Albin Hisku, një shqiptar i suksesshëm në Gjermani
2023-09-18 16:49:20

Albin Hisku rrjedh nga një familje artistësh, i biri i Alida Hiskut, një këngëtare e njohur për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë. Albini ka realizuar disa këngë, por dhe një duet me mamanë e tij. Gjithashtu ai ka luajtur në disa telenovela gjermane. Prej 10 vitesh është drejtor i një prej kompanive më të mëdha të automobilave në Gjermani BMW, një arritje kjo në fushën e biznesit. Në një intervistë për  Radio Ejani, Albini tregon për pushimet në Shqipëri, pasionin për muzikën dhe aktirmin si dhe arritjet e tij në fushën e biznesit.  

Albin Hisku

CMG: Riktheheni pas disa vitesh në Shqipëri për pushime. Si shkuan pushimet këtë vit?

Albin Hisku: Pushimet kaluan shumë bukur, sepse kam gati pesë vjet që nuk kam ardhur në Shqipëri dhe çdo gjë në këto pesë vjet ka ndryshuar shumë. Në fillim kur erdha isha pak i çorientuar, por pas disa ditësh e kapa veten dhe shëtita gati në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug dhe më ka pëlqyer shumë.

CMG: Këtë sezon veror Shqipëria ka pasur një numër të madh turistësh nga gjithë vendet e botës, sigurisht dhe nga Gjermania. Pse erdhët vetëm për pushime dhe jo me miq gjermanë?

Albin Hisku: Faktikisht doja të vija me tre gjermanë, që janë shokë të mi të ngushtë, por mendova të vija vetëm këtë herë për të eksploruar njëherë vetë Shqipërinë, ngaqë kisha shumë kohë pa ardhur. Pashë që kishte shumë turistë të huaj këtu, nga Holanda, Çekia si dhe shumë gjermanë sidomos në zonën e veriut, por edhe te vendi i quajtur Rëra e hedhur pashë shumë gjermanë.

Albini me mamane e tij 

CMG: Mendon që vitin tjetër të vish për pushime i shoqëruar me miqtë gjermanë, për t’ju treguar Shqipërinë e bukur turistike?

Albin Hisku: Unë kam caktuar disa vende të bukura nga veriu, por edhe në Dhërmi, Sarandë dhe Vlorë. Gjithashtu në Shëngjin pashë disa vende të bukura, dhe i caktova për vitin tjetër që t’u tregoj të huajve vendin tim.

CMG: Mamaja juaj Alida Hisku është një artiste e njohur për shqiptarët dhe keni trashëguar muzikën nga ajo, por vitet e fundit i jeni përkushtuar biznesit.

Albin Hisku: Rrënjët i kemi nga arti, sepse kam pasur njëfarë mësimi në degën e muzikës dhe kam kënduar në opera, por kam bërë edhe disa këngë vetë në muzikën pop. Pastaj nuk mu dha mundësia që të vazhdoja me muzikën dhe u futa në degën e ekonomisë dhe biznesit. Kam 10 vjet që punoj në zonën automobile te firma e BMW-së, ku kam arritur në një pozicion shumë të mirë dhe jam drejtor. Kam 50 punëtorë dhe kemi goxha punë.

Albini ne Gjermani 

CMG: Jeni shkëputur përfundimisht nga muzika?

Albin Hisku: Unë e kam akoma nostalgjinë për artin dhe ndonjëherë e marr akoma mikrofonin nëpër dasmat e shokëve, në ditëlindje ose ndonjëherë ja marr mikrofonin mamit dhe këndoj një apo dy këngë.

CMG: Para disa vitesh keni luajtur në disa telenovela gjermane. Si ka qenë si eksperiencë për ju aktrimi?

Albin Hisku: Kjo eksperiencë më ka ndihmuar shumë, sepse kam luajtur në disa telenovela në Gjermani. Kjo gjë më ka dhënë shumë hapësirë në sferën e artit, por në fund nisa degën e biznesit.

CMG: Si e keni arritur suksesin në fushën e biznesit?

Albin Hisku: Në fushën e biznesit duhet që t’i rrish pranë punës, është e rëndësishme që t’i rrish punës në kokë. Të merresh me biznes të bën që të ndërrosh shumë herë fytyrën dhe këtu më ka ndihmuar aktrimi për të komunikuar me njerëz të biznesit, me klientët dhe punëtorët. Besoj se aty është suksesi im në fushën e biznesit.

