Rrezatimi i lartë, BE-ja shqyrton mundësinë e ndalimit të shitjes së “iPhone 12”
2023-09-17 11:05:20

 Foto:VCG

Foto:VCG

Bashkimi Evropian mund të ndalojë shitjen e celularëve “iPhone12”, të kompanisë “Apple”, nëse asnjë anëtar i BE-së nuk kundërshton vendimin e Francës për të ndaluar shitjet për shkak të rrezatimit të lartë.

Zëdhënësja për Tregun e Brendshëm të BE-së, Sonya Gospodinova, deklaroi se organi ekzekutiv i BE-së dhe shtetet anëtare morën njoftimin e Francës për pezullimin e përkohshëm të shitjes së pajisjeve “iPhone 12”. Sipas saj, Franca ndoqi një procedurë të vendosur nga legjislacioni i BE-së për pajisjet radio dhe shtetet anëtare të BE-së tani kanë tre muaj për të vlerësuar ankesën, shkruan “ATSH”.

“Komisioni Evropian aktualisht është në pritje të reagimeve të shteteve anëtare”, tha ajo, duke shtuar se do të merren masa pas reagimeve.

Sekretari i Shtetit për Digjitalizimin në Belgjikë, Mathieu Michel, deklaroi se ai kërkoi nga Instituti belg për Shërbimet e Postës dhe Telekomunikacionit të analizojë rreziqet e mundshme që lidhen me këtë produkt.

Foto:VCG

Foto:VCG

Këtë javë, Franca kërkoi nga kompania “Apple” të tërheqë celularët “iPhone 12” nga shitja, pasi testet zbuluan se modeli po prodhonte nivele të rrezatimit që tejkalonin pragjet e rregullores.

Sipas rregullave të BE-së, telefonat celularë duhet të kenë një nivel rrezatimi nën 4 vat për kilogram, ndërsa te “Iphone 12” rrezatimi ishte 5.74 vat për kilogram në 141 celularë të testuar nga Agjencia Kombëtare e Frekuencave.

“Apple” e kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se pajisja ishte e certifikuar nga disa organe ndërkombëtare të sigurisë. (Irma)