Ekspozita Me ndje hapur (Foto nga instagram)
Tirana Ekspres që prej themelimit të saj ka patur në fokus trajtimin e kauzave sociale nëpërmjet edukimit jo formal dhe ndërthurjes së tij me artin, kulturën, mjedisin dhe turizmin. Artistët e artit pamor Kristian Zara, Besa Mustafa, Albi Yzo, Samela Balazi, Kristanja Çene dhe Erald Nezaj, nxitën diskutime drejt çështjeve të pazgjidhura dhe problematikave në shoqëri, duke trajtuar tema si: gjinia, seksualiteti, pabarazia gjinore, korrupsioni, shëndeti mendor. Ekspozita qëndroi e hapur për publikun nga 1 -13 shtator në ambjentet e Galerisë “Tirana Ekspres”.
Ky projekt synon që nëpërmjet artit vizual të kontribuojë në rritjen e senibilitetitit të audiencës për temat e prekura. Nevojat e këtij projekti lidhen me nxitjen e eksperimentimit të artistëve në disiplina të ndryshme si dhe përcjelljen e mesazheve sensibilizuese përmes krijimeve artistike. Realizimi i këtij projekti shërben për të përmbushur objektivat e qarta që “Tirana Ekspres” ka prej vitesh për përmirësimin e shoqërisë nëpërmjet artit. E ftuar në Radio Ejani është drejtorja e projektit Ermiranda Ndoj.
Ermiranda Ndoj Drejtore e projektit Mendje Hapur Foto nga Instagrami
CMG: Përse kjo ekspozitë mban titullin “Me’ndje hapur”?
Ermiranda Ndoj: Ky projekt është jo vetëm kulturor, por prek edhe çështje sociale dhe disa nga temat që ne kemi zgjedhur si ajo e korrupsionit, shëndetit mendor’, por edhe pabarazia. Këto janë tema që duhet t’i ndjesh dhe të jesh ‘mendje hapur’ që t’i trajtosh. Ideja e këtij projekti është të ndjesh e të mendosh në të njëjtën kohë. Gjithsecili prej nesh si meshkujt e femrat që paragjykojnë, duhet ta vendosi veten në vendin e tjetrit. Ashtu si për temën e korrupsionit mendoj se është një problematikë që çdokujt nga ne duhet ta ketë mendjen e hapur dhe duhet ta ndjejë atë që po ndodh sot për sot në shoqërinë shqiptare.
CMG: Çfarë ka në fokus kjo ekspozitë?
Ermiranda Ndoj: Kjo ekspozitë ka në fokus zhvillimin e artistëve të rinj dhe trajtimi i këtyre çështjeve. Ne kemi menduar të ndërtojmë një kalendar eventesh e nisur që nga data 1, 4, 6, 8 dhe 13 shtator. Secili prej këtyre eventeve ka trajtuar disa tema ku ka patur të ftuar nga fusha të ndryshme. Është diskutuar mbi temën e shëndetit mendor, ku ishin të ftuar nga fusha e psikologjisë dhe psikiatrisë, gjithashtu persona që kanë kontribuar në Shqipëri, për temën e korrupsionit, etj. Për fushën e shëndetit mendor jam shumë e lumtur, pasi secili prej artistëve e gjeti veten dhe donte të kishte një lloj përfaqësie dhe menduan që secila prej pikturave në fillim të nisë në një gjendje mendore dhe pastaj të shfaqet në formën e artit.
Ermiranda Ndoj (Foto për CMG)
CMG: Pikturat që shohim të pasqyruara do jenë të njëjtat të ekspozuara në ditët në vazhdim apo do jenë autorë të tjerë? A mund ta ndjekë publiku i gjerë ekspozitën?
Ermiranda Ndoj: Pikturat që shihni kanë qenë prezente për publikun që ta vizitonte galerinë në datat 1, 4, 6, 8 dhe 13 shtator, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 22.00 të mbrëmjes. Ekspozita ka për qëllim që edhe njerëzit që nuk kanë mundësi që t’i afrohen ditëve të eventeve ta vizitojnë në orare të ndryshme. Secili prej artistëve kur u është prezantuar tema e projektit kanë përzgjedhur temat të cilat mendojnë se mund të japin dhe i prekin drejtëpërdrejtë ata.
CMG: A ka patur interes nga publiku për t’i blerë këto piktura?
Ermiranda Ndoj: Ka patur kërkesa për t’i shitur që ditën e parë të ekspozitës, por ne jemi në fazën e refleksionit tani. Gjithashtu doja të përmendja mbështjetjen që kemi nga fondi kulturor zvicerian, një projekt i agjencisë zviceriane për zhvillim dhe bashkëpunim që zhvillohet nga ne, si ‘Tirana Ekspres’. Për ne është një mundësinë dhe një hapësirë mjaft e mirë që të kontribuojmë sado pak në temat social -kulturore.
Gjatë ditëve të ekspozitës ka patur takime dhe diskutime për temat e trajtuara në projektin “Me’ndje hapur” me të ftuar ekspert të fushave të artit, psikologjisë, medias, kuratorë dhe artistët e përzgjedhur si pjesëmarrës, të cilët diskutuan mbi krijimet e tyre, duke ndarë eksperienca, mendime e sugjerime të ndryshme. Ky projekt është mbështetur nga Fondi Kulturor Zvicerian, një projekt i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL)
Intervistoi: Sava Lena