Ftesa e festivalit (Foto News in)
Edicioni i 10-të i Koko Fest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë u mbyll me sukses në qytetin e Korçës. Për 8 netë publiku përjetoi të qeshura dhe emocione të jashtëzakonshme nga 8 shfaqje të trupave teatrale nga brenda dhe jashtë vendit. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë realizohet prej 10 vjetësh në qytetin e Korçës, duke sjellë për publikun veprat më të bukura të komedisë. Shfaqjet si “Certifikata e martesës”, “Një dasmë e hatashme” ,”Ylli pa emër” ,”Tatuazhi i trëndafilit”, “Allo Allo”,etj nga 2 deri më 9 shtator shpalosën talentin e artistëve të mirënjohur të skenës Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Viktor Zhusti, Gentjan Zenelaj, Olta Daku, si dhe artistëve të rinj.
Në Festivalin ndërkombëtar Koko Fest 2023 morën pjesë trupa e teatrit të Korçës, e cila e hapi siparin me shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë”, të vijuar me trupën artistike të Tiranës me shfaqjen “Tërësisht të huaj”, me trupën e Gjakovës, Shkupit, Prizrenit dhe për ta mbyllur me trupën artistike të Durrësit me shfaqjen “Borgjezi fisknik”.
Fituesit e Koko Fest (Foto nga Bashkia Korçë)
Zamira Kita, Drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë ka folur për mediat:
“Çelëm Koko Fest në vitin e 10-të të tij dhe jemi në një përvjetor shumë të rëndësishëm sepse kemi rrugëtuar në këto 10 vjet, duke e ngritur lart Koko Fest-in, duke bërë që profesionalisht ai të sjellë shfaqje shumë të mira e të realizuara, gjithashtu të kemi artistë nga të gjithë trevat mbarë shqiptare. Dihet që Koko Fest është një festival shqipfolës, kemi trupa nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, trupa teatrale profesioniste. Koko Fest ka në qendër komedinë e gjithë botës, por vjen nën interpretimin e aktorëve shqiptarë, me punën e madhe të regjisë, koreografisë, skenografisë, muzikës dhe gjithë komponentëve të tjerë që vërtetë janë shumë të rëndësishëm”
Çmimin “Shfaqja më e mire” e fitoi vepra e Shekspirit “Nata e dymbëdhjetë”, e përfaqësuar nga Teatri “A.Z. Çajupi” me regji të regjisorit grek Dimitri Milonas, çmim të cilin e ndau Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
Fituesit e Koko Fest (Foto nga Bashkia Korçë)
Sipas faqes zyrtare të Teatrit të Korçës, çmimet e ndara në këtë edicion ishin: Shfaqja më e mirë për Teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës, Regjia më e mirë – Erion Isai; Aktori protagonist më i mirë– Bujar Ahmeti; Aktorja protagoniste më e mirë– Olta Daku; Aktori joprotagonist më i mirë – Kejdi Gishto; Aktorja joprotagoniste më e mirë– Paola Kodra; Artisti i ri më i mirë– Franc Bregu; Artistja e re më e mirë– Yllka Lota; Çmimi i karrierës – Viktor Zhusti; Çmimi i publikut – Gentian Zenelaj
Komedia e Shekspirit "Nata e Dymbëdhjetë” me regji të Dimitris Milonaska çeli mbrëmjen e parë të festivalit ndërkombëtar të komedisë “Koko Fest” në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë dhe ishte shfaqja më e mirë në këtë edicion të 10-të. Pjesë e skenës në këtë edicion ishin jo vetëm aktorët e rinj, por dhe ikonat e teatrit dhe filmit shqiptar.
Shikuesit e Koko Fest (Foto nga Bashkia Korçë)
Aktori i mirënjohur Timo Flloko vlerëson:
“Është e vështirë, por talentet e bëjnë të lehtë. Kur ke një publik që është artdashës është më e lehtë dhe për aktorët. Detyra është e vështirë, arti është i vështirë. Mesa duket organizatorët kanë bërë një punë të mirë. Me të ftuar dhe grupe interesante të teatrit në vend.”
Ndërsa për drejtoren e Qendrës së Artit dhe Kulturës Zamira Kita organizimi ndër vite ka qenë sfidë për gjetur trupat më të mira dhe komeditë teatrale më të mira që vihen në skenë gjatë vitit.. Prej 10 vitesh tashmë “Koko Fest” bën pjesë të programit trupat e teatrove të Tiranës, Korçës, Durrësit, Gjakovës, Prizrenit dhe Shkupit. Festivali përgjatë gjithë javës deri në datën 9 shtator ngjiti në skenë trupa dhe shfaqje të komedisë mbarëshqiptare.
Sava Lena
Teatri A.Z. Çajupi në Korçë (Foto News in)