G20-ta e Indisë si një “fushëbetejë ” kundër Kinës
2023-09-16 16:47:55

Në një kohë kur ekonomia botërore po përballet me rrethana të paqëndrueshme gjeopolitike e gjithë pritshmëria nga samiti i G20, i 9-10 shtatorit 2023, ishte të forcojë partneritetin dhe të punojë së bashku për të adresuar sfidat globale, duke pasur parasysh madhësinë dhe rëndësinë e tij strategjike.

Mbi të gjitha pritshmëritë ishin të larta që forumi kryesor i bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar të luajë plotësisht në rolin e tij.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kështu u besua të pakten, nisur dhe nga fakti se që nga lufta e Rusisë në Ukrainë, G20 nën presidencën e Indisë është e para organizatë ndërkombëtare e këtyre përmasave që nuk fton Presidentin Zelesnky, sikundër e kemi parë tashmë në çdo mbledhje të liderëve botëror.

Pra, Volodymyr Zelenskyy, presidenti ukrainas, nuk u ftua në samit pavarësisht kërkesave zyrtare që ai të marrë pjesë, dhe aq me tepër që është edhe prioritet i Perëndimit.

Nju Delhi e argumentoi duke thënë se G20 duhet të kthehet në rrënjët e saj për çështjet ekonomike. Megjithëse këtu ka vend për diskutim, ky është një vendim që gjithsesi gjeti dakordësi mes grupit.

Por le ta analizojme nëse G20-ta e Nju Delhit, vërtetë u përqendrua te çështjet ekonomike, apo e minoi atë duke u përpjekur të vendosë gurë themeli për vetën e saj si një lojtar në arenën gjeopolitike.

Sikundër ishte dhe tema "Një tokë, një familje, një të ardhme", e samitit të 18-të të Grupit 20 (G20, është e kuptueshme që përsa kohë e quan këtë  grupim, "familje” anëtarët e G20 duhet te përcjellin një marrëdhënie të mirë partneriteti dhe miqësie. Padiskutim  do të ndihmonte stabilizimin e ekonomisë botërore, nxitjen e rritjes globale dhe përmirësimin e qeverisjes ekonomike globale.

India shpalli gjashtë prioritete për samitin e G20: zhvillimin e gjelbër dhe financimin e klimës, rritjen gjithëpërfshirëse, ekonominë dixhitale, infrastrukturën publike, transformimin e teknologjisë dhe reformat për fuqizimin e grave për përparimin socio-ekonomik.

Nga kjo seri marrëveshjesh, nuk është e vështirë të shihet se pala indiane dëshiron ta përqendrojë diskutimin në rimëkëmbjen ekonomike dhe diplomacinë shumëpalëshe, e cila ka qenë tema kryesore e platformës së G20 gjatë gjithë kohës.

Nju Delhi ka thënë vazhdimisht se forumi nuk është një vend për konkurrencë gjeopolitike por ky samit dëshmoi të kundërtën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenca e G20 e Indisë përkon me disa ngjarje historike për Indinë pasi vendi është bërë i katërti që ka zbritur në Hënë. Ndërsa gjatë këtij viti në mediat perëndimore u përfol se India kaloi Kinën si vendi më i populluar në botë dhe ka kaluar Britaninë e Madhe si ekonomia e pestë më e madhe në botë. Për të mos folur më pas për pritjen me tapetin e kuq te kryeministrit Narendra Modi në Uashington, DC.

Në një farë mënyre, gjatë gjithë këtij viti që India mban Presidencën e G20, është ”përkëdhelur ” nga mediat ndërkombëtare perendimore apo think tanke të ndryshme duke e quajtur Indinë tashmë një fuqi e madhe globale.

India e ka presidencën e G20 që nga 1 dhjetori, kur mori drejtimin nga Indonezia dhe do të vazhdojë të mbajë këtë pozicion deri më 30 nëntor, ku sikundër propozoi Modi, pritet të mbahet një seancë tjetër virtuale të Samitit të G-20 në fund të nëntorit”. Ndoshta ne atë seancë, mund të ndryshojnë, miratohen ose jo shumëçka që u përmend gjatë samitit në Nju Delhi.

