Energjia elektrike dhe problematika e saj
2023-09-18 09:22:34

OSHEE(Foto abcnews.al)

OSHEE(Foto abcnews.al)

Në 6 mujorin e parë të këtij viti është ulur konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë. Në 2022 në të njëjtën periudhë, konsumi i energjisë ka qenë më i lartë se sa është në vitin 2023.  Ky përmirësim, për ekspertin e energjisë Azmer Duleviç vjen për shkak të shtimit të kontrolleve në terren për të parandaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe të shtimit të investimeve nga qytetarët apo bizneset në drejtim të instalimit të paneleve fotovoltaike, çka sjell vetëprodhim të energjisë.

“Ka ardhur për dy arsye në mendimin tim, por edhe të dhënat teknike në këto përfundime dalin. E para është ulur konsumi i energjisë elektrike, pikërisht me parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme nga OSHEE. Janë 83 kontrolle të kryera në të gjithë territorin e republikës, nga struktura e posaçme nga drejtoria e kontrollit të humbjeve dhe janë gjetur 83 objekte, hotele, restorante bare, që operojnë gjatë verës kryesisht në zonat bregdetare. Nga ndërprerja e vjedhjes nga ana e këtyre objekteve janë kursyer gati 4 milionë kilovat orë, që ka sjellë më pak humbje dhe më pak energji e shkuar dëm nga ana e OSHEE-së, e cila është hedhur në rrjetin e shpërndarjes. Nga ana tjetër, një arsye kryesore për sa i përket uljes së konsumit të energjisë elektrike janë vendosja e paneleve fotovoltaike nga ana e bizneseve. Shumica e bizneseve por edhe familjarë kanë vendosur panele fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike.  Kjo do të thotë se me vendosjen e paneleve fotovoltaike ulet energjia e marrë nga rrjeti, sepse vetë prodhojnë energjinë elektrike, kryesisht gjatë verës, kur ditët me diell janë në maksimumin e tyre dhe panelet prodhojnë me kapacitet të plotë ose me rendiment shumë më të lartë se gjatë ditëve me shi ose gjatë periudhës së dimrit”, tha eksperti

Eksperti Azmer Dulevic (Foto Linkedin)

Eksperti Azmer Dulevic (Foto Linkedin)

Kjo periudhë është shoqëruar edhe me problematika të ndryshme.

“Për sa i përket problematikave kanë qenë të spektrit teknik sepse rrjeti kryesisht në zonat bregdetare dhe turistike shpeshherë ka qenë i mbingarkuar. Në momentin kur kemi pasur ditë shumë të nxehta konsumi dhe nevoja për energji elektrike ka qenë më e madhe sepse janë përdorur kondicionerët për ftohjen e ambienteve, qoftë apartamente apo banese, ose qendra shërbimi ose komerciale dhe rrjeti i dizajnuar nuk e mban atë ngarkesë. Nevoja për energji dhe ngarkesa është më e madhe se ç’mund të përballojnë linjat e shpërndarjes dhe ka pasur avari, shkëputje të energjisë elektrike, djegie të linjave dhe stakim të sistemit të mbrojtës së kabinave elektrike, çfarë ka sjellë shpeshherë edhe ndërprerjen e energjisë elektrike për zona të caktuara, kryesisht në zonat bregdetare.”, vuri në dukje ai.

Situata sipas Duleviç është mëse e qartë për autoritetet përkatëse.

Energjia-Elektrike (Foto lajmi.net)

Energjia-Elektrike (Foto lajmi.net)

“OSHEE e di ku janë pikat kritike, ose zonat e kuqe që njihen në hartë dhe duhet të marrë masa jo në momentin që ndodhin këto problematika, por disa muaj më para se të fillojë sezoni turistik, në mënyrë që të parandalohen këto raste sepse fatmirësisht nga këto probleme që kanë ndodhur në sistemin e shpërndarjes nuk kemi pasur fatalitete nga linjat e shpërndarjes së OSHEE-së dhe fokusi duhet të jetë tek investimi në këto linja. Nga ana tjetër kemi edhe KESH-in, i cili duket sikur kohët e fundit e ka marrë veten për sa i përket bilancit ekonomik, sepse u bë shumë kohë që ka qenë në një bilanc negativ dhe nga janari deri në këtë moment ka arkëtuar rreth mbi 40 milionë euro nga shitja e energjisë. Fatmirësisht ka pasur reshje dhe rezerva hidrike ka qenë tej pritshmërive  dhe është përkthyer në më shumë energji të prodhuar, që ka përmirësuar sadopak bilancin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare” u shpreh Duleviç

Situata pozitive e KESH, sipas ekspertit bën që të kemi qetësi edhe në ndryshimin e çmimit për konsumatorët, pasi në këtë situatë një skenar i tillë mund të përjashtohet. Thirrje bëhet për subvencionim për kostot e investimeve në panele fotovoltaike nga familjarët.

“Nëse do ishim në situatat që ishim vitin a kaluar ose para dy vitesh ku çmimi i energjisë të paktën në tregjet ndërkombëtare ka qenë shumë i lartë, kur situata hidrike në vendin tonë është e pranueshme shikojmë që KESH po e përmirëson bilancin e tij, ky skenar i rritjes së çmimit të energjisë direkt ose aplikimi me fashë sepse nuk është e qartësuar kjo pjesë, duket një skenar i largët. Për momentin qytetarët shqiptarë ndihen jo të kërcënuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shpresoj shumë që qeveria shqiptare të marrë një nismë që duhet ta kishte marrë që ka të bëjë me subvencionimin për çmimin e vendosjes së paneleve fotovoltaike. Nëse një familje do të vendosë në ambientet e saj panele fotovoltaike duhet të ketë një mbështetje financiare e cila do t’i motivonte dhe do t’i jepte një shtysë qytetarëve që të shkonin drejt vetëprodhimit të energjisë elektrike. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë nismë të tillë, koha do ta tregojë dhe shpresojmë të kemi lajme pozitive për sa i përket sektorit të energjetik.”- thotë Duleviç.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 37,8 % duke arritur vlerën 2269 GWh nga 1647 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2022.Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,3 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,5 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 1,2 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2023, u ul me 3,5 % duke arritur vlerën 1.479 GWh nga 1.533 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2022.Në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë ndikuar konsumatorët jo familjarë, ku kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike me 7,3 %, ndërsa energjia e konsumuar nga konsumatorët familjarë është rritur me 1,2 %