Krenar Ismaili ka lindur në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Muzikën e ka nisur që në moshën 8 vjeçare, ndërsa aktualisht është violinisti dhe këngëtari i grupit të njohur muzikor Blla Blla Blla. Ndikim në formimin e tij muzikor ka patur i ati, Ylli Ismaili, i cili ka qenë më herët pjesëtar i grupit Telex. Prej 10 vjetësh ai punon si profesor i muzikës në Shkollën e Mesme të Muzikës në Tetovë. Krenari ka marrë pjesë edhe në “The Voice of Albania 3”, si këngëtar. Përpara katër viteve bashkë me Behar Veselin kanë krijuar një orkestër harqesh në Maqedoninë e Veriut. Për Radio Ejani, ai tregon fillimet në muzikë, bashkëpunimin me grupin Blla Blla Blla, etj.
Krenar Ismaili (Foto nga facebook)
CMG: Ti je vokalist dhe violinist i grupit të njohur Blla Blla Blla, i cili i ka fillesat në vitet '80. Si u bëre pjesë e tij?
Krenar Ismaili: Kam 15 vjet që jam anëtar i grupit muzikor Blla Blla Blla, por edhe përpara se të bëhesha pjesë e këtij grupi, unë kam qenë një fans i madh i tyre dhe vazhdoj të jem ende tani që jam pjesë e tij. Me Idrizin, anëtarin e grupit jam njohur që përpara se të isha pjesë e tij. Ai më tha se violinisti i asaj kohe Ermali, nuk do të ishte pjesë e tij dhe më ftoi që të merrja pjesë në një koncert. Kisha vetëm dy javë kohë që të përgatitesha për atë koncert. Me shumë dëshirë dhe entuziazëm të madh e pranova atë ofertë. Më është dashur që për një kohë të shkurtër t’i mësoja këngët edhe pse i kam ditur, por jam ulur dhe i kam mësuar të gjitha. Më pas kishim koncertin dhe ja kaluam shumë bukur. Unë patjetër që isha mjaft i kënaqur dhe i lumtur për mundësinë që mu dha. Pas koncertit u ulëm bashkë me të gjithë anëtarët e grupit dhe biseduam, ku ata më komunikuan se kishin vendosur që unë të isha pjesë e përhershme e grupit Blla Blla Blla.
CMG: Si është të bëhesh pjesë një grupi, i cili e kishte krijuar identitetin dhe fansat e tij?
Krenar Ismaili (Foto nga facebook)
Krenar Ismaili: Fakti që u bëra pjesë e një grupi me një numër fansash të caktuar, por mbi të gjitha është edhe një ngarkesë e madhe sepse fansat janë mësuar me muzikën e grupit dhe unë doja të përshtatesha në atë atmosferë, si dhe në atë lloj muzike. Me kalimin e viteve kam kontribuar edhe unë me aftësitë dhe idetë e mia, sepse ai ka qenë një grup shumë i njohur dhe i konfirmuar në trevat tona.
CMG: Çfarë të veçante ka grupi Blla Blla Blla ?
Krenar Ismaili: Për mua personalisht grupi Blla Blla Blla është shumë i veçantë, e një nga veçantitë është se luajmë muzikë që nuk mund ta quash Rock N Roll, por ka elemente të veçanta të Rock N Roll-it. Veçantia tjetër është që nuk ka Rock N Roll pa kitarë, ndërsa në grupin tonë nuk ka kitarë, pasi e zëvendëson violina. Nëpërmjet violinës mundohemi të japin zërin kryesor të këtij grupi. Një tjetër e veçantë është se në këtë grup ne funksionojmë katër anëtarë, ku gjithmonë kemi qenë dy anëtarë shqiptarë e dy anëtarë maqedonas, që besoj jemi të vetmit.
Grupi funksionon që në vitet '80 dhe tashmë u bën 35 vite punë, 35 koncerte, gjë që është e vështirë tek ne që një grup të funksionojë 35 vite pa u ndarë.
CMG: Ti je instrumentist që luan në violinë, por njëkohësisht këndon. Ku e ndjen veten më mirë?
Krenar Ismaili (Foto nga facebook)
Krenar Ismaili: Është e vërtetë që unë jam instrumentist violinist, gjithashtu edhe këndoj. Sa i takon pyetjes, se ku ndjehem më mirë, do thoja se çdo muzikant e ka përgjigjen e njëjtë, pavarësisht se në sa instrumenta luan. E rëndësishme për mua është që të jem në skenë, qoftë si këngëtar, si violinist apo interpretimin në një instrument tjetër. Dalja në skenë është një përjetim i veçantë që nuk mund të thuhet me fjalë, ptandaj që nuk mund t’i ndaj. Shumë vite në skenë kam kaluar si violinist, pak vite kam kaluar si këngëtar, por nuk mund t’i ndaj, sido që të ngjitem në skenë, duke kënduar apo interpretuar në violinë, për mua është një kënaqësi e veçantë.
CMG: Duke qenë se ti ishe në ato kohë pjesë e skenës, si ishte ajo eksperiencë për ty?
