Foto nga VCG
Një numër rekord azilkërkuesish zbarkuan në Lampedusa të Italisë midis të martës dhe të mërkurës. Sipas burimeve qeveritare, rreth 6800 emigrantë mbërritën brenda një harku kohor 24 orësh, shkruan “Xinhua”.
Sipas mediave vendase, numri i mbërritjeve në një periudhë të vetme 24-orëshe ishte më i larti i regjistruar ndonjëherë për Lampedusa-n, duke tejkaluar vitet 2015 dhe 2016 kur mbërritjet vjetore të emigrantëve në Itali vendosën rekorde të të gjitha kohërave.
Refugjatët mbërritën me një flotilje prej më shumë se 100 varkash, shumë prej të cilave mezi mund të lundroheshin. Një foshnjë pesë muajshe u mbyt gjatë një operacioni shpëtimi.
Gjermania njoftoi se do të ndalonte pjesëmarrjen e saj në planin e solidaritetit vullnetar të Bashkimit Evropian për pritjen e emigrantëve nga Italia, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi Italinë.
Pati gjithashtu një protestë kundër azilkërkuesve të mundshëm që po ndaloheshin në zonën e portit të Lampedusa-s. Rreth 1500 emigrantë u transportuan në zona të tjera qëndrimi, por, gjithsesi personat e mbetur në Lampedusa vështirësuan punën e autoriteteve.
Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Italia priti më shumë se 180.000 azilkërkues të mundshëm në vitin 2016. Të dhënat e UNHCR-së tregojnë se këtë vit, deri të dielën, më shumë se 115.000 refugjatë kishin zbritur në brigjet italiane.
Të mërkurën, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka lobuar që vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian të marrin pjesë më shumë në ndarjen e barrës së emigrimit, tha se sfida më e madhe ishte parandalimi i emigrantëve që të mbërrinin në brigjet evropiane. (Irma)