Ushqimi i shëndetshëm dhe mjedisi urban, me rëndësi kundër obezitetit te të miturit në Kinë
2023-09-16 11:50:45

 Foto:VCG

Foto:VCG

Ushqimi i shëndetshëm dhe mjedisi urban janë të një rëndësie të madhe për Kinën për të frenuar përhapjen e mbipeshës dhe obezitetit midis fëmijëve dhe adoleshentëve, deklaroi Li Ning, ekspert i sigurisë ushqimore, gjatë një simpoziumi të mbajtur në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore, mbi ndikimin e mjedisit urban në shëndetin e të miturve, citon “Xinhua”.

Shkalla e mbipeshës dhe obezitetit ishte rritur në 19 për qind në mesin e popullsisë së moshës nga 6 deri në 17 vjeç, tregojnë të dhënat e vitit 2022, që do të thotë se afërsisht një në çdo pesë fëmijë dhe adoleshent jeton me problemin shëndetësor në vend. Shifra ishte 18 për qind në vitin 2015.

Kina është zotuar të vërë nën kontroll tendencën në rritje të mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët përmes një programi kombëtar për zhvillimin e fëmijëve deri në vitin 2030.

Ekspertët në simpozium i bënë thirrje publikut që të reduktojë konsumin e kripës, vajit ushqimor dhe sheqerit në dietat e tyre dhe gjatë gatimit të tyre dhe të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë konceptin e të jetuarit të një jete të shëndetshme.

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjatë viteve të fundit, Kina ka rregulluar sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e të ushqyerit në shkolla, ka kryer plane për parandalimin e obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët dhe ka nxjerrë udhëzime dietike për fëmijët e moshës shkollore, mes përpjekjeve për të përmirësuar dietën dhe ushqimin e fëmijëve.

Iniciativa për Kinën e Shëndoshë (2019-2030), një dokument kombëtar për përmirësimin e shëndetit të popullsisë, këshilloi fëmijët dhe adoleshentët të zotërojnë aftësitë e përzgjedhjes së ushqimit dhe krijimit të recetave të balancuara, të hanë mëngjes çdo ditë dhe të zgjedhin frutat, arrat ose kosin si ushqime mes dy vakteve.

Ndërsa theksoi se parandalimi i obezitetit është një sfidë globale dhe kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, Tian Jianxin, një ekspert i sigurisë ushqimore në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, tha se Kina do të vazhdojë të përmirësojë politikat dhe rregulloret e saj, si dhe do të zhvillojë mënyra dhe përmbajtje të reja për të rritur ndërgjegjësimin publik.

Foto:VCG

Foto:VCG

Simpoziumi u bashkorganizua nga Qendra Kombëtare e Kinës për Vlerësimin e Rrezikut të Sigurisë Ushqimore, Shoqata Kineze e Ushqyerjes dhe UNICEF-i në Kinë. (Irma)