CMG: Ku është mundësia e ardhshme e tregut? Të gjithë thonë sërish "në Kinë"
2023-09-17 16:45:15

Foto:VCG

Foto:VCG

"Çdo prirje në Kinë do të sjellë mundësi biznesi. Tajlanda, eksportuesja më e madhe në botë e durianit, ka dëshmuar se si bumi i konsumit në Kinë ka nxitur rritjen e shpejtë të kërkesës globale në një periudhë të shkurtër". Kështu shkruhet në një artikull të postuar ditët e fundit në faqen e internetit të gazetës spanjolle "El Economista". Duke iu referuar raporteve të ekonomistëve, raporti vë në dukje se në dy vitet e fundit, importet e Kinës për frutin e durianit përbënin 91% të kërkesës globale.

Të dhënat zyrtare ekonomike të Kinës për gushtin, të publikuara të premten, konfirmuan tërheqjen e madhe të tregut të konsumit kinez për botën. Siç mësohet, shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën në gusht me 4.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shifër kjo 2.1 pikë përqindje më e shpejtë se muajin e kaluar.

Prapa këtyre të dhënave janë mundësitë e biznesit që bota e jashtme dëshiron të gjejë. Që nga fillimi i këtij viti, rimëkëmbja ekonomike botërore ka qenë e ngadaltë dhe janë shfaqur në mënyrë të dukshme efektet anësore të politikave të shtrëngimit të ekonomive kryesore të zhvilluara. Me një sfond të tillë, ekonomia e Kinës i ka rezistuar presionit dhe ka vazhduar të rimëkëmbet, por edhe të jetë një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike botërore. Kjo është edhe arsyeja pse shumë sipërmarrës ndërkombëtarë zgjedhin Kinën pa hezitim kur pyeten: "Ku janë mundësitë e ardhshme të tregut sikurse në Kinë?"

Atëherë, çfarë mund të fitojnë ata nga tregu gjigant kinez? Le të hedhim një vështrim në të dhënat ekonomike të Kinës gjatë muajit gusht.

Fabrika e Tesla-s në Shangai(Foto:VCG)

Fabrika e Tesla-s në Shangai(Foto:VCG)

Tregu i madh i Kinës po transformohet dhe përshkallëzohet vazhdimisht, gjë që do të sjellë të ardhura të qëndrueshme për kompanitë ndërkombëtare. Në gusht, banorët kinezë udhëtuan më shumë dhe konsumi i ushqimit, akomodimit, transportit dhe shërbimeve të tjera vazhdoi të rritej. Të ardhurat kombëtare të hotelerisë u rritën me 12.4% në krahasim me një vit më parë dhe treguesit e aktivitetit të biznesit si ato të transportit hekurudhor, ajror, akomodim dhe industrive të tjera qëndruan në një nivel relativisht të lartë prej më shumë se 55%. Në të njëjtën kohë, konsumi digjital dhe i gjelbër janë bërë gradualisht tendenca të reja në përmirësimin e konsumit të Kinës. Jo vetëm që konsumi në internet si tregtia elektronike, ekonomia e transmetimit të drejtpërdrejtë online dhe argëtimi në internet po lulëzon, por provat e makijazhit me teknologjinë AR dhe përvojat e ekranit 3D pa syze në qendrat tregtare  etj., kanë tërhequr gjithashtu një numër të madh klientësh. Për më tepër, sipas të dhënave statistikore nga Shoqata e Industrisë së Automobilave të Kinës, shitjet e automjeteve me energji të re brenda vendit u rritën me 29.7% në gusht në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një raport i Administratës Kombëtare të Këmbimit Valutor tregoi se norma e rendimentit të investimeve të huaja në Kinë në pesë vitet e fundit arriti në 9.1%, që është shumë më e lartë se rreth 3% në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu më e lartë se 4% -8% e ekonomive të tjera të mëdha në zhvillim. Stabilimenti gjigand i Tesla-s në Shanghai përbënte gjysmën e dërgesave në botë të kësaj kompanie vitin e kaluar, duke prodhuar një makinë elektrike çdo 40 sekonda; Starbucks hapi 6.500 filiale në Kinë, duke shtuar 1 dyqan në çdo 9 orë... Disa analistë vunë në dukje se Kina ka një shtresë të madhe me të ardhura mesatare. Kjo do të thotë se ka mundësi të mëdha potenciale në fusha si automobilat, shërbimet mjekësore etj., për të cilat, kompanitë ndërkombëtare kanë ende hapësira të mëdha zhvillimore.

Klientë kinezë në një Starbucks në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore(Foto:VCG)

Klientë kinezë në një Starbucks në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore(Foto:VCG)

Transformimi dhe përmirësimi i konsumit të Kinës korrespondojnë me transformimin dhe përmirësimin e ofertave në treg. Inovacioni shkencor dhe teknologjik i Kinës u ofron kompanive ndërkombëtare kushte të favorshme për kërkim dhe zhvillim (R&D). Kreu i kompanisë amerikane të menaxhimit të investimeve Franklin Templeton tha kohët e fundit në një konferencë në Singapor se "Kina përgatit çdo vit më shumë inxhinierë se çdo vend tjetër. Kështu që unë mendoj se inovacioni atje do të sjellë mundësi."

Që nga ky vit, gjithnjë e më shumë kompani me investime të huaja si Xylem, Schneider Electric, Volvo etj., kanë ngritur qendrat e tyre të kërkimit dhe zhvillimit në Kinë. Prapa kësaj, tregu i madh i Kinës, ekosistemi i plotë industrial dhe grupi i madh i talenteve, janë faktorë të rëndësishëm.

Për kompanitë ndërkombëtare, para faktit që tregu ndërkombëtar bëhet i paqëndrueshëm, i pasigurt dhe i paparashikueshëm, qëndrueshmëria ka rëndësi të jashtëzakonshme. Objektivi i rritjes ekonomike të Kinës këtë vit është rreth 5%. Banka Botërore, OECD dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë se ekonomia e Kinës do të rritet përkatësisht me 5.6%, 5.4% dhe 5.2% në vitin 2023. Në të njëjtën kohë, për sa i përket politikës, ndryshe nga disa vende që bëjnë shpesh "kthesa të papritura", stabiliteti dhe vazhdimësia e politikave ekonomike të Kinës i kanë dhënë "siguri" investimeve të huaja. Kompania e konsultimeve McKinsey vuri në dukje se Kina është një nga zonat më të mëdha në botë që janë në gjendje të ofrojnë mundësi të rëndësishme zhvillimi për kompanitë ndërkombëtare.

Konsumatorë në një qendër tregtare, qytet Sanya, provincë Hai'nan(Foto:VCG)

Natyrisht, rimëkëmbja ekonomike pas epidemisë është një proces me vështirësi dhe sfida. Ditët e fundit, Kina ka prezantuar një sërë masash për të rivendosur dhe zgjeruar konsumin, për të nxitur zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë private, duke shtuar përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja. Pas disa ditësh, kur kinezët do të kremtojnë festa si ajo e Mesvjeshtës dhe Ditën Kombëtare, pritet që konsumi dhe ekonomia të rigjallërohen më tej gjatë pushimeve njëjavore, duke shtuar edhe vitalitetin për zhvillimin botëror.(Zhang Yan/Edmond)