Panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit Puer në malin Jingmai, rruga drejt Trashëgimisë Botërore
2023-09-18 09:25:33

Pylli i lashtë i çajit në malin Jingma/ foto nga CFP

"Panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit Puer në malin Jingmai",  projekti i paraqitur nga Kina, u miratua në sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite. Kjo është trashëgimia e 57-të botërore e UNESCO-s në Kinë.

Kanë kaluar 13 vjet qysh nga paraqitja e kërkesës për përfshirjen e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai në Listën e Trashëgimive Botërore. Gjatë këtyre mbi 10 dhjetë vjetëve, njerëz të panumërt kanë bërë përpjekje për mbrojtjen e këtij pylli, si dhe të sistemit kulturor përkatës, gjë që ndoshta ka rëndësi më të madhe se paraqitja e kërkesës dhe miratimi i saj.

Gjatë këtyre vjetëve, mali Jingmai është bërë i njohur edhe në botë. Në nëntor 2021 ai u përfshi në "Listën e destinacioneve më të mira botërore" për vitin 2022 të rekomanduar në uebsajtin e "NATIONAL GEOGRAPHIC".

Pylli i lashtë i çajit në malin Jingma/ foto nga CFP

Veçoria e çajit në malin Jingmai

Kina ka një kulturë të lashtë dhe të thellë të çajit, ndërsa pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai karakterizohet nga "lashtësia" dhe "pylli". 

Pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai ka një histori prej 1840 vjetësh.

Pjesa dërrmuese e plantacioneve të çajit në botë janë në tarraca, kurse shkurret e çajit në malin Jingmai rriten në pyll, ku bimët janë mirëmbajtur në mënyrë të qëndrueshme falë ekosistemit pyjor.

Para përhapjes së teknikës moderne të mbjelljes dhe rritjes së çajit, paraardhësit e banorëve të malit Jingmai krijuan kushtet ideale të ndriçimit të diellit për rritjen e shkurreve të çajit. Në ekosistemin e përsosur pyjor, një mekanizëm natyror i ndihmon fermerët të prodhojnë çaj bio me cilësi të lartë, pa përdorur plehra kimike dhe kandërrvrasës, si p. sh., zhdukja e dëmtuesve me anë të merimangave, kthimi i gjetheve të rëna në pleh etj. Në saje të besimit fetar dhe të traditës kulturore vendore, kjo teknikë e mençur e rritjes së çajit është trashëguar deri më sot.

Banorët përreth malit Jingmai e kanë konsideruar çajin si pjesë përbërëse të jetës dhe kanë krijuar besimin e tyre nga etika ekologjike. Banorët origjinalë besojnë se të gjitha qeniet në Tokë kanë shpirt dhe harmonia me natyrën ka qenë vlera e konceptit ekologjik të tyre gjatë mijëra vjetëve. Njëkohësisht, banorët e kombësisë bulang nderojnë edhe kreun e fisit që zbuloi çajin, Paeleng, si paraardhësin e çajit dhe bëjnë blatime për të çdo vit. Në plantacionin e çdo familjeje në malin Jingmai ka një "shpirt shkurreje çaji", që nderohet si "zoti i çajit" në këtë plantacion. Ndërkohë, edhe banorët e kombësisë dai i bëjnë blatime "zotit të çajit" dhe e quajnë si paraardhës të çajit Zhaonuola-në, kreu i fisit që mbërriti i pari në malin Jingmai.

foto nga CFP

Pylli i lashtë i çajit në malin Jingma/ foto nga CFP

Nga vjen çaji?

Pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai ndodhet në qytetin Puer të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Para mbi një mijë vjetëve, paraardhësit e kombësisë bulang zbuluan dhe kultivuan çajin. Më vonë ata, së bashku me paraardhësit e kombësisë dai, e kultivuan këtë pyll të madh çaji. 

