CFP
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi të dielën ishullin e Lampedusas në Itali, duke bërë thirrje për të adresuar mbërritjet e paprecedenta të emigrantëve me anije në kufijtë e BE-së, njofton “ATSH”.
Von der Leyen iu përgjigj ftesës së drejtpërdrejtë nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila e shoqëroi lideren gjermane në ishull.
Von der Leyen dhe Meloni vëzhguan qendrën e pritjes dhe folën me disa nga emigrantët. Kryeministrja italiane premtoi se do të bëhet më e mira për ta.
Autoritetet italiane raportuan një rekord prej mbi 5100 migrantësh që mbërritën në Lampedusa të mërkurën e kaluar, duke çuar në mbipopullim në kampin e pritjes. Këshilli i qytetit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Politikania italiane e ekstremit të djathtë bëri thirrje për një operacion evropian të menjëhershëm, për të ndaluar anijet me emigrantë.
Vendet anëtare të BE-së nuk kanë arritur ende të bien dakord për një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit evropian të azilit. Kryesisht, vendet anëtare në kufijtë e jashtëm të BE-së ankohen për mungesë solidariteti nga ana e partnerëve të tjerë.
Për shkak të afërsisë me qytetin bregdetar tunizian të Sfaksit, Lampedusa ka qenë prej vitesh një nga destinacionet kryesore për emigrantët nga Afrika e Veriut që kërkojnë të arrijnë në brigjet evropiane. (Fatosi)