Foto: Li Xi, përfaqësuesi special i presidentit kinez Xi Jinping, flet në Samitin e Grupit 77 plus Kinë në Havana, Kubë, 15 shtator, 2023. /Xinhua
Li Xi, një anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, tha të premten se Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e Grupit 77 (G77) për të hapur një kapitull të ri në bashkëpunim Jug-Jug për të realizuar një zhvillim të përbashkët.
Li i bëri këto komente në Samitin e Grupit 77 plus Kinë të zhvilluar në Havana të Kubës si përfaqësues special i presidentit kinez Xi Jinping. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Kinës për të punuar me anëtarët e G77-ës për të ndërtuar një komunitet me fate të përbashkëta të Jugut global.
Sipas tij, bota po përjeton ndryshime në një shkallë të paparë gjatë shekullit të fundit, ku vendet në zhvillim po bëhen më të forta dhe bashkëpunimi Jug-Jug po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ruajtjen e vrullit të rritjes kolektive të vendeve në zhvillim dhe nxitjen e rritjes së vazhdueshme ekonomike globale.
"Megjithatë, në të njëjtën kohë, unilateralizmi dhe hegjemonizmi ende tentojnë të mbizotërojnë. Disa vende po përdorin praktika të tilla si sanksionet e njëanshme, shkëputja dhe ndërprerja e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, duke dëmtuar seriozisht të drejtat, interesat dhe hapësirat legjitime të zhvillimit të vendeve në zhvillim,” - tha Li, i cili theksoi se vendet në zhvillim
po presin gjerësisht të rrisin solidaritetin dhe bashkëpunimin dhe të bëjnë përpjekje për ta bërë qeverisjen globale më të drejtë dhe më të barabartë.
Ai paraqiti një propozim trepikësh në lidhje me bashkëpunimin midis G77-ës dhe Kinës, duke u bërë thirrje anëtarëve të grupit t'i qëndrojnë besnikë aspiratës origjinale të G77-ës për pavarësi dhe forcë më të madhe kolektive përmes bashkimit. Ai inkurajoi gjithashtu mbrojtjen e barazisë, drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes, duke apeluar për këmbëngulje në zhvillimin dhe bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë.
Foto:VCG
"Ne duhet të krijojmë motorë të rinj zhvillimi, duke u fokusuar te bashkëpunimi në fushat e sigurisë ushqimore, zbutjes së varfërisë, industrializimit, zhvillimit të gjelbër, teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale," - tha Li, duke shtuar gjithashtu se duhet të bëhen përpjekje për të siguruar që të gjitha vendet në mënyrë të barabartë të përfitojnë nga dividentët digjitalë dhe asnjë vend në zhvillim të mos mbetet mbrapa apo lënë jashtë procesit të zhvillimit të teknologjive dhe industrive të reja.
"Kina është vendi më i madh në zhvillim në botë. Pavarësisht se në çfarë faze zhvillimi arrin, Kina do të jetë gjithmonë pjesë e botës në zhvillim dhe një anëtare e Jugut global," - tha ai, duke theksuar se bashkëpunimi Jug-Jug është gjithmonë përparësi e Kinës në zhvillimin e bashkëpunimit me vendet e tjera.
Li tha se Kina do të vazhdojë të mbajë komunikim dhe koordinim të ngushtë me anëtarët e G77-ës në mënyrë që të optimizojë shpërndarjen e burimeve të zhvillimit, të thellojë bashkëpunimin Jug-Jug, të sigurojë përdorimin efikas të mekanizmave të produkteve publike si nisma “Një brez, një rrugë”, Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global, duke zvogëluar hendekun e zhvillimit dhe zgjidhur problemet gjatë zhvillimit.
Në mes të tetorit, Kina do të organizojë Forumin e 3-të të Bashkëpunimit “Një brez, një rrugë” në Pekin. "Ju mirëpresim në Forum dhe pjesëmarrjen tuaj të ardhshme në këtë iniciativë drejt zhvillimit më të madh." - tha Li.
Foto:VCG
"Për sa kohë që ne i përshtatemi kohërave në ndryshim, forcojmë solidaritetin, miqësinë dhe bashkëpunimin dhe i japim njëri-tjetrit mbështetje në ndjekjen e një rruge drejt modernizimit që i përshtatet kushteve dhe karakteristikave përkatëse kombëtare, me siguri do të jemi në gjendje të mbrojmë më mirë interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim, duke luajtur një rol më të madh në qeverisjen globale dhe arritur zhvillim e lulëzim të përbashkët.” - tha Li.