Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani (Foto ATSh)
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, drejtoi në Nju Jork Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë mbi “Nxitjen e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare”, një iniciativë e Shqipërisë.
“Bota po përballet me një nivel të paprecedentë nevojash humanitare të nxitura nga shumë faktorë, duke përfshirë varfërinë, paqëndrueshmërinë, konfliktin dhe ndryshimet klimaterike.
Pavarësisht angazhimit dhe bujarisë së vazhdueshme nga një sërë donatorësh besnikë, përvoja ka treguar se miliona njerëz, në pjesë të ndryshme të botës, mbeten ende pa mbështetjen e duhur. Raportet tregojnë se rreth 300 milionë njerëz janë në nevojë të madhe dhe shumë prej tyre zgjohen duke mos ditur nëse dhe kur do të hanë vaktin e tyre të ardhshëm. Ne nuk mund dhe nuk duhet t’i lëmë ata në baltë”,- deklaroi kryediplomati shqiptar, citon “ATSH”.
Sipas tij, në një situatë humanitare kaq komplekse dhe gjithnjë në zhvillim, bashkëpunimi me sektorin privat është bërë jetik. Ai theksoi se ky nuk është një opsion, është një domosdoshmëri.
Fëmijë afganë(Foto:VCG)
“Jemi të mendimit se sektori privat mund të sjellë burime shtesë, por edhe ekspertizë, teknologji, kërkim dhe zhvillim, si dhe aftësi operacionale për të arritur një reagim ndërkombëtar më efektiv dhe më produktiv”, tha ministri Hasani.
Ai nënvizoi se debati i hapur synon të identifikojë rrugët dhe mënyrat për të forcuar rolin e sektorit privat dhe për të shfrytëzuar potencialin e tyre në operacionet e reagimit; të avancojë zgjidhjet e partneritetit publik-privat për t’iu përgjigjur nevojave emergjente dhe në këtë mënyrë, të promovojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Hasani gjithashtu njoftoi krijimin e Aleancës Humanitare të Sektorit Privat, si një organ koordinues për t’iu përgjigjur krizave humanitare që do të shërbejë si një pikë unike hyrëse për sektorin privat në arkitekturën humanitare, përfshirë OKB-në.
Një i moshuar refugjat në Jemen(Foto:VCG)
“Nëpërmjet Aleancës, ne synojmë të angazhojmë korporata dhe filantropi, së bashku me agjencitë kryesore të OKB-së dhe shoqërinë civile, për të shënuar dhe mbledhur të gjithë përshtypjet dhe komentet mbi boshllëqet kryesore dhe fushat për përmirësim në reagimin ndaj krizave, duke eksploruar mekanizmat e mundshëm për të zyrtarizuar rolin e korporatave dhe filantropive në ekosistemin e reagimit ndaj krizës, për të përmirësuar përdorimin e burimeve dhe rritur përpjekjet për reagim”, u shpreh ai. (Irma)