Aleks Xhelili (Facebook)
Aleks Xhelili është instrumentist i njohur nga qyteti i Kolonjës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Tiranë, ai punoi si instrumentist pranë Qendrës Kulturore në Ersekë dhe prej vitit 2003 jep mësime në klarinetë në shkollën e mesme artistike ‘Tefta Tashko Koço” në Korçë. Aleksi ka marrë pjesë si drejtues dhe instrumentist i sazeve të Kolonjës në festivalet folklorike kombëtare të zhvilluara në Berat dhe Gjirokastër. Në pjesëmarrjen e tij në Festivalin Folklorik Tipologjik të Sazeve është vlerësuar me nëntë çmime. Ai ka përfaqësuar muzikën popullore qytetare me ansamblin “Skënderbeu” dhe me “Sazet e Kolonjës” në Turqi, Greqi, Bullgari, Itali, Spanjë, Portugali, Gjermani dhe Angli. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Aleks Xhelili na njeh me për karrierën e tij muzikore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet.
CMG: Keni një karrierë të gjatë artistike me instrumentin e bukur dhe të dashur të klarinetës. Si ju lindi pasioni për këtë instrument?
Aleks Xhelili: Pasioni për këtë instrument ka nisur krejt rastësisht, sepse hobi im në fillim ka qenë fizarmonika, për arsye se dajallarët e mi luanin në fizarmonikë dhe e kishim në shtëpi këtë instrument. Pas tyre luaja dhe unë në fizarmonikë, një instrument që e zotëroj edhe sot në një mënyrë perfekte. Në vitin 1978 kur hyra në Liceun e Korçës dhe fitova konkursin, ma ndërruan degën dhe kalova në klasën e klarinetës, dhe që atëherë e deri më sot ky instrument është bërë i pandashëm për mua. Unë jetoj vetë si instrumentist midis dy botëve, sepse kam mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, botës së muzikës klasike dhe asaj popullore, por më tepër kam dhënë në muzikën popullore tradicionale të juglindjes. Ka rreth 47 vjet që merrem me klarinetën dhe nuk është pak gjysëm shekulli si instrumentist.
Aleks Xhelili me kolege gjate spektaklit Kenge Moj (Facebook)
CMG: Midis fizarmonikës dhe klarinetës, cilën do të veçonit si të preferuarën?
Aleks Xhelili: Nuk do t’i ndaja, por për momentin klarinetën i cili është një instrument i bekuar, që bën pjesë në çdo lloj zhanri muzikor, që nga muzika klasike, popullore, xhaz dhe të gjitha llojet e tjera të muzikës.
CMG: Pse u fokusuat më tepër tek muzika popullore dhe jo ajo klasike?
Aleks Xhelili: Unë kam fatin që jetoj në një zonë e rrethuar nga dy qytete me shumë traditë, Leskoviku dhe Korça, ku tradita është mjaft e madhe me saze të magjishme. Unë e them me mburrje të plotë që jemi të parët, sepse Leskoviku është i pari që ka luajtur klarinetën dhe ky instrument për herë të parë në Shqipëri ka hyrë në këtë zonë ku jetoj unë. Kjo zonë ka pasur saze të magjishme me Afize Leskovikun, Vangjel Leskovikun, më vonë me Kiço Jorgon, Laverin, Vangjelin dhe Lulushin, të cilët kanë qenë instrumentistë virtuozë dhe i kanë vënë themelet e forta muzikës së sazeve qytetare të juglindjes.
CMG: Zona e juglindjes ka një folklor të pasur dhe natyrisht që klarineta është një instrument bazë për muzikën e juglindjes.
Aleks Xhelili me kostum popullor (Facebook)
Aleks Xhelili: Klarineta së bashku me violinën është bërë pjesë e valleve, pjesë e shoqërimit të këngëve, që sot konsiderohet si muzika qytetare për arsye se u shoqërua me instrumenta dhe u krijua një stil intro me një raport shumë të këndshëm midis instrumentistëve dhe këngëtarëve. Më të famshme janë kabatë, që vijnë pas iso-polifonisë, si një zhanër shumë i veçantë dhe kemi se me çfarë krenohemi.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni shoqëruar me instrumentin tuaj shumë këngëtarë të njohur, por keni realizuar dhe instrumentale të ndryshme që i keni publikuar për artdashësit.
Aleks Xhelili: Unë kam dhënë një kontribut mjaft të madh në tregun muzikor jo vetëm me shoqërimin e këngëve, por kam realizuar dhe album muzikor me valle popullore dhe pjesë instrumentale. Kam realizuar album muzikor në vitin 1998 dhe për momentin jam duke punuar me Saimir Çilin për një kolazh ose suitë vallesh nga zona ime e Kolonjës, që së shpejti do të dalë në treg.
CMG: Pra jeni nga të parët instrumentistë që keni realizuar album muzikor me instrumentale?
Aleks Xhelili: Kanë qenë 14 valle dhe kaba, që i përkasin pjesës instrumentale popullore me muzikë saze.
CMG: Nga ndryshojnë sazet e Kolonjës nga trevat e tjera, që e kultivojnë këtë zhanër muzikor?
Aleks Xhelili duke luajtur ne klarinete (facebook0
Aleks Xhelili: Unë kam pasur fatin që kam pasur një mjeshtër, i cili është jo më pak gjigant se Laver Bariu. Quhet Vangjel Todo (Janushi), i cili ishte një instrumentist i magjishëm, nga një familje muzikantësh siç është familja Lela apo familja Qerimi. Ai ka qenë instrumentist i magjishëm, që krijoi një bazë muzikore të fuqishme dhe të veçantë. Unë mendoj se ne kemi ato të veçantat tona, ku vallja kolonjare që nuk e ka as Leskoviku dhe as Korça ose vallet granishte që janë të veçanta dhe perla të muzikës instrumentale popullore të jugut.