Megjithatë ndërsa jemi një javë pas këtij samiti, mund ta shohim më ftohtë se çfarë solli G20 e 9-10 shtatorit. Përpos konsensusit të deklaratës së përbashkët, projektit të ri hekurudhor, në fakt ajo që u lexua por që nuk u fol me të madhe ishte aleanca Indi-SHBA, duke bërë që më shumë se sa për Indinë, ky  samit të ishte  i SHBA-së, e cila përdori G20 si një “fushëbetejë ” kundër Kinës, që është një nga anëtarët më të rëndësishëm të asaj “familjes” që theksonte Kryeministri Modi në krye të herës.

Presidenca e G20 e Indisë: Cili ishte suksesi i saj në Nju Delhi?

India pretendoi sukses në arritjen e një konsensusi mbi Deklaratën e Liderëve të G20-ës në Nju Delhi të shtunën, 9 shtator. “Në anën e punës së palodhur të të gjitha ekipeve, ne kemi marrë konsensus mbi Deklaratën e Samitit të Liderëve të G20-ës” dhe “Unë shpall miratimin e kësaj deklarate”, u tha kryeministri Narendra Modi liderëve të G20-ës, përfshirë kreun e Bashkimit Afrikan të sapo pranuar.

Mos të harrojmë se Kina ishte vendi i parë që shprehu  mbështetjen e saj për anëtarësimin e AU në G20. Muajin e kaluar, Kina theksoi përsëri mbështetjen e saj të fortë për AU për t'u bërë anëtare e plotë e G20, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas Dialogut të Udhëheqësve Kinë-Afrikë.

Në gusht, presidenti kinez Xi Jinping tha se Kina është e përkushtuar të mbështesë Afrikën për të folur me një zë mbi çështjet ndërkombëtare dhe për të ngritur vazhdimisht pozitën e saj ndërkombëtare kur iu drejtua Dialogut të Udhëheqësve Kinë-Afrikë në Johannesburg, Afrika e Jugut.

Mediat ndërkombëtare raportuan se vendet e tjera të G20 kanë përshëndetur suksesin e Indisë në arritjen e marrëveshjes për një komunikatë të përbashkët.

Po, deklarata ishte sukses së pari për vetë ekzistencën e G20. Deklarata ishte e suksesshme për konsensusin e liderëve ndonëse zhgënjyese për Ukrainën.

Takimi i liderëve Kinë-Afrikë, 24 gusht 2023(Foto:Xinhua)

Takimi i liderëve Kinë-Afrikë, 24 gusht 2023, Johanesburg, Afrikë e Jugut(Foto:Xinhua)

Pavarësisht zhurmës rreth presidencës së G20 të Indisë, Deklarata e Nju Delhit duket se ka ripërsëritur Deklaratat e mëparshme të Liderëve të G20 me disa shtesa të parëndësishme.

Ndaj përtej këtij suksesi të trumbetuar, duke lexuar ndërmjet rrjeshtave të deklaratave individuale të liderëve të G20, kuptojme më shumë se çfarë përçoi në të vërtetë ky samit.

G20 e Indisë paraqiti politika konfrontuese ndaj Kinës 

Perëndimi ka treguar një qëndrim unifikues për disa divergjenca gjeopolitike, përfshirë ato midis Kinës dhe Indisë. Për fat të keq në këtë samit u promovua ndarja. Një mentalitet i tillë jo i shëndetshëm është armiku kryesor i mekanizmave të bashkëpunimit global.

Njoftimi i Presidentit Biden për korridoret e reja hekurudhore dhe të transportit që synojnë të lidhin Indinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën erdhi si një kundërmasë ndaj BRI-së. Ky njoftim erdhi pavarësisht faktit se shtetet anëtare kritike të G20-ës, përfshirë Brazilin, Argjentinën dhe Indonezinë, kanë zgjedhur të marrin pjesë në vizionin e Kinës për lidhjen Lindje-Perëndim përmes BRI-së për një botë më të begatë, të ndërlidhur dhe të globalizuar.

