Udhërrëfyesi vullnetar Ng Likbo/ foto nga Xinhua
Për 71-vjeçarin Ng Likbo, ecja nëpër qytet, një trend i ri i udhëtimeve për të rinjtë, nuk ka qenë kurrë një risi. Prej rreth 13 vjetësh, kjo ka qenë puna rutinë e pensionistëve dhe guidave turistike vullnetare për t'i udhëhequr qytetarët dhe turistët nëpër rrugët dhe rrugicat e Hong Kongut, vendlindjes së tij, duke parë nga afër ndërtesat dhe duke përftuar një kuptim të thellë të historisë dhe kulturës lokale.
Ndërsa të rinj të panumërt u dyndën në qytet për një udhëtim veror, ai pret që më shumë vizitorë të bëjnë një shëtitje përgjatë qytetit Kowloon, ku ai ka jetuar pothuajse gjatë gjithë jetës së tij.
Ndërsa përshkohet zona, e cila po kalon një proces të rinovimit urban, me kontributin e profesionistëve dhe banorëve vendas, mund të përjetohet një shije e përzier e Hong Kongut të vjetër dhe të ri.
I titulluar “Qyteti Kowloon në Transformim”, shtegu 6.5 kilometra i gjatë gjarpëron duke u shtrirë nga veriu në jug në pjesën lindore të gadishullit Kowloon dhe duke përfunduar në bregun verior të Portit Victoria.
Qyteti Kowloon, një nga 18 distriktet e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut, ka një pamje retro të rrugës që të kujton Hong Kongun e përshkruar në filma dhe këngë të vjetra. Në këtë zonë me popullsi të dendur, rrugët e ngushta dhe konvergjente janë të mbushura me tabela të shumta neoni, secila prej të cilave përfaqëson një restorant ose një dyqan me veçori unike.
Përpara se të kthehej në një vend argëtimi publik në vitet 1990, në këtë vend, dikur një post ushtarak në fund të dinastisë Qing (1644-1911), jetonin mbi 50.000 persona në rreth 2.7 hektarë.
Nga parku, rruga përshkon tre zona: Qyteti Kowloon, To Kwa Wan dhe Hung Hom. Ng u thotë turistëve se secila prej tyre ka karakterin e vet unik.
Udhërrëfyesi i moshuar është mjaft i ditur për historinë vendase dhe ka dhuntinë e elokuencës jetike për një guidë të mirë. Pas daljes në pension, ai bëri një kurs trajnimi për udhërrëfyes turistik dhe më pas filloi t'u prezantojë historinë lokale njerëzve të tjerë.
Ai gjithashtu ka punuar në muze dhe vende të tjera tipike në Hong Kong, por ai kujdeset më shumë për vendin e tij të lindjes, Qytetin Kowloon.
Një relikt kulturor në Parkun e Rrënojës së Qytetit Kowloon / foto nga Xinhua
Rreth pesë vjet më parë, Ng filloi të udhëzojë qytetarët dhe turistët për të ecur përgjatë shtegut “Qyteti Kowloon in Transformation”. I ndërtuar nga fillimi i vitit 2018 deri në korrik të këtij viti, shtegu është një projekt rinovimi urban i mbështetur nga Fondi i Rinovimit Urban i qeverisë HKSAR dhe i operuar nga Këshilli i Mirëqenies Sheng Kung Hui në Hong Kong.
“Ne inkurajojmë njerëzit, qofshin fqinjë, qytetarë nga rrethe të tjera, apo edhe turistët nga qytete të tjera, të ecin përgjatë shtegut në mënyrë që të kenë një perceptim të drejtpërdrejtë të zonës”,- deklaroi Chan Wing-lam, (Çen Uin lam) menaxheri i projektit.
Shtegu nuk është vetëm një rrugë për turistët, por është më shumë një platformë ku janë mbajtur aktivitete të ndryshme të rinovimit urban. “Zonat e vjetra duhet të rigjenerohen në mënyrë të pashmangshme. Ne duam të përfshijmë më shumë banorë që të marrin pjesë në punën e rinovimit, pasi vendi u përket të gjithëve”,- thotë Chan.
Duke ecur përgjatë shtegut, herë pas here, mund të shihen modele të veçanta në disa infrastruktura publike të përmirësuara, si standardet e llambave, parmakët, stolat, pllakat dhe kapakët e puseve, ndër të tjera.
Sipas Chan, këto dizajne u frymëzuan kryesisht nga përvojat dhe kujtimet e banorëve vendas. Deri më tani, bazuar në projektin e shtegut, më shumë se 760 aktivitete të ndryshme të rinovimit urban, duke përfshirë punëtoritë e projektimit, konkurset e fotografive, turnetë me guidë dhe koleksionet e tregimeve, kanë tërhequr rreth 85.000 pjesëmarrës për të njohur më shumë rreth Qytetit Kowloon.
Vetë Ng ka udhëhequr më shumë se 100 turne përgjatë shtegut. Teksa moda e re e shëtitjes në qytet është përqafuar nga një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh, ai mirëpret më shumë vizitorë që ta përjetojnë qytetin, sikur të ishte një vizion nga e shkuara drejt të tashmes.