Dita Ndërkombëtare e Pastrimit të Bregdetit, kërkohet ndërgjegjësim nga qytetarët
2023-09-18 15:30:39

CFP

CFP

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kërkoi reflektim nga qytetarët pasi mbetjet detare janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Ju ftojmë të gjithëve të reflektoni, përpara se të flakni mbetjet tuaja në det e bregdet, sesa dëm po shkaktoni dhe sesa kohë i nevojitet një mbetjeje të dekompozohet”,- shkruhet në postimin e AKZM-së në rrjetet sociale, përcjell “ATSH”.

“Nuk duhet të harrojmë se secili nga ne, çdo ditë ka një mision mjaft të rëndësishëm në jetë, të kujdeset për natyrën dhe shëndetin”, u shpreh AKZM.

Dita Ndërkombëtare e ka fillesën në vitin 1986, kur Linda Maraniss organizoi një grup qytetarësh për të pastruar plazhin e South Padre Island, në Teksas, nga sasia tepër e madhe e mbetjeve të hedhura.

Mbetjet plastike janë gjetur në 62% të shpendëve detarë dhe në 100% të breshkave të detit. Një problem kaq i madh si plastika në oqean kërkon angazhimin e të gjithë njerëzve për të sjellë ndryshim. (Fatosi)