Në kontrast me qasjen amerikane për polarizimin dhe ndarjen, Kryeministri Li mbrojti zëvendësimin e grindjeve politike në forum dhe mbrojtjen kundër rreziqeve të rrëmbimit të mekanizmit shumëpalësh dikur konstruktiv nga disa vende. Shenja inkurajuese për G20 është diversifikimi, duke përfshirë rritjen e kontributeve nga shtetet në Afrikë, si dhe nga India dhe Kina, gjë që lejon perspektivat e ndryshme për sfidat zhvillimore të zbatohen.

Rreziku i realitetit është se problemet dhe sfidat globale vazhdojnë të intensifikohen, ndërkohë që në të njëjtën kohë, ndjenja e urgjencës dhe unitetit të botës për të kapërcyer vështirësitë, si dhe vullneti dhe aftësia e saj për t'u përballur me sfidat globale. Bota ka pritshmëri të mëdha nga G20 dhe shpreson të shohë një konsensus të rëndësishëm që vjen prej tij dhe disa veprime të përbashkëta të fillojnë këtu.

Por kush po e promovon përballjen e bllokut në arenën ndërkombëtare? Kush po minon bashkëpunimin global?

Fatkeqësisht, India është përpjekur të përfitojë nga roli i saj si mikpritëse e Samitit të G20 për të promovuar axhendën e saj dhe për të dëmtuar interesat e Kinës.

Kryeministri Narendra Modi – së bashku me SHBA-të po perdorin G20-tën për ta kundërshtuar Kinën në skenën botërore.

Megjithatë, llogaritjet e tepërta politike dhe konsideratat gjeopolitike të futura në axhendën e samitit të G20 kanë çuar në uljen e pritjeve nga vendet përkatëse dhe i kanë privuar komunitetit ndërkombëtar një mundësi për t'u përqëndruar në adresimin thelbësor të sfidave globale si krizat e ushqimit dhe energjisë.

Kina dhe India kanë pasur bashkëpunim të mirë në shumë fusha. Megjithatë, në vitet e fundit, India ka theksuar qëllimisht dallimet e saj me Kinën në fusha të tilla si qeverisja rajonale dhe globale, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm, me synimin për të margjinalizuar Kinën nga komuniteti Global i Jugut. Praktika e Nju Delhit për të minuar unitetin dhe bashkëpunimin e vendeve në zhvillim dhe për të forcuar veten duke nënçmuar vendet e tjera është absurde dhe delirante, aq sa dhe  ëndrra e Indisë për t'u bërë një fuqi e madhe në kurriz të Kinës.

Korridori ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjatë samitit të G20 të mbajtur në Nju Delhi, u shpalos një zhvillim i rëndësishëm pasi Shtetet e Bashkuara. Në një ngjarje të bashkëorganizuar nga Presidenti Biden dhe Kryeministri Modi, Presidenti Biden dhe partnerët njoftuan një Korridor ekonomik historik Indi-Lindje e Mesme-Evropë që do të sjellë një epokë të re të lidhjes nga Evropa në Azi, duke lehtësuar tregtinë globale, si dhe bashkëpunimin për energjinë dhe lidhjen dixhitale. Presidenti u bëri thirrje partnerëve që të përdorin kapitalin publik për të shfrytëzuar strategjikisht ekspertizën dhe financimin e sektorit privat për të ndihmuar në sigurimin dhe diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit me energji të shekullit të 21-të, zgjerimin e lidhjes dixhitale, rritjen e aksesit në energji elektrike, forcimin e sigurisë ushqimore dhe forcimin e sistemeve shëndetësore.

Deri këtu, nuk përbën asnjë problem ky projekt, madje ishte e pritshme një ndërmarrje ekonomike në këtë grupim ku janë 20 ekonomitë më të mëdha të botës.