CMG: Ju përveç kontributit si instrumentist në muzikën popullore tradicionale, keni dhënë një kontribut të madh dhe vijoni të jepni në fushën e mësimdhënies. Si kanë qenë këto vite për ju në arsim?
Aleks Xhelili: Unë pasi mbarova Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1988, u emërova koordinator muzike pranë Pallatit të Kulturës në Ersekë. Këtu erdha me një mendje shumë të mirë që të kontribuoja sa më shumë për të provuar gjithë muzikën popullore të krahinës sime. Aty punova rreth 12 vjet dhe në vitin 2003 kalova mësues në shkollën e muzikës, ku drejtoj klasën e klarinetës.
Gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare kam punuar me shumë dashuri me nxënësit dhe kam arritur që klasa e klarinetës në Korçë të jetë një nga klasat më të mira në gjithë Shqipërinë, që krahasohet me Tiranën dhe Shkodrën, të cilat janë klasat më perfekte në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe unë kam nxjerrë dhjetra klarinetistë që janë në tregun muzikor dhe janë të shkolluar. Krenohem me këtë punë dhe e bëj shumë me qejf, sepse dua që atë që di unë t’ia le këtij brezi, që muzika e vjetër popullore të mos humbasë.
CMG: Sa interes ka brezi i ri për të qenë pjesë e muzikës popullore tradicionale dhe për ta kultivuar atë më tej?
Aleks Xhelili me kengetarin Endri Fifo (Facebook)
Aleks Xhelili: Në fillimet e demokracisë të gjithë u lëshuan për të shijuar muzikën greke, italiane dhe të tjera, por përsëri u kthyen tek muzika jonë tradicionale. E them me shumë vërtetësi që brezi i ri është shumë i interesuar për të mësuar muzikën tonë popullore, sepse ju shijon dhe mundohen që ta mësojnë dhe ta luajnë. Unë vetë ngul këmbë që ata ta luajnë sa më pastër dhe pa shtrembërime, për të transmetuar muzikën tonë me krenari se kemi një muzikë shumë të bukur në krahasim me fqinjët.
CMG: Keni marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore jashtë vendit. Si jeni pritur nga publiku në këto aktivitete?
Aleks Xhelili: Unë kam marrë pjesë në shumë festivale në Londër, Holandë, Palma de Majorka, Itali dhe pothuajse në gjithë Ballkanin. Gjithashtu kam qenë në SHBA, Kanada dhe Australi. Ka shumë shfaqje që më kanë emocionuar shumë, por do të veçoj njërën prej tyre. Në një konkurrim në Palma de Majorka që konsiderohej si festival europian, unë dola me klarinetë solo dhe luajta vallen e Osman Takës, dhe në momentin që unë lëshova notat e para solo në klarinetë pa u shoqëruar nga orkestra, është ngritur një flamur i madh në një stadium ku u zhvillonin garat me dema dhe thërrisnin Viva Albania! (Rroftë Shqipëria). Nuk kam ndjerë kënaqësi më të madhe të gjithë jetës time dhe më ka mbetur si kujtim i madhërishëm kur vallen tonë, tingujt e mi i vlerësuan maksimalisht. Gjithashtu kam përjetuar shumë emocione nëpër të gjitha koncertet që kemi dhënë për bashkëatdhetarët tanë, lot dhe mall që për mua janë kujtime shumë të bukura.
CMG: Cilën nga pjesët instrumentale do të veçonit si më të pëlqyerën nga ato që keni realizuar deri tani?
Aleks Xhelili: Unë anën më të fortë kam kabanë. Kabaja është një pjesë instrumentale pa ritëm, e shtrirë, që shpreh gjithë dhimbjen dhe gëzimin, tregon veten ku ke qenë, ku je dhe ku do shkosh, një pjesë e magjishme dhe sa herë që luaj kaba qaj dhe mbyll sytë se më emocionon shumë. Kam realizuar katër kaba shumë të bukura. Në festivalin e fundit të Gjirokastrës unë luajta një kaba shumë të bukur, të veçantë, që u vlerësua nga specialistët dhe u përzgjodh për të konkurruar me qarkun e Korçës.
Aleks Xhelili me regjisorin Pali Kuke (Facebook)
CMG: Cili është mendimi juaj për organizimin e festivalit folklorik këtë vit në Gjirokastër?
Aleks Xhelili: Mua si instrumentist më intereson që ky festival të organizohet, dhe në përgjithësi është organizuar mire, sepse u evidentuan disa vlera, por duhet akoma vëmendje nga shteti që të zbulohen ato vlera të vërteta atje dhe jo të përsërisin veten.
CMG: Jeni vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Ersekës. Si jeni ndjerë me këtë vlerësim?
Aleks Xhelili: Unë kam marrë titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia dhe vjet kam marrë dhe titullin “Mirënjohje e Qarkut të Korçës”. Jam ndjerë i vlerësuar si gjithë të tjerët në kontribut, në krahë të Dhori Qirjazit dhe shumë gjigantëve të tjerë dhe e falënderoj bashkinë për këtë vlerësim të madh që më bëri. Ky vlerësim për mua është thjesht të shtoj fuqinë për punë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Aleks Xhelili: Unë po bëj kolazhin muzikor dhe po përgatitem për katër koncerte në Boston të SHBA-së, një festival i komunitetit shqiptar që organizohet atje, ku unë do të luaj gjërat më pikante të qarkut të Korçës. Këto janë projektet e mia për momentin.
Intervistoi: Gazmend Agaj