Pyjet e lashta të çajit në malin Jingmai të Kinës janë bërë vend i Trashëgimisë Botërore
2023-09-18 14:45:58

Peizazhi kulturor i pyjeve të vjetra të çajit në malin Jingmai në Pu'er të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore, u regjistrua në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s të dielën të kaluar, duke e çuar numrin total të vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Kinë në 57.

Aplikimi u miratua gjatë sesionit të 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që po zhvillohet në kryeqytetin e Arabisë Saudite Riad, me synimin për të përditësuar listën prestigjioze të trashëgimisë së Kombeve të Bashkuara.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Historia e gjatë e kultivimit të çajit

Vendi i trashëgimisë përbëhet nga pesë pyje të vjetra çaji me një sipërfaqe 1 180 hektarë, nëntë fshatra të lashtë me një popullsi prej rreth 5 000 banorësh dhe tre pyje ndarëse mbrojtëse.

Rreth 1 000 vjet më parë, paraardhësit e kombësisë bulang (ose blang) migruan në malin Jingmai, ku filluan zbutjen e pemëve të çajit të egër.

Peizazhi integron mirë plantacionet e mëdha të çajit, fshatrat e lashta dhe kulturat e larmishme të kombësive. Ai konsiderohet një shembull tipik i bashkëjetesës harmonike midis njerëzve e natyrës dhe tregon gjithashtu mençurinë e banorëve vendas për të njohur, respektuar dhe përdorur natyrën.

Pemët e çajit janë kthyer në pyje të dendura natyrore. Metoda e mbjelljes ka ndihmuar në parandalimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve, promovimin e pllenimit dhe sigurimin e lëndëve ushqyese natyrore për pemët, duke prodhuar kështu vazhdimisht çaj organik me cilësi të lartë.

"Zona jonë ende ruan një ekosistem të plotë që integron malin, ujin, pyjet, pemët e çajit, shumë bimë të tjera dhe lloje të ndryshme kafshësh e insektesh. Kjo është gjë e çmuar, duke pasur parasysh faktin që shumë pjesë të botës përballen me humbje të rënda ekologjike," tha Su Guowen, një fshatar i kombësisë bulang.

77-vjeçari tregoi për CGTN-in se ata kurrë nuk kanë përdorur plehra dhe pesticide në plantacionet e vjetra të çajit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Çaji ka luajtur një rol jetik në jetën e banorëve vendorë gjatë shekujve. Sipas Su, një pjesëtar shumë i respektuar i kombësisë bulang, gjethet e çajit fillimisht u përdorën për vetitë e tyre mjekësore. Ai tha se paraardhësit e tyre u goditën nga murtaja gjatë migrimit dhe gjethet e çajit i shpëtuan nga rreziku. Më pas, gjethet u bënë gradualisht një burim ushqimi.

"Më vonë, çaji u konsiderua si një dhuratë e veçantë dhe u ofrua si blatim për të nderuar paraardhësit tanë," tha Su. "Me kalimin e kohës, ne filluam ta këmbenim atë me mjete bujqësore dhe gjëra të përdorimit të përditshëm, të tilla si veshje, këpucë, sheqer dhe kripë. Kjo është arsyeja pse themi se gjithçka që kemi, është falë çajit."

Sot çaji është një produkt popullor që krijon të ardhura të konsiderueshme për banorët.

Në afërsi të plantacioneve të çajit janë rreth 10 fshatra të banuara nga kombësi të ndryshme, duke përfshirë bulang, dai, wa dhe hani. Shumica e banesave ende ruajnë stilin tradicional me dy kate. Simbolet e çajit shfaqen shpesh në çati.

Në të kaluarën, kati përdhes përdorej zakonisht për të mbajtur bagëti. Sot hapësira është shndërruar shpesh në dhomë çaji.

"Ne kemi pësuar ndryshime të rëndësishme. Në të kaluarën nuk kishte zbukurime të brendshme dhe na mungonin objektet thelbësore, si tualetet. Tani ne i kemi të gjitha këto lehtësira," tha Er Bing, një banor vendor.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kultura e thellë me çajin në qendër

Me kalimin e viteve, një histori ka qarkulluar në gjirin e fshatarëve vendas, e cila thotë se Pa Aileng, kreu i komunitetit bulang, u kërkoi fshatarëve që të mbronin me kujdes plantacionet e çajit si dëshira e tij e fundit.

"Nëse ju lë me bagëti, ato mund të mos u mbijetojnë fatkeqësive natyrore. Nëse ju lë me para dhe thesar, do t'ju mbarojnë një ditë. Kështu që do t'ju lë me këto plantacione pjellore çaji, të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe të pashtershme," citoi Su paraardhësin, duke shtuar se kryetari i tyre u tha brezave të rinj të mbronin pemët e çajit ashtu siç mbrojnë sytë e tyre.

