Xi nxit integrimin më të mirë të proceseve të modernizimit të Kinës e Singaporit
2023-09-15 11:15:38

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping tha të enjten se është i gatshëm të punojë me presidentin e Singaporit Tharman Shanmugaratnam për të nxitur integrimin më të mirë dhe përmirësimin e ndërsjellë të procesit të modernizimit në Kinë dhe Singapor.

Në mesazhin e tij të urimit për Shanmugaratnam-in për marrjen e detyrës si president i Singaporit, Xi vuri në dukje gjithashtu se Kina e Singapori janë vende fqinje mike dhe partnerë të rëndësishëm bashkëpunimi. Sipas tij, me përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve, Kina dhe Singapori kanë arritur sukses, bazuar në mësimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, gjë që jep një nxitje të fortë për zhvillimin dhe përtëritjen e tyre, duke përbërë gjithashtu një shembull për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.

Këtë vit, lidhjet Kinë-Singapor janë ngritur në nivelin e partneritetit të gjithanshëm, me cilësi të lartë, të orientuar nga e ardhmja, duke çelur rrugën për zhvillimin me nivel të lartë të marrëdhënieve dypalëshe në epokën e re, tha Xi.

Presidenti kinez shtoi se ai i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Singapor dhe është i gatshëm të krijojë një marrëdhënie të mirë pune me homologun Tharman Shanmugaratnam, për t'i ngritur marrëdhëniet Kinë-Singapor në nivele të reja e për të nxitur integrimin më të mirë dhe përmirësimin e ndërsjellë të proceseve të modernizimit të të dy vendeve, duke sjellë më shumë përfitime për të dy popujt e duke dhënë kontribute më të mëdha në paqen, begatinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.