeve në Shqipëri, kompanitë e fuqishme kineze, private dhe shtetërore, kanë shfaqur interes ndaj sektorëve më strategjikë të vendit. Në tregun shqiptar tashmë kanë mbërritur automjetet elektrike kineze, të cilat kanë patur një bum të mirëfilltë shitjesh në tregjet e vendeve të Evropës Perëndimore gjatë viteve të fundit, për shkak të teknologjisë shumë të avancuar që ofrojnë dhe të çmimeve konkurruese.
Ndërkohë, nga kompani shqiptare, në partneritet me kompani kineze, janë gati për konsiderim projekte për autobuzë të linjave urbane tërësisht elektrikë, të cilët mund të vihen në dispozicion të bashkive kryesore të vendit, si dhe projekte per energjinë diellore, me panele fotovoltaike të teknologjisë së përparuar të Kinës.
Fatos Çoçoli