Por, trajtimi që u bë nga Administrata Biden si një alternativë ndaj Iniciativës “Brez dhe Rrugë” të Kinës, e kompromenton që në zanafillën e saj jo vetëm projektin e lançuar por dhe vetë strukturën e G20.

Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare të Bidenit, tha se ky projekt pasqyron vizionin e presidentit amerikan për "investime të gjera" që vijnë nga "udhëheqja efektive amerikane" dhe një gatishmëri për të përqafuar kombet e tjera si partnerë.

Sullivan tha se infrastruktura e përmirësuar do të nxisë rritjen ekonomike, do të ndihmojë në bashkimin e vendeve në Lindjen e Mesme dhe do ta kthejë këtë rajon në një qendër për aktivitetin ekonomik, në vend që të jetë një "burim sfidash, konflikti apo krize" siç ka qenë vitet e fundit.

Ky përfaqëson një sukses për Uashingtonin, i cili, së bashku me Brukselin, është përballur me sfidën për të paraqitur një alternativë të qëndrueshme ndaj BRI-së.

Objektivi amerikan nga IMEC është të ndryshojë trajektoren në Gjirin Persik, duke e transformuar atë nga një strukturë hierarkike e dyfishtë ku Shtetet e Bashkuara janë partneri dominues i sigurisë dhe Kina është partneri dominues ekonomik, duke e sjellë Indinë në përzierjen gjeopolitike dhe ekonomike.

Duket se Uashingtoni është i etur për të transformuar G20 në një "fushë beteje" për të konkurruar me Kinën për ndikim dhe për të rritur udhëheqjen globale të SHBA.

Samiti i G20 të 9-10 shtatorit 2023, si duket kishte qellim të frenojë Kinën.

Korridori Ekonomik Indi-Lindje të Mesme-Evropë  si kundërvënie e Iniciativës “Brez dhe Rrugë”

Projekti shumëkombësh hekurudhor dhe i transportit detar që lidh Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën që u njoftua në nisje të samitit të G20 në Nju-Delhi shihet si një sfidë ndaj partneritetit ekonomik të Kinës në rajon dhe gjithashtu  si një alternativë e projektit kinez “Brez dhe Rrugë".

Madje pak përpara samitit në mediat perëndimore u theksua fakti se një ndryshim i mundshëm i lojës për tregtinë globale do të shpallet në samitin e Grupit 20.

Lojë ndaj kujt?

Asgjë nuk është rastësore. Aq më shumë në dekadën e parë të Iniciativës kineze “Brez dhe Rrugë”.

Ky vit shënon 10 vjetorin e Iniciativës Brez dhe Rrugë (BRI). Në shtator 2013, presidenti kinez Xi Jinping propozoi ndërtimin e një "Rripi Ekonomik përgjatë Rrugës së Mëndafshit" në Universitetin Nazarbayev në Astana, Kazakistan. Ishte hera e parë që u propozua Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI).

Ndërsa Kina po kremton 10 vjetorin “ Nje Brez një Rrugë", me një bilanc pozitiv në dekadën e  parë të saj, në samitin e G20 u prezantua Korridori i ri Ekonomik, ku Italia, anëtare e G20, paraqiti menjëherë disponibilitetin e saj nëpërmjet Kryeminstres Meloni për t'iu bashkuar këtij projekti, një nismë e udhëhequr nga Perëndimi për financimin e projekteve të infrastrukturës në gjithë botën.

Përmend Italine në veçanti, pasi ajo është ende pjesë e Inicitives kineze  “Brez dhe Rrugë”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duhet thënë se kohët e fundit Italia është gjendur nën presionin e daljes së saj nga kjo nismë. Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni ka thënë hapur se po shqyrton daljen nga marrëveshja e nënshkruar me Kinën në vitin 2019 duke u bërë vendi i parë i G7 që i bashkohej Iniciativës "Brez dhe Rrugë", projekti më i madh i infrastrukturës globale.

