Foto nga VCG
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të premten paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me kryeministrin kamboxhian Hun Manet, i cili gjendet në Kinë për një vizitë zyrtare.
Xi Jinping-u vuri në dukje se kryeministri Hun Manet zgjodhi Kinën si vendin e parë për të kryer një vizitë dypalëshe pas marrjes së detyrës, gjë që pasqyron plotësisht rëndësinë që qeveria e re kamboxhiane i kushton konsolidimit dhe zhvillimit të miqësisë të Kamboxhias me Kinën. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 65 vjet më parë, të dyja palët kanë pasur gjithmonë një shkallë të lartë besimi reciprok, trajtim të barabartë e përfitime të ndërsjella, dhe gjithmonë e kanë mbështetur njëra-tjetrën në mënyrë të vendosur në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe interesave të zhvillimit. Ky është thelbi i komunitetit me të ardhme të përbashkët Kinë-Kamboxhia.
Presidenti kinez i kërkoi kryeministrit kamboxhian që t'i përcjellë përshëndetjet e tij të sinqerta kryetarit të Këshillit Suprem Hun Sen dhe vuri në dukje se Kina është e gatshme të punojë me Kamboxhian për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe për të krijuar së bashku modelin e ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Foto nga VCG
Xi Jinping theksoi se Kina mbështet fuqishëm Kamboxhian në eksplorimin e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve kombëtare të këtij vendi të Azisë Juglindore dhe është e gatshme të mbajë komunikim të rregullt strategjik me Kamboxhian dhe të thellojë shkëmbimin e përvojës në qeverisjen e shtetit. Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë plotësisht rolit e mekanizmit të Komitetit Ndërqeveritar të Koordinimit, të zbatojnë versionin e ri të Planit të Veprimit të Komunitetit me të Ardhme të Përbashkët Kinë-Kamboxhia, të pasurojnë strukturën e bashkëpunimit "Gjashtëkëndëshi i Diamantit" Kinë-Kamboxhia, të ndërtojnë së bashku "Korridorin e Zhvillimit Industrial" dhe "Korridorin e Peshkut dhe Orizit", si dhe të promovojnë realizimin sa më shpejt që të jetë e mundur të projekteve kyç të bashkëpunimit përkatës. Kina është e gatshme të kryejë bashkëpunim të rregullt në fushën e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë me Kamboxhian dhe të vazhdojë të godasë krimet ndërkufitare, si lojërat e fatit në internet dhe mashtrimet e telekomunikacionit. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të organizojnë me sukses serinë e aktiviteteve në kuadër të Vitit të Miqësisë Kinë-Kamboxhia, të zgjerojnë bashkëpunimin për sa u përket shkëmbimeve mes të rinjve e organeve të pushtetit vendor, si edhe në fushat e arsimit, turizmit, mjekësisë dhe shëndetësisë, në mënyrë që miqësia Kinë-Kamboxhia të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.
Foto nga VCG
Xi Jinping vuri në dukje më tej se, pavarësisht se si ka ndryshuar situata ndërkombëtare dhe rajonale, Kina ka qenë gjithmonë mikja më e besueshme dhe mbështetja më e fortë e Kamboxhias. Kina është e gatshme të punojë bashkë me Kamboxhian për të mbrojtur së bashku drejtësinë dhe barazinë ndërkombëtare, si edhe të drejtat dhe interesat e ligjshme të vendeve në zhvillim.
Ndërsa Hong Manet tha se Kamboxhia i përmbahet parimit të "Një Kine", mbështet me vendosmëri Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore dhe përkrah Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuara nga presidenti Xi Jinping. Kamboxhia e falënderon Kinën për mbështetjen dhe ndihmën e fortë afatgjatë për zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e të dy vendeve, për të thelluar bashkëpunimin në ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në fushat e industrisë, bujqësisë, investimeve, shkëmbimeve njerëzore e kulturore në kornizën e "Gjashtëkëndëshit të Diamantit", për të ndërtuar një komunitet me të ardhme të përbashkët midis Kamboxhias e Kinës dhe për të sjellë përfitime për të dy popujt. Kamboxhia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Kinën në çështjet rajonale e ndërkombëtare, për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshë në një nivel të ri.