Parlamenti bullgar heq ndalimin e importit të grurit ukrainas
2023-09-15 15:27:15

Foto nga VCG

Parlamenti bullgar votoi për heqjen e ndalimit të importit të grurit ukrainas, duke ndarë rrugët me vende si Polonia dhe Hungaria, të cilat synojnë të vazhdojnë të zbatojnë embargon për mbrojtjen e tregjeve të tyre.

“Shumica pro perëndimore në parlament e mbështeti masën, duke siguruar 124 vota pro nga 240 anëtarët, dhe tetë abstenime”, njoftoi agjencia e lajmeve “BTA”, citon “ATSH”.

Bashkimi Evropian ka lejuar anëtarët lindorë të mbrojnë tregjet e tyre duke ndaluar importin e grurit të lirë ukrainas për një periudhë të kufizuar. Afati i këtij koncesioni përfundon sot.

Ministri hungarez i Bujqësisë, Istvan Nagy, njoftoi se vendi i tij do të vendosë në mënyrë autonome një bllok importi për grurin, misrin, farat dhe lulediellin ukrainas, nëse BE-ja nuk e zgjat afatin e koncesionit.

Çështja ka fituar rëndësi qëkur Rusia u tërhoq në korrik nga marrëveshja për të lejuar eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet porteve të Detit të Zi.

Rusia po kërkon lehtësimin e kufizimeve për eksportet e saj bujqësore përpara se të bjerë dakord për rinovimin e marrëveshjes. (Irma)