Studimi: Një mënyrë jetese e shëndetshme mund të parandalojë depresionin
2023-09-15 11:32:27

Foto nga VCG

Respektimi i një stili jetese të shëndetshëm mund të ndihmojë në parandalimin e depresionit, thuhet në një studim të përgatitur nga ekspertë kineze dhe britanikë, i publikuar në revistën “Nature Mental Health”.

Sipas studimit, konsumi i moderuar i alkoolit, dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi i mjaftueshëm, heqja dorë nga pirja e duhanit, sjelljet e kufizuara sedentare dhe lidhjet e shpeshta shoqërore, janë të lidhur me një rrezik më të ulët të depresionit, citon “Xinhua”.

Studimi u krye së bashku nga një ekip ndërkombëtar studiuesish nga institute të shumta duke përfshirë Universitetin Fudan të Kinës dhe Universitetin e Kembrixhit në Britani.

Ekipi identifikoi shtatë faktorë të stilit të jetesës së shëndetshme duke analizuar të dhënat e mbledhura nga rreth 290.000 individë nga “Biobank” në Britani, një bazë të dhënash biomjekësore në shkallë të gjerë dhe burim kërkimi. Sipas gjetjeve të hulumtimit, ndër shtatë faktorët, 7-9 orë gjumë në natë ka ndikimin më të rëndësishëm, duke ulur rrezikun e depresionit me 22 për qind. Ajo ndiqet nga heqja dorë nga pirja e duhanit, e cila ul rrezikun me 20 për qind; mbajtja e lidhjeve të shpeshta sociale ul rrezikun me 18 për qind, përfshirja në aktivitet fizik të rregullt me 14 për qind, konsumimi i moderuar i alkoolit me 11 për qind dhe pasja e një diete të shëndetshme me 6 për qind.

Hulumtimi gjithashtu vuri në dukje se struktura e trurit, mekanizmat imunometabolikë dhe gjenetikë mund të shpjegojnë lidhjen midis stilit të jetesës dhe depresionit. (Irma)