CMG: Jeni i kënaqur deri tani me arritjet tuaja?

Albin Hisku: Jam shumë i kënaqur, por kam akoma disa hapa që dua t’i arrij në të ardhmen.

CMG: Një pasion i juaji janë dhe udhëtimet dhe  keni udhëtuar në mjaft vende të veçanta. Cili nga këto vende ju ka lënë më shumë mbresa?

Albin Hisku: Unë kam udhëtuar në gjithë Europën. Kam qenë në Spanjë, Itali, Suedi dhe vende të tjera, por më rehatshëm dhe më mirë jam ndjerë në Shqipëri dhe tani që erdha pas pesë vjetësh direkt mbas ditës së dytë u relaksova në maksimum. Këtë gjë nuk e kisha përjetuar asnjëherë në Spanjë, Portugali ose gjithandej ku kam qenë nëpër plazhe apo qytete të ndryshme.

Albin Hisku ne pune

CMG: Jeni larguar nga Shqipëria në një moshë të vogël. Çfarë kujtoni nga koha e fëmijërisë?

Albin Hisku: Në të vërtetë kam shumë nostalgji për kohën e fëmjërisë në Shqipëri. Kam qenë gjashtë vjeç kur kam ikur në vitin 1990 për në Gjermani. Janë disa aspekte që kanë ngelur akoma në mendje, sidomos mamaja ka punuar atëhere te shtypshkronja ‘Mihal Duri” dhe unë gjithmonë rrija te dritarja dhe thërrisja mamanë kur më hahej bukë ose kërkoja diçka tjetër. Kur e shikoj tani këtë rrugë pas 30 vitesh, i kujtoj shumë mirë ato momente sepse janë disa gjëra që i kam akoma në kokë. Gjithshtu edhe largimin nga Shqipëria në atë kohë me kamion e kam akoma në kujtesën time. Njerëzit tani nuk i mbaj mend se kam qenë shumë i vogël, por janë disa aspekte që më kanë ndjekur gjithë jetën.

CMG: Dispononi dy pasaporta, atë shqiptare dhe gjermane. Besoj ndjeheni krenar që keni dhe pasaportën shqiptare?

Albin Hisku: Jam shumë krenar dhe ishte shumë e rëndësishme që ta bëja këtë hap sepse desha dhe sipas ligjit gjerman  mund t’i mbaj të dyja nënshtetësitë. Kur u miratua ky ligj erdha direkt në Tiranë dhe bëra pasaportën shqiptare. Kështu që këtu quhem shqiptar dhe atje gjerman.

CMG: Shoqëria juaj në Gjermani është më tepër gjermane apo keni dhe të kombësive të tjera?

Albin Hisku: Ne jemi një miks komunitetesh, por shumica janë gjermanë. Gjermanët i kemi bërë faktikisht si shqiptarët, sepse  janë shumë të përzemërt dhe të mirë, dhe mezi po presin të vijnë vitin tjetër dhe t’u tregoj Shqipërinë time.

Albin Hisku

CMG: Ju pëlqejnë gatimet tradicionale shqiptare?

Albin Hisku: Gatimet shqiptare i provoj çdo ditë në shtëpi kur shkoj nga mamaja sepse ajo na gatuan gjellë, byrek dhe gjëra të tjera tradicionale shqiptare. Prapë këtu shija është tjetër, qepa, domatja, kastraveci kanë tjetër shije. Më kishte marrë shumë malli për gatimet shqiptare.

CMG: Keni bërë një bashkëpunim me Alidën, një këngë që e keni kënduar në duet. Nëse do t’i riktheheni sërisht muzikës, do të keni ndonjë bashkëpunim tjetër?

Albin Hisku: Ne kemi bërë dhe një album së bashku, ku jam edhe unë në disa këngë. Nëse do të kemi ndonjë shfaqje këtu besoj se do këndoj edhe unë disa këngë te koncerti mamit, por kjo do mbetet surprizë për më vonë.

CMG: Clat janë përshtypjet që do të transmetoni te miqtë gjerman kur të ktheheni në Gjermnai?

Albin Hisku: Unë do të transmetoj vetëm gjërat e mira te miqtë që kam në Gjermani, duke ju hapur më shumë kuriozitetin që vitin tjetër të vijmë së bashku në Shqipëri.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Albin Hisku: Ju përshendes nga zemra të gjithëve dhe së shpejti do shihemi në Shqipëri.

Intervistoi: Gazmend Agaj