Thuhet se gjatë një shpërnguljeje, paraardhësit e kombësisë bulang pësuan një epidemi të rëndë dhe ndodheshin në një moment kritik për mbijetesën e tyre. Asokohe, dikush prej tyre zbuloi rastësisht shkurren e çajit dhe funksioni i veçantë i kësaj bime shpëtoi banorët e kombësisë bulang nga epidemia. Qysh atëherë, ata e njohën dhe e mbajtën mend këtë bimë magjike, të cilën e quajtën "la". Brez pas brezi, kombësia bulang dhe kombësi të tjera, si dai, hani, va, lagu etj., mbollën, kultivuan dhe përzgjodhën shkurret e çajit. Fiset që fillimisht ishin marrë me gjueti, e kthyen gradualisht mbjelljen e çajit si aktivitetin e tyre prodhues kryesor dhe zhvilluan funksionet ekonomike të çajit. Në dinastinë Qing (1616-1912), çaji Puer u përcaktua si produkt për familjen perandorake dhe aristokratët. Kështu, pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai hyri në periudhën e lulëzimit, duke njohur një zhvillim të qëndrueshëm deri më sot.

Fshatrat e lashta buzë malit Jingma/ foto nga CFP

Tre elementet e domosdoshme të aplikimit për trashëgimi botërore

Fermerët e çajit në malin Jingmai nuk e kishin menduar se mënyra e tyre e përditshme e jetesës do të bëhej epërsia e malit Jingmai për të plotësuar kërkesat për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNIESKO-s.

Sipas kërkesave të Qendrës së Trashëgimive Botërore, mali Jingtai duhet të ketë tre elementet e domosdoshme: pesë plantacione pyjore të çajit, tre pjesë të brezit pyjor mbrojtës, si edhe nëntë fshatra tradicionale.

Nga një majë e malit Jingmai shihen plotësisht këto tre elemente të domosdoshme: fshatrat gjenden buzë malit, shkurret e lashta të çajit në mal kanë gjallëri të plotë, ndërsa në fund të horizontit brezi pyjor mbrojtës me gjerësi prej dhjetëra metrash mbron fshatrat dhe pyllin e lashtë të çajit.

foto nga CFP

Shtëpia e riparuar në fshatin buzë malit Jingmai/ foto nga CFP

Për të mbrojtur tërësinë e këtyre tre elementeve, pushteti vendor kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë mbi dhjetë vjetëve.

Në vitin 2004, kompania e energjisë elektrike e provincës Yunnan investoi afro 100 milionë juanë (12.5 milionë dollarë amerikanë) për transformimin e rrjetit elektrik në malin Jingmai. Fijet elektrike "i hapën rrugën" pyllit të lashtë të çajit.

Fermerët vendës ende mbajnë mend se sa të vjetra dhe të ulëta ishin shtëpitë e tyre në të kaluarën. Pas nisjes së projektit të aplikimit për trashëgimi botërore, filloi të zbatohet Plani i Fshatrave të Malit Jingmai. Sipas tij, fshatarët paraqitën kërkesën për riparimin e banesave dhe pastaj sektorët qeveritarë kryen riparimet, duke ruajtur pamjen origjinale të ndërtesave. Kështu, kushtet e banimit të fshatarëve rreth malit Jingmai patën përmirësim të dukshëm. Sot fshatrat buzë malit Jingmai duken ende të vjetra nga pamja e jashtme, por instalimet infrastrukturore janë të plota dhe moderne.

Pushteti vendor hartoi edhe rregulloren ligjore për mbrojtjen e shkurreve të lashta të çajit, që të mbrohen pamjet origjinale, tërësore dhe të vërteta të panoramës në malin Jingmai.

foto nga CFP

Vjelja e çajit në malin Jingmai/ foto nga CFP

Kthimi i mbrojtjes në zakon

Në krahasim me masat mbrojtëse të qeverisë, më e rëndësishmja lidhur me mbrojtjen e shkurreve të lashta të çajit është zakoni i fermerëve.

Pranvera dhe vjeshta janë periudhat më të zëna për fermerët e çajit në malin Jingmai, sepse këto janë stinët e vjeljes. Edhe në verë shkurret e çajit kanë gjethe, por fermerët nuk i mbledhin në këtë stinë në asnjë mënyrë, sepse ata janë të mendimit se shkurret e lashta të çajit janë si një plak mjekërbardhë dhe është një gjë e keqe që ta heqësh me forcë mjekrën. Kështu, një zakon ka mbetur deri më sot në malin Jingmai: çaji kërkohet vetëm në pranverë dhe vjeshtë, jo në verë e dimër.

