Kina dhe fqinjët synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin e biznesit
2023-09-15 14:49:58

Foto nga CFP

Foto nga CFP

“Foodnamoo Inc”, një prodhues koreano-jugor i produkteve të paketuara të mishit, pritet të zhvillojë biznes në Kinë. Për këtë arsye po kërkon partnerë për t'u zgjeruar edhe përtej kufijve të Kinës në skenën globale.

Kim Young-mun, CEO i “Foodnamoo”, prezantoi kompaninë në Forumin e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit të Sipërmarrësve të Rinj të Azisë Verilindore në Changchun, provincën Jilin, muajin e kaluar, si dhe nisjen e ardhshme të platformës së tregtisë elektronike Rankingdak.com në Kinë.

Si platforma kryesore e Koresë së Jugut për dietat dhe ushqimin e shëndetshëm, ajo ka 2.8 milionë anëtarë me 21,000 produkte në ofertë, tha Kim.

Me një sy në zgjerimin e gjurmës së saj në Kinë, kompania e fokusuar te industria e ushqimit ka krijuar një rrjet të shumanshëm.

Ajo po punon për hyrjen në tregun kinez nëpërmjet bashkëpunimit me “Wing Yip Food Holdings”, një kompani kineze e përpunimit të mishit dhe prodhimit të ushqimit.

Të dy entitetet nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme biznesi në 2019-n, duke krijuar një filial shitjesh të sipërmarrjes së përbashkët në provincën Guangdong.

Njësia po përgatitet për lançimin e produkteve inovative ushqimore të përshtatshme për shëndetin, me planin për të dalë në tregun kinez më vonë këtë vit.

“Foodnamoo” gjithashtu shpreson të bashkëpunojë me partnerë të ndryshëm shitjesh, tha Park Jae-keun nga Komiteti Kombëtar i Rinisë të Partisë Demokratike të Koresë.

Motori rus i kërkimit “Yandex” pret gjithashtu të sjellë më shumë produkte kineze në tregun rus, tha për “China Daily” drejtori i projektit të Azi-Paqësorit, Egor Andreev.

Kompania e internetit do të donte të ndihmonte ndërmarrjet kineze të hyjnë me sukses në tregun rus, duke promovuar produktet e tyre me ndihmën e shërbimeve të saj reklamuese, tha Andreev.

Gjiganti i prodhimit të çelikut “Posco Group” pret të angazhohet në shkëmbime të gjera dhe bashkëpunim me më shumë sipërmarrës të rinj nga Azia Verilindore në një përpjekje për të krijuar mundësi bashkëpunimi.

Kompania koreano-jugore ka shfrytëzuar themelin e saj të çelikut dhe është zgjeruar në sektorë të tillë si makinat, ndërtimi dhe hidrogjeni, tha zëvendëspresidenti i “Posco-China Holding Corp”, Cui Wenhao.

Qasje të tilla të larmishme të industrisë kanë lehtësuar përmirësimet operacionale dhe grupi do të rinovojë shumë sektorë, duke përfshirë materialet e baterive dytësore, litiumin, energjinë dhe infrastrukturën.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis vendeve të Azisë Verilindore, Cui tha se gjashtë vendet në rajon janë në faza të ndryshme zhvillimi, por të gjitha janë të përkushtuara për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të tyre.

Tregtia e Kinës me pesë vendet e tjera të Azisë Verilindore arriti në 923.2 miliardë dollarë në vitin 2022, një rritje prej 3.8 për qind nga viti në vit. Vëllimi tregtar forcoi më tej statusin e këtyre vendeve si partnerë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë.

Strukturat tregtare brenda rajonit po përmirësohen, gjë që tregohet nga përqindja në rritje e makinerive dhe elektronikës, si dhe e mallrave të teknologjisë së lartë, shtoi Cui.

Kështu, ekziston një perspektivë optimiste për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe shkallës së bashkëpunimit tregtar dhe investues brenda Azisë Verilindore.

Kjo përfshin lehtësimin e bashkëpunimit me ndërmarrjet e huaja, shfrytëzimin e avantazheve të tyre të veçanta gjeografike dhe maksimizimin e fuqive të tyre industriale.

Arritja e niveleve të larta të hapjes mund të stimulojë zhvillimin industrial dhe ekonomik, duke injektuar më shumë vrull në rritjen dhe rigjallërimin e Azisë Verilindore, tha Cui.

Qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe Kinës u rrit ndjeshëm në vitin 2022, pasi konsumatorët rusë po zbulojnë gjithnjë e më shumë produkte kineze cilësore – trendi duhet të vazhdojë për vitet në vijim, tha Andreev.

Qeveritë brenda rajonit duhet të lehtësojnë një tregti të tillë dhe të ofrojnë një klimë të favorshme biznesi për të lejuar mallrat, investimet dhe specialistët e talentuar të lëvizin lehtësisht përtej kufijve, shtoi ai.

Park tha se shpresonte se shkëmbimet dinamike midis sipërmarrësve të rinj do të nxisin rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit midis bizneseve në Korenë e Jugut dhe Kinë, duke ushtruar kështu një ndikim pozitiv në partneritetet ekonomike.

Përpjekja është për të forcuar bashkëpunimin dypalësh, duke lehtësuar një eksplorim të përbashkët të perspektivave të reja ekonomike, shtoi Park.

Lidhur me fushat e mundshme të bashkëpunimit midis sipërmarrësve të rinj, Cui tha se zhurma e fundit rreth metaverses, ChatGPT, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera të reja do t'u sigurojë sipërmarrësve të rinj perspektiva më të gjera zhvillimi në të ardhmen.

Duke parë peizazhin global, rajoni i Azisë Verilindore shquhet si një qendër e bashkëpunimit të gjallë, e nxitur nga bashkëpunimi inovativ midis sipërmarrësve të rinj.

Mendjet e reja me iniciativë të rajonit kanë treguar guximin për të thyer kufijtë, duke arritur përparime në eksplorimin teknologjik dhe risitë e reja të modeleve të biznesit.

Park tha se bashkëpunimi midis sipërmarrësve të rinj mbulon fusha të ndryshme pasi Azia Verilindore ka burime të ndryshme ekonomike dhe potencial tregu.

Sektorët përfshijnë teknologjinë e informacionit, bioteknologjinë dhe energjinë e rinovueshme, duke synuar nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit të ri.

Për më tepër, ka mundësi për bashkëpunim në zgjerimin e rrjeteve rajonale të logjistikës dhe shpërndarjes, si dhe në promovimin e shkëmbimeve kulturore dhe krijuese.