Pogradeci, qyteti i turizmit romantik
2023-09-18 10:38:12

Pogradeci është njëri prej vendeve më të mira turistike në Shqipëri. Për Lasgushin nuk ka një të dytë. Me traditën qytetare, natyrën piktoreske, mikpritjen e shkëlqyer dhe kulinarinë e pasur, Pogradeci përfaqëson në Shqipëri kultin e turizmit romantik. Një verë e bukur dhe e freskët, që vetëm Pogradeci mund të ta dhuroje, pas një sezoni të zgjatur e plot turistë, do i lërë vendin turizmit vjeshtor, në Pogradecin romantik. Por një gjë nuk duhet harruar, pavarësisht stinëve, aty vizitori gjen prehje në të katër stinët e vitit.

Edhe gjatë këtij sezoni Pogradeci ka qenë në listën e preferuar të vendeve turistike, ndoshta jo aq nga ata që pëlqejnë detin dhe zhytjen në ujërat e kripura të tij, por nga një kategori tjetër pushuesish dhe turistësh, nga ata që zgjedhin ajrin e pastër, duan t’i shpëtojnë vapës,  janë në kërkim të qetësisë dhe të freskisë dhe nga brenda kanë mbetur romatikë e sentimentalë.

Ata vijnë në Pogradec për të shijuar atmosferën liqenore, pranë mërmëritjes së butë të dallgëve të gjolit më të thellë në Ballkan. Por Pogradeci dhe në veçanti Lini, fshati i bukur pikturesk buzë liqenit, gjatë këtij sezoni është klikuar shumë edhe për shkak të një rekordi arkeologjik, që me sa duket ka nxitur kureshtjen e shumë turistëve të huaj për ta vizituar.

Ndonëse ky fshat është përfshirë në projektin “100 fshatrat”, interesi është ngjallur së tepërmi, pas publikimeve të rezultateve të një ekipi kërkuesish arkeologë zvicerianë dhe britanikë,  të cilët kanë gjetur fakte surprizuese në lidhje me vjetërsinë e tij. Në këtë zonë është zbuluar një vendbanim, një “palafit” që daton 7500 vjet më parë.

Fshati Lin ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 20 km larg qytetit të Pogradecit. Ky fshat turistik vazhdon të vizitohet në çdo stinë të vitit nga shumë turistë të huaj, por edhe vendas. Ky është një zbulim mbresëlënës që hedh dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare dhe ky është një fakt që turistët nuk i lë aspak indiferentë.

Pogradeci nuk lë asnjë indiferent. E nis me Gadishullin e Linit, me bazilikën e tij mbi kodër, plazhet e virgjëra me ujë të kristaltë dhe përfundon me  Drilonin dhe Tushemishtin, dy zona mjaft të preferuara për parkun ujor dhe historinë e filmave të Teto Ollgës, me filmat “Zonja nga Qyteti” dhe “Shoqja nga Fshati”.

Driloni  - foto Alpetnews

Tushemisht - foto Alpetnews

Në qytet mund të vizitosh lagjen Muzeale të Toplecit me banesat karakteristike, aty gjen edhe burimet për të cilët ka shkruar aq bukur edhe Lasgushi, Fototekën Misto Cici, fotografit të parë të Pogradecit, shkollën shqipe, e dyta pas Mësonjëtores së Korçës, vetëm 1 javë pas saj.

Mund të vizitosh Muzeun e Qytetit për t’u njohur me historinë mbi 2500 vjeçare të Pogradecit ose Enkelanës si dhe Pelionit të vjetër. Mund të shëtisësh në Sheshin e Trëndafilave i cila ka marrë këtë emër prej 3500 trëndafilave shumë ngjyrësh, si dhe të ndalosh te Odeoni i qytetit, një skenë e re, ku jepen shfaqje të ndryshme.

Mëngjeset dhe mbrëmjet janë fantastike në qytetin që ka një park dhe shëtitore mbi 1 kilometër të gjatë. Një anije turistike niset nga Pogradeci për në Ohër dhe ju nuk duhet ta humbisni një udhëtim të tillë. Përgjatë  shëtitores do të gjeni në verë plazh ranor, ndërsa në dimër turistë që shëtisin në qetësinë e natyrës.

Pogradecarët kanë një moto: “Eja në Pogradec, sodit natyrën, gëzo mikpritjen, shijo traditën”. Ata kanë përmbledhur në një fjali të gjitha çfarë gjen në Pogradec. Kjo në fakt është një ftesë për ta vizituar Pogradecin, jo vetëm në sezonin e verës, por në çdo stinë. Mund të qëndroni 2-3 ditë apo edhe 1 javë e më shumë. Ky qytet i ofron të gjitha për të mbushur ditët tuaja të pushimeve.

Tave Korani  - foto Alpetnews

Kulinaria ëhstë një ndër pikat e forta të pogradecarëve. Mëngjesi ideal janë petullat. Mos e lini pa i provuar ato. Lokalet i servirin me reçelra nga më të ndryshmit të bërë vetë dhe ngjajnë me petulla shtëpie.

Pogradeci është gjithashtu një destinacion i shkëlqyer për ato që pëlqejnë peshqit e ujrave të ëmbla. Korani është mbreti i liqenit. Mund ta porosisni kudo të gatuar në tavë, me të cilën pogradecarët krenohen. Një tavë e tillë kushton 1500 lekë për dy persona. Është një tavë e bollshme, si të gjitha racionet që serviren këtu. E gatuar me qepë, hudhra dhe domate, apo e gatuar me arra, pogradecarët kanë ca secrete të tjera që vetëm ato i dinë, për të sjellë në tryezë këtë tavë fantastike që mund ta shijoni në secilin prej lokaleve buzë liqenit. Por mund të porosisni edhe belushkën e skuqur, një peshk i vogël i liqenit dhë sërish të kënaqeni me shije. Rakia dhe vera në butet e verës, ta bëjnë me sy.

Mbrëmjet e Pogradecit janë të freskëta, prandaj mund t’i afroheni më pranë oxhakut apo sobës, nëse planet e vjeshtës, do ju çojnë në Pogradec.

Neritana Kraja