Ambasada kineze në Mbretërinë e Bashkuar dënoi ashpër të premten ngritjen e akuzave për të ashtuquajturit "spiunë kinezë" nga pala britanike.
Foto:VCG
"Akuzat e të ashtuquajturve "spiunë kinezë" të ngritura nga pala e Mbretërisë së Bashkuar janë një farsë e inskenuar, e cila është krejtësisht e pabazë. Ne kemi bërë një demarsh serioz ndaj palës së Mbretërisë së Bashkuar dhe e dënojmë me forcë." – tha një zëdhënës i ambasadës në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me raportet në mediat britanike pas diskutimit në parlamentin britanik për të ashtuquajturit "spiunë kinezë".
"Kjo tregon jo vetëm se disa politikanë britanikë kanë arritur në një pikë histerie, por edhe se sa skandalozë janë bërë kur bëhet fjalë për Kinën. Shpifjet dhe akuzat e tyre të pabaza kundër Kinës duken më shumë si një mbulim i paaftësisë dhe dështimit të tyre në zgjidhjen e problemeve të brendshme në fushat politike, ekonomike dhe sociale, duke synuar ta devijojnë vëmendjen e publikut.” - tha zëdhënësi.
Marrëdhëniet Kinë-Britani duhet të ndërtohen mbi parimet e respektit të ndërsjellë, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njera-tjetrës, barazisë dhe përfitimit reciprok, tha zëdhënësi. "Dëshiroj t'ia bëj të qartë palës britanike se Kina nuk do t'i pranojë kurrë sulmet dhe shpifjet e saj të pabaza. Nëse Britania e Madhe dëshiron të bashkëpunojë me Kinën, ajo duhet ta ndalojë menjëherë këtë farsë politike, e cila madje është e urryer nga njerëzit këtu në vendin e saj.” - shtoi zëdhënësi.
Sunday Times zbuloi kohët e fundit se policia e Mbretërisë së Bashkuar kishte arrestuar dy persona në mars, duke përfshirë një studiues parlamentar, i cili u akuzua për spiunazh për Kinën. Në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e tij, i akuzuari tha se është "plotësisht i pafajshëm" dhe ndihej "i detyruar t'i përgjigjet" akuzave.
Raporti ngjalli diskutime brenda parlamentit britanik për të ashtuquajturit "spiunë kinezë". Në përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning hodhi poshtë akuzat për spiunazh në fillim të kësaj jave, duke i quajtur ato një "manipulim politik" dhe "shpifje keqdashëse".(Zhang Yan/Edmond)