Nëse vërtetë Italia ndërmerr këtë hap për daljen  nga nisma kineze, për të vijuar me projektin e   Nju Delhit dhe SHBA-së, atëherë duket qartë se kjo nismë ekonomike e trumbetuar nga SHBA dhe India, është në fakt një nisme gjeopolitike që tenton minimin e Rrugës së Mëndafshit.

Por jo vetëm iniciativat e Pekinit, por rrezikon të minoje vetë shtyllat kryesore të G20-tës.

Marrëdhëniet SHBA-KINË me rendësi globale

Përpos tensioneve, uljeve e ngritjeve në marrëdhëniet bilateriale Kinë-SHBA, mbetet domosdoshmëri stabilizimi  i këtyre marrëdhënieve. Dy ekonomitë më të mëdha në botë duhet të përmirësojne lidhjet tregtare dhe ekonomike në të ardhmen e afërt. Kjo realizohet atëherë kur rritja ekonomike e palës tjetër nuk shihet si rrezikshmëri.

Një shembulll konkret është Kina. Ndonëse i gjithë samiti i G20 në Indi, ishte një tentativë për të minuar iniciativat kineze globale, sërish Kina u tregua e  hapur për bashkepunim.

Kina mirëpret të gjitha iniciativat që ndihmojnë me të vërtetë vendet në zhvillim të ndërtojnë infrastrukturë dhe përpjekje të sinqerta për të promovuar lidhjen dhe zhvillimin e përbashkët, tha Ministria e Jashtme kineze.

"Në të njëjtën kohë, ne mbrojmë që iniciativat e ndryshme të lidhjes duhet të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse dhe të formojnë sinergji dhe nuk duhet të bëhen mjete gjeopolitike," theksoi ministria

Kur flasim rritjen ekonomike të Kines, duhet të tregohemi se paku transparent, duke treguar disa fakte.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së pari, Ekonomia kineze ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rimëkëmbjen e Perëndimit dhe ekonomisë globale. Raportet e Bankës Botërore tregojnë se nga viti 2013 deri në vitin 2021, norma mesatare e kontributit të Kinës në rritjen ekonomike botërore arriti në 38.6 për qind.

Se dyti, Kina nuk ka kërkuar kurrë të konkurrojë me SHBA-në për hegjemoninë. "Mos kërkimi i hegjemonisë" është thelbi i zhvillimit paqësor të Kinës. Kina ndjek zhvillimin e përbashkët. Ekonomitë në zhvillim midis anëtarëve të G20-ës ndajnë gjithashtu të njëjtin synim si Kina.

Kina ka marrë një pjesë aktive në ndërtimin dhe reformimin e sistemit tregtar global duke marrë pjesë në mekanizmat e bashkëpunimit tregtar shumëpalësh si Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor dhe Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal. Gjithashtu, Kina ka promovuar në mënyrë aktive bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet dhe rajonet përgjatë rrugëve të Iniciativës "Brez dhe Rrugë".

Kina është një realitet ekonomik dhe global, që nuk kërkon të zëvendësojë asnjë fuqi tjetër, por që meriton të respektohet si një fuqi globale.

G20 (që përfshin 19 nga ekonomitë më të mëdha në botë, plus BE-në) si grupimi i vetëm me legjitimitet për të ofruar zgjidhje vërtet globale për problemet globale, tregoi se bashkëpunimi ndërkombëtar po zbehet.

G20 tregoi qartë  ambiciet e Indisë për tu bërë Zëri i Jugut Global, ndërsa për SHBA-të të kenë nën kontroll Kinën dhe rritjen e saj ekonomike nëpërmjet korridorit të ri të lançuar në G20.

Kjo sjell vetëm përçarje dhe përplasje brenda familjes së madhe të G20 së pari  dhe më pas brenda familjes së madhe globale.

Në këtë paqartësi të situatës gjeopolitike dhe ekonomike, fuqitë e mëdha nuk duhet të ndërtojnë mure por të ndërtojnë ura  bashkëpunimi për të çuar përpara prosperitetin e përbashkët global, sikundër ishte dhe tema e këtij samiti; "Një tokë, një familje, një të ardhme".