Me kalimin e kohës, kultura e çajit gjithashtu është ruajtur me kujdes dhe është përçuar ndër breza.

Në mesin e prillit të çdo viti, një festival madhështor mbahet nga banorët bulang për të nderuar "paraardhësin e tyre të çajit" Pa Aileng.

Në çdo plantacion çaji, një pemë e lashtë zgjidhet si "pema e çajit shpirt". Çdo pranverë, banorët mbajnë një ritual të veçantë për të adhuruar këto pemë të respektuara.

Vitet e fundit, Su i është përkushtuar ringjalljes së disa traditave të kërcënuara. Për shembull, ai kaloi mjaft kohë duke mësuar shkrimet e shenjta të budizmit ku besojnë bulang-ët.

"Nga shkrimet e shenjta, ne e dimë se njerëzit nuk mund ta shkatërrojnë natyrën dhe duhet të ndjekin bashkëjetesën harmonike me të për një zhvillim të qëndrueshëm. Është një koncept i rëndësishëm kulturor," tha Su.

"Shkrimet e shenjta na thonë gjithashtu se ne duhet të jemi njerëz të sjellshëm e me moral dhe të përpiqemi të bëjmë diçka të mirë ndaj shoqërisë e njerëzve të tjerë," shtoi ai.

Sot, është pranuar gjerësisht nga vendasit se ata duhet të përcjellin traditat dhe kulturën e tyre shekullore.

Ma Zhimin, nga Pekini, u martua me një grua vendase. Familja me tre anëtarë dikur kaloi disa vite duke jetuar në Pekin, por tani janë vendosur në malin Jingmai.

"Aftësia e vajzës sime për të folur gjuhën bulang po dobësohej gradualisht ndërsa ishte në Pekin dhe asaj nuk i pëlqente të komunikonte me gruan time në këtë gjuhë. Kur e vumë re këtë, menduam se ishte një çështje serioze. Ajo duhet të zotërojë gjuhën e kombësisë së saj, kështu që ne lamë punët tona atje dhe u kthyem," tha Ma për CGTN-in.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mundësi të reja zhvillimi

Sipas autoriteteve vendore, rreth 90 për qind e banorëve në malin Jingmai janë të angazhuar në sektorin e çajit dhe të paktën 75 për qind e të ardhurave të tyre vijnë nga çaji.

Në dekadën e fundit, ky sektor këtu ka përjetuar rritje të shpejtë. Shai Kan nga fshati i vjetër Wengji thotë se, për një kohë mjaft të gjatë, kjo zonë kishte mbetur relativisht e panjohur dhe banorët vendas u shisnin kryesisht gjethe të freskëta ose thjesht çaj të përpunuar tregtarëve me një çmim shumë të ulët.

Megjithatë, vitet e fundit, me përmirësimin e infrastrukturës përkatëse, sipërmarrësit dhe turistët janë dyndur në rajon, duke rritur popullaritetin e çajit.

“Dy vjet më parë, të ardhurat vjetore për frymë ishin rreth 15 000 juanë (afro 2 062 dollarë), dhe pritet të arrijnë në 25 000 juanë (rreth 3 436 dollarë) këtë vit, pasi vizitorët po kthehen pas heqjes së kufizimeve të udhëtimit”, tha Shai.

Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimi i çajit më të shtrenjtë nga mali Jingmai është rritur nga 500 juanë (69 dollarë) për kilogram në vitin 2010 në 800 deri në 12 00 juanë (110 deri në 165 dollarë) sot.

Shai Kan tani drejton një fabrikë dhe ka krijuar markën e tij, e cila është një prirje e re e biznesit këtu.

Një tjetër ndryshim i dukshëm është transformimi i strategjive të marketingut dhe shitjeve. Në ditët e sotme, disa të rinj përdorin platforma të transmetimit të drejtpërdrejtë, një metodë e njohur e shitjeve në Kinë, për të promovuar produktet e tyre.

Fluksi i vizitorëve po nxit gjithashtu turizmin në këtë zonë malore dikur të veçuar.

Ma Zhimin dhe e shoqja Yu Ni tani drejtojnë një bujtinë. Këtu, mysafirët mund të përjetojnë kulturën lokale të çajit duke mbledhur gjethe çaji dhe të mësojnë se si të përpunojnë çajin.

Tani që vendlindja e tyre është bërë një vend i Trashëgimisë Botërore, shumë fshatarë presin zhvillim më të mirë.

"Duke parë nga e ardhmja, ne duhet t'i japim përparësi arsimit për të përmirësuar cilësinë e njerëzve tanë. Pastaj, duhet të promovojmë më mirë kulturën tonë etnike për të forcuar kuptimin dhe ndjenjën e identifikimit të fshatarëve me të," tha Su.

77-vjeçari theksoi se edhe vendasit duhet t'i përmbahen konceptit të mbrojtjes duke kërkuar zhvillimin, pasi pemët e lashta të çajit janë të pazëvendësueshme.