Mbi 11 mijë viktima në Libi nga përmbytjet prej stuhisë “Daniel”
2023-09-16 11:56:34

 

Libia pas përmbytjeve(Foto:VCG)

Derna pas përmbytjeve(Foto:VCG)

Numri i të vdekurve në qytetin bregdetar Derna të Libisë ka shkuar në 11.300 ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e të mbijetuarve pas përmbytjeve masive të shkaktuara nga çarja e dy digave për shkak të shirave të dendur nga kalimi i stuhisë “Daniel”, shkruan “Panorama”.

Marie el-Drese, sekretarja e përgjithshme e Gjysmëhënës së Kuqe të Libisë, tha për “Associated Press” se rreth 10.100 persona raportohen të zhdukur në këtë qytet.

Stuhia vdekjeprurëse në Derna mbrëmjen e së dielës, që u mori jetën mijëra njerëzve, vuri në pah dobësitë e vendit të pasur me naftë që është në konflikt që pas kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi diktatorin Moammar Gadafi.

Derna pas përmbytjeve(Foto:VCG)

Stuhia “Daniel” shkaktoi përmbytje vdekjeprurëse në të gjithë Libinë lindore, por më e goditura ishte Derna.

Ndërsa stuhia goditi bregdetin, banorët thanë se dëgjuan shpërthime të forta kur dy diga jashtë qytetit u shembën.

Përmbytjet shpërthyen në Wadi Derna, një luginë që përshkon qytetin, duke u përplasur nëpër ndërtesa dhe duke i hedhur njerëzit në det. (Irma)