OBT-ja: Tregtia shumëpalëshe, e pazëvendësueshme
2023-09-19 15:17:09

Foto nga siti i OBT-së

Foto nga siti i OBT-së

Pak ditë më parë, në Gjenevë u zhvillua forumi vjetor i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për vitin 2023. Tema e forumit ishte “Është koha për aksion”. Pjesëmarrësit zhvilluan diskutime mbi rolin e sektorëve të shërbimeve për tregtinë e vazhdueshme dhe politikat për nxitjen e tregtisë së gjelbër. Gjatë forumit u publikua Raporti i Tregtisë Botërore 2023, ku theksohet që problemet globale kërkojnë zgjidhje globale dhe se bota e sotme ka nevojë për më shumë bashkëpunim. Kyçi për këtë është që të rimëkëmbet sistemi i tregtisë shumëpalëshe.

 

Foto nga siti i OBT-së

Foto nga siti i OBT-së

Bota ka nevojë për tregti shumëpalëshe

 

Në këtë raport i hidhet një vështrim rolit të tregtisë ndërkombëtare në përballimin e disa sfidave më urgjente, si ruajtja e paqes dhe e sigurisë, ulja e varfërisë dhe e mosbarazisë dhe përpjekjet për rritje të vazhdueshme ekonomike.

 

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës për Tregtinë Botërore të Kinës dhe studiuesi i lartë i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin, He Weiwen, u shpreh për CMG-në që vitet e fundit globalizimi ekonomik përballet me një ecje mbrapsht dhe proteksionizmi tregtar e lojërat gjeopolitike e kanë forcuar këtë dukuri, duke ndryshuar thellësisht modelin e zinxhirit global të furnizimit. Tani tregtia globale përballon një prirje copëzimi dhe kjo ka goditur rritjen ekonomike të botës.

 

“Tregtia brenda Amerikës Veriore dhe tregtia transatlantike kanë shënuar rritje të shpejtë, ndërsa tregtia e Amerikës Veriore me rajonin e Paqësorit është në rënie. Kjo do të thotë që zinxhiri i furnizimit tani nuk është i plotë. Gjithashtu, rritja e tregtisë brenda rajoneve të ndryshme është afro 4-6 % më e shpejtë se rritja ndër-rajonale. Kjo tregon që zinxhiri global i furnizimit po shkurtohet dhe po bëhet tregti rajonale,” tha He Weiwen.

 

Sekretarja e përgjithshme e OBT-së, dr. Ngozi Okonjo-Iweala, vuri në dukje në këtë raport që hapja dhe parashikueshmëria e ekonomisë globale po përballojnë sfida dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të forcojë sistemin e tregtisë shumëpalëshe.

 

Në këtë raport është theksuar që tregtia ndërkombëtare, me sistemin e tregtisë shumëpalëshe si bazë, luan rol të pazëvendësueshëm në krijimin e një bote më të sigurt, më përfshirëse e më të vazhdueshme.

 

Për forcimin e tregtisë shumëpalëshe, dr. Ngozi Okonjo-Iweala ka bërë thirrje edhe në fjalimin e saj në forum. “Organizata Botërore e Tregtisë nuk është e përsosur, por arsyeja për forcimin e sistemit tregtar është më e fortë se arsyeja për largimin nga ky sistem,” u shpreh ajo.

 

Riglobalizimi, alternativa më e mirë ndaj “copëzimit”

 

Lidhur me këto sfida që po “copëzojnë” sistemin e tregtisë shumëpalëshe, në këtë raport vihet në dukje që alternativa më e mirë është “riglobalizimi” dhe zgjerimi i tregtisë me integrimin e një numri më të madh njerëzish, ekonomish dhe çështjesh.

 

Riglobalizimi, sipas këtij raporti, mund të krijojë në mënyrë më efektive një botë më të sigurt, sepse tregtia vetë mund të nxitë sigurinë ekonomike dhe të pakësojë mosmarrëveshjet, posaçërisht brenda kornizave shumëpalëshe, mbi bazën e rregullave të përcaktuara.

 

Kështu, riglobalizimi mund të forcojë kontributin e tregtisë për sigurinë botërore nëpërmjet pakësimit të pengesave tregtare dhe nxitjes së diversitetit.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

“Duhet të përqafojmë tregtinë ndërkombëtare”

 

Në këtë raport është theksuar që tregtia e integruar është një mjet i fuqishëm për përmirësimin e nivelit të jetesës së popujve të botës dhe mund të ndihmojë qindra miliona njerëz të dalin prej varfërisë. Prandaj, vëren raporti, “duhet të zgjerohet tregtia me integrimin e më shumë ekonomive dhe kështu më shumë njerëz mund të përfitojnë nga integrimi i tregtisë”.

 

Në këtë raport, OBT-ja bën thirrje që “bota ka nevojë për më shumë tregti dhe më shumë bashkëpunim, për të zgjidhur efektivisht problemet e mëdha në fushën e sigurisë, rritjes dhe ndryshimeve klimatike”. Përfshirja e më shumë njerëzve dhe ekonomive në tregtinë globale dhe forcimi i bashkëpunimit shumëpalësh është zgjidhja për përballimin e sfidave globale dhe është në të mirë të zhvillimit të ekonomisë globale në një drejtim më të sigurt, më përfshirës e më të vazhdueshëm.

 

Kryeekonomisti i OBT-së Ralph Ossa tha se “që të kalojmë sfidat e tanishme më urgjente, duhet ta përqafojmë tregtinë dhe jo ta kundërshtojmë atë”.

 

Për rolin e ekonomisë së 2-të të botës, Ossa u shpreh që Kina është mbështetëse e vendosur e sistemit të tregtisë shumëpalëshe dhe e globalizimit ekonomik. Falë pjesëmarrjes aktive në sistemin e tregtisë shumëpalëshe, Kina ka realizuar rritje mahnitëse ekonomike, duke nxjerrë qindra milionë veta nga varfëria dhe duke sjellë shpresë për shumë vende në zhvillim.

 

Në fund të raportit, OBT-ja vë në dukje që, për zgjidhjen e krizave, globalizimi dhe bashkëpunimi duhet medoemos të bëhen një pjesë e përgjigjeve. Globalizimi vetë ka nevojë për zhvillim të pandërprerë dhe kjo është në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të çështjeve të tjera. Për këtë, duhet të shtohet më shumë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zgjedhjet për të gjitha problemet e përmendura mund të realizohen nëpërmjet riglobalizimit.

(Jiang Lei)