Foto nga VCG
Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, tha të enjten se parimi i "Një Kine" nuk duhet të shkelet, pas thirrjeve të autoriteteve të Tajvanit për "pjesëmarrje" në OKB dhe përpjekjeve për të shtrembëruar Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
"Kjo është një farsë tjetër politike nga forcat separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit' dhe disa forca antikineze që duan të shfrytëzojnë hapjen e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. E ashtuquajtura pjesëmarrje e Tajvanit në Kombet e Bashkuara është një retorikë krejtësisht boshe," tha ai në një deklaratë.
Zhang theksoi se ka vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës, qeveria e Republikës Popullore të Kinës (RPK) është e vetmja qeveri e ligjshme e Kinës dhe OKB-ja është një organizatë ndërqeveritare e përbërë nga shtete sovrane.
"Si një provincë e Kinës, Tajvani nuk ka bazë, arsye apo çfarëdo të drejte për të marrë pjesë në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj," tha ai.
Foto nga VCG
Zhang vuri në dukje se, duke ruajtur parimin e "Një Kine", qeveria e Republikës Popullore të Kinës kishte bërë më parë rregullimet e duhura për pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë dhe Asamblenë e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Megjithatë, autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit kanë nxitur me kokëfortësi "pavarësinë e Tajvanit" dhe nuk kanë pranuar Konsensusin e Vitit 1992, duke prishur kësisoj themelet politike për marrëveshje të tilla, shtoi ai.
"Përgjegjësia bie vetëm te autoritetet e DPP-së," theksoi i dërguari kinez.
Foto nga VCG
Sipas tij, parimi i "Një Kine" është një konsensus i përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe është në përputhje me normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Deri tani, 182 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me RPK-në në bazë të parimit të "Një Kine".
Duke bërë thirrje për "pjesëmarrje" në OKB, autoritetet e DPP-së dhe disa forca të jashtme po përpiqen të krijojnë "një Kinë, një Tajvan" ose "dy Kina," tha Zhang. "Kjo shkel haptas normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare."