Foto nga VCG
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha të premten se dega në qytetin Sent-Luis të shtetit të Misurit e kompanisë "Lockheed Martin" ishte kontraktorja kryesore e shitjes së armëve amerikane Tajvanit më 24 gusht, ndërsa kompania tjetër "Northrop Grumman" ka marrë pjesë në shumë raste në shitjen e armëve Tajvanit. Për këtë arsye, në përputhje me "Ligjin e sanksioneve kundër të huajve" të Republikës Popullore të Kinës, Kina ka vendosur të ushtrojë sanksione ndaj këtyre dy kompanive ushtarake amerikane për shitjen e armëve Tajvanit.
Foto nga VCG
Në konferencën e rregullt për shtypin të Ministrisë së Jashtme atë ditë, Mao Ning theksoi në përgjigje të pyetjeve përkatëse se qeveria amerikane e shpërfilli kundërshtimin e vendosur të Kinës dhe këmbënguli për t'i ofruar armë rajonit të Tajvanit të Kinës, duke shkelur rëndë parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, si edhe të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke cenuar seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe duke ecur gjithnjë e më tej në rrugën e gabuar e të rrezikshme të armatosjes së Tajvanit.
Foto nga VCG
"Qeveria kineze është e palëkundur në vendosmërinë e saj për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara që të respektojnë parimin e 'Një Kine' dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, të ndalojnë shitjen e armëve Tajvanit dhe marrëveshjet e fshehta ushtarake me Tajvanin, si edhe të ndërpresin armatosjen e Tajvanit, përndryshe, do të ndeshen me përgjigjen e vendosur dhe të fuqishme të Kinës," theksoi zëdhënësja.