Pjesa dërrmuese e banorëve vendorë të malit Jingmai kanë respektuar traditën e paraardhësve, por ka dhe disa shkelës si pasojë e kaosit të tregut të çajit në Kinë në fillimet e tij. Gjatë periudhës së viteve '60 - '90 të shekullit të kalur, fermerët në malin Jingmai provuan të rritnin çajin në tarraca, me mbjellje intensive dhe me vëllim të lartë prodhimi. "Me këtë metodë kultivimi, është e pamundur që të mos përdoren kimikate dhe plehra kimike,"  shprehen fermerët. Pas vitit 2007, tokat tarracore  me çaj u transformuan në plantacione ekologjike me çajin e kultivuar në mënyrën tradicionale të pyllit.

Duke nxjerrë mësim prej shkeljes së traditës, fermerët vendorë janë më të vendosur në mbrojtjen e plantacioneve të shkurreve të lashta të çajit. Në fshatin Nuogang, mbrojtja e shkurreve të lashta të çajit është përfshirë në rregulloren e fshatit shumë vjet më parë: ndalohet përdorimi i kandërrvrasësve, ndalohet krasitja e degëve të shkurreve të lashta etj.

Disa vjet më parë, në një plantacion çaji u rritën barëra të dendura. Pronari i plantacionit, i lodhur nga puna e rëndë për heqjen e barërave me dorë, përdori herbicide. Këtë veprim e zbuloi shumë shpejt kryetari i fshatit dhe, sipas rregullores së fshatit, pronari i plantacionit pagoi një gjobë prej 300 juanësh (41 dollarë amerikanë).

Veprimet e ndërgjegjshme të fermerëve vendorë janë garancia bazë, por më e rëndësishme për mbrojtjen e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai.

foto nga CFP

Prodhimi i çajit në fshatin buzë malit Jingmai/ foto nga CFP

Panorama në mbrojtje e sipër

Pse panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai ka kërkuar aktivisht përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore? Vetëm nga natyra e bukur dhe mjedisi ekologjik i mbrojtur në mënyrë tërësore? Jo vetëm kaq. Në malin Jingmai bashkëjetojnë njeriu dhe çaji në mënyrë harmonike. Atje ruhet shembulli i gjallë dhe përfaqësues tipik i mënyrës tradicionale të "mbjelljes e rritjes së çajit në pyll", që është një panoramë kulturore tipike në evolucion të vazhdueshëm dhe ka vlerë të përgjithshme në botë.

Sipas z. Zhang Pisheng, drejtori i Administratës së Pyllit të Lashtë të Çajit në Malin Jingmai, arsyeja kryesore e kërkesës për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore është për mbrojtjen më të mirë të kësaj panorame.

Për këtë arsye, përpjekjet e paepura për mbrojtjen e mjedisit në malin Jingmai janë bërë jo vetëm nga fermerët vendës, por edhe nga punonjësit që marrin pjesë në punët për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore. Çdo hollësi në zonën e trashëgimisë është studiuar herë pas here. P. sh., si të ndërtohet rruga malore prej dhjetëra kilometrash drejt zonës thelbësore të malit Jingmai? Punonjësit ishin të shqetësuar se rruga e asfaltit do të ndotte gjethet e çajit dhe do të ndikonte në cilësinë e çajit, ndërsa rruga prej çimentoje mund të reflektonte rrezet e diellit dhe të ndikonte në temperaturën e rritjes së çajit...

Në fund, kjo rrugë u ndërtua me gur. Në disa pjesë rruge në zonën thelbësore të panoramës kulturore, ndalohet kalimi i makinave.

Zhang Pisheng e përgjithëson thelbin e administrimit të panoramës kulturore të malit Jingmai si "përdorimi i 'minusit' në mal dhe i 'plusit' jashtë malit".  Vetëm kështu panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit do të mbrohet si duhet dhe vendësit do të përqafojnë një jetë më të bukur. (Wang Lei/ Artan)