Krenar Ismaili: Është interesant se si kalojnë vitet dhe tashmë u bënë 10 vite që nga koha kur kam marrë pjesë në “The Voice of Albania 3”. Në atë periudhe të jetës time, ajo ka qenë një nga arritjet e mia kulminante. Të dilja e të performoja në një skenë të madhe, përpara një publiku jashtëzakonisht të madh. Ai program është ndjekur kudo. Aty jam njohur me shumë njerëz profesionistë dhe kam mësuar shumë. Ajo ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e veçantë në jetën time profesionale, që nuk do ta harroj asnjëherë. Madje po të më jepej mundësia, do ta kisha përsëritur edhe një herë.
CMG: Ti ke studiuar për violinë, por kush besoi në talentin tënd?
Krenar Ismaili ne orkester (Foto nga instagrami)
Krenar Ismaili: Unë kam filluar të studioj violinë që nga mosha 8 vjeçare. Dëshira ime si fëmijë ka qenë që të merresha me muzikë, por dëshira më e madhe ka qenë e babait tim Ylli Ismaili, i cili është marrë gjatë gjithë jetës së tij me muzikë, ai ka qenë anëtar i grupit Telex. Ai dëshironte që unë të angazhohesha me muzikën, pasi një fëmijë në moshë të vogël mund të dojë gjithçka, por që nuk e di realisht se çfarë do. I jam falënderues gjithë jetën, pasi është profesioni që e dua shumë. Në kohët e sotme është e rrallë që një njeri të bëjë një punë me kënaqësi të madhe.
CMG: Krahas grupit, ti je pjesë e shumë koncerteve edhe të muzikës klasike. Por cila rrymë muzikore fle më shumë brenda teje?
Krenar Ismaili: Është e vërtetë që krahas grupit që unë performoj prej 15 vjetësh jam pjesë edhe e muzikës klasike. Muzika klasike më ka shoqëruar që kur kam filluar të studioj violinën, pasi që nga shkolla fillore kemi patur nga 2-3 koncerte gjatë vitit shkollor. Më pas edhe në shkollën e mesme dhe në Akademi. Tashmë ka 10 vite që po punoj si profesor i muzikës në Shkollën e Mesme të Muzikës në Tetovë.
Përpara katër viteve bashkë me Behar Veselin vendosëm që të krijojmë një orkestër harqesh në Maqedoninë e Veriut, por ideja ishte që orkestra të përmbante vetëm anëtarë shqiptar. Do e kishim shumë të vështirë për ta realizuar atë. Kemi shumë shqiptarë që janë instrumentistë të jashtëzakonshëm, por nuk kanë gjetur vend në institucionet shtetërore. Kjo gjë na shtyu bashkë me Beharin që të krijonim një orkestër harqesh fillimisht, sepse ka shumë instrumentista, të cilët na u bashkangjitën me shumë entuziazëm. Kemi katër vite që funksionojmë më së miri me ato mundësi sa kemi sepse varemi nga Ministria e Kulturës, e cila çdo vit hap konkursin për projekte të ndryshme dhe është burimi i vetëm financiar. Jemi munduar që të realizojmë katër koncerte gjatë vitit kalendarik me solistë shqiptarë. Deri tani kemi arritur një punë me shumë sukses, duke i falenderuar anëtarët e orkestrës, të cilët me shumë përkushtim kanë bërë një punë të madhe, madje dhe historike. Jam shumë i lumtur dhe vazhdojmë të punojmë me shumë sukses.
CMG: Si e sheh veten pas një dekade?
Grupi Blla Blla Blla (Foto nga facebook)
Krenar Ismaili: Me thënë të drejtën kësaj pyetjeje nuk di si t’i përgjigjem. Nëse duhet t’i jap një përgjigje konkrete , do shpresoja që ta gjej veten në vendin ku jam sepse siç e dimë, po ndodhin shumë shpërngulje nga të rinj e të reja. Unë po mundohem që të funksionoj në vendin tim, të kontribuoj për njerëzit e mi. Mendoj se është një obligim i secilit prej nesh që të bëjë maksimumin për brezat e ardhshëm.
CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Krenar Ismaili: Sa i përket planeve, një muzikant ka shumë plane, por ideja kryesore është që të vazhdojmë të krijojmë muzikë me grupin Blla Blla Blla. Së shpejti mendoj që të krijojmë disa këngë të reja shoqëruar me videoklip. Ky është plani afatshkurtër, ndërsa plani afatgjatë është që të realizojmë një album.
Plani tjetër në muzikën klasike është që të rrisim orkestrën Tadenus, po dalin gjenerata të reja, të na bashkëngjiten në të ardhmen në orkestër simfonike, duke na u bashkangjitur edhe instrumentistë frymore, duke shpresuar që të kemi mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore, por edhe nga artdashësit sepse është shumë e vështirë dhe duhet një mbështetje e madhe nga institucionet përkatëse për nisma të tilla.
Intervistoi: Sava Lena