Edicioni i 20-të, ekspozita Kinë-ASEAN e ngre bashkëpunimin dypalësh në një nivel të ri
2023-09-18 16:26:57

Indonezia, vendi kryetar i radhës i ASEAN-it këtë vit, pritet të jetë "ylli" i Ekspozitës së 20-të Kinë-ASEAN, e cila po zhvillohet në kryeqendrënn e Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Juglindore nga 16 më 19 shtator.

Në 19 edicionet e mëparshme të Ekspozitës Kinë-ASEAN kanë marrë pjesë mijëra biznese indoneziane. Kokrrat e kakaos, orenditë dhe pajisjet shtëpiake, punimet e zejtarisë dhe produkte të tjera indoneziane në këtë ekspozitë janë parapëlqyer nga konsumatorët kinezë.

Ekspozita e këtij viti organizohet me pjesëmarrjen e të 10 vendeve anëtare të ASEAN-it, si edhe të vendeve partnere të nismës "Një brez, një rrugë". Shifra e pjesëmarrësve u rrit me 18.2 për qind, duke arritur në pothuajse 2 000 ndërmarrje krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë 350 që janë pjesë e listës së 500 kompanive kryesore globale të revistës "Fortune".

Ndërsa sivjet është 20-vjetori i saj, kryeministri kinez Li Qiang tha të dielën se Ekspozita Kinë-ASEAN ka dëshmuar zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe që nga fillimi i organizimit dhe të dy palët janë të përkushtuara të forcohen nëpërmjet bashkimit e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, si edhe kontributit për botën.

Li i tha këto në ceremoninë e hapjes të Ekspozitës së 20-të Kinë-ASEAN dhe Samitit të 20-të të Biznesit dhe Investimeve Kinë-ASEAN.

Në 20 vjetët e fundit, mbi 70 lloje frutash nga vendet e ASEAN-it janë miratuar të importohen në Kinë. Frutat nga vendet e ASEAN-it janë gjithmonë një nga produktet më popullore në ekspozitën Kinë-ASEAN.

Këtë vit, xhejkfruti malajzian do të bëjë zyrtarisht debutimin e tij në Kinë nëpërmjet Ekspozitës së 20-të Kinë-ASEAN, duke treguar se kjo veprimtari ka ndërtuar aktivisht një platformë për ndërmarrjet e ASEAN-it për të hyrë në tregun kinez.

Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e ASEAN-it për 14 vjet me radhë. Të dhënat e fundit nga Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës tregojnë se në tetë muajt e parë të sivjetshëm, vlera e përgjithshme e tregtisë midis Kinës dhe ASEAN-it ishte 4.11 trilionë juanë (570 miliardë dollarë).

Siç vuri në dukje kryeministri Li të dielën, në sfondin e një ekonomie të dobët botërore, Kina dhe ASEAN ia dolën ta tejkalojnë këtë prirje dhe të arrijnë rritje në tregti dhe investime.

Sipas tij, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe ASEAN është rritur 16.8 herë në 20 vitet e fundit dhe të dy palët kanë qenë partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëri-tjetrit për tre vjet në rradhë, me investime të ndërsjella që i kalojnë 350 miliard dollarët.

Marrëdhëniet Kinë-ASEAN janë bërë modeli më i suksesshëm dhe dinamik në bashkëpunimin rajonal Azi-Paqësor dhe një shembull i qartë i mënyrës së nxitjes së ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për të gjithë, vuri në dukje kryeministri kinez.