Banka Qendrore Evropiane rrit normat e interesit në 4%
2023-09-16 11:36:22

 Foto:VCG

Foto:VCG

Banka Qendrore Evropiane rriti sërish normën e interesit me 25 pikë përqindje në 4%, niveli më i lartë që nga fillimi i monedhës euro në vitin 1999.

“Inflacioni vazhdon të bjerë, por ende pritet të mbetet shumë i lartë për një kohë të gjatë. Këshilli Drejtues është i vendosur të sigurojë që inflacioni të kthehet në objektivin e tij afatmesëm prej 2% në kohën e duhur. Për të përforcuar progresin drejt objektivit të tij, Këshilli Drejtues vendosi të rrisë tre normat kryesore të interesit të BQE-së me 25 pikë bazë”, thuhet në njoftimin e BQE-së, përcjell “Panorama”.

BQE-ja la të kuptohet se mund mos të ketë më nevojë të rrisë më tej normat, megjithëse bëri të ditur se mbetet e varur nga të dhënat.

“Normat kryesore të interesit të BQE-së kanë arritur nivele që, të mbajtura për një kohëzgjatje mjaft të gjatë, do të japin një kontribut të konsiderueshëm në kthimin në kohë të inflacionit në objektiv. Këshilli Drejtues do të vazhdojë të ndjekë një qasje të varur nga të dhënat për të përcaktuar nivelin e duhur dhe kohëzgjatjen e kufizimit”, thuhet në vendim.

Norma e inflacionit në Eurozonë qëndron në 5.3%, ende shumë larg mbi objektivin prej 2% të BQE-së. Edhe pse ka rënë nga kulmi prej 10.6% në tetor, parashikohet të vijojë në këto nivele për disa kohë.

Komisioni Europian në fillim të kësaj jave uli parashikimet për zgjerimin ekonomik dhe njoftoi se inflacioni do të vazhdojë të jetë mesatarisht më shumë se 3% në vitin 2024. (Irma)