Foto nga VCG
Rreth 20 mijë persona dyshohet se kanë humbur jetën nga përmbytjet në Libi, sipas të dhënave zyrtare të vendit. Kryetari i bashkisë së qytetit port Derna tha se shifrat bazohen në numrin e komuniteteve të shkatërruara nga përmbytjet.
Vërshimet e ujit përmbytën lindjen e vendit të dielën. Trupat e pagjetur mbeten nën rrënoja ose në det, duke rritur rrezikun e sëmundjeve.
Më shumë se 5000 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe të paktën 10.000 janë të zhdukur. Dy qeveritë rivale në Libi po bashkërendojnë përpjekjet për ndihmë për viktimat e përmbytjeve, shkruan “BBC”, citon “RTSH”.
Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur nga Egjipti, Tunizia, Italia, Spanja dhe Turqia.
Përmbytjet u shkaktuan nga stuhia “Daniel”, e cila kaloi nga Greqia në vendin e Afrikës Veriore të dielën dhe solli shi të dendur. Në Derna, një qytet me rreth 100 mijë banorë, dy diga u shembën për shkak të shiut të dendur që përmbyti zonën, duke sjellë shkatërrime të mëdha.
Familje të tëra janë shpërngulur, ndërsa në qytet lagje të tëra janë zhdukur. (Irma)