IFRC: Rreth 6.6 milionë njerëz jetojnë në zonat e prekura nga tërmeti në Marok
2023-09-18 15:06:19

Marok (Foto Atsh)

Marok (Foto Atsh)

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) njoftoi se rreth 6.6 milionë njerëz jetojnë në zonat e prekura nga tërmeti në Marok, bën të ditur “ATSH”.

IFRC-ja publikoi një raport të ri mbi tërmetin e javës së kaluar në Marok.

Sipas raportit, Maroku u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.8 rreth orës 23:00 me kohën lokale më 8 shtator dhe një pasgoditje me magnitudë 4.9 ndodhi 19 minuta më vonë. Tërmeti, epiqendra e të cilit u përcaktua në Malet e Atlasit të Lartë, 71 kilometra në jugperëndim të qytetit të Marrakeshit, është ndjerë edhe në Portugali dhe Algjeri.

Rreth 380 mijë njerëz jetojnë brenda 50 kilometrave nga epiqendra e tërmetit dhe afro 6.6 milionë banorë jetojnë në zonat e prekura nga tërmetet, njofton raporti.

Ministria marokene e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të fundit, 2946 njerëz kanë humbur jetën dhe 5674 janë lënduar si pasojë e tërmetit.   (Fatosi)