BE miraton legjislacionin e ri për energjinë e rinovueshme
2023-09-14 17:33:50

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian miratuan një legjislacion të ri, që rrit pjesën e burimeve të rinovueshme brenda bllokut deri në vitin 2030 në 42.5%. Përmes një deklarate, Parlamenti Evropian njoftoi se ligjvënësit miratuan një ndryshim në direktivën e BE-së për energjinë e rinovueshme me objektivin ideal për të rritur deri në 45% burimet e ripërtërishme të energjisë, bën të ditur “RTSH”.

Sipas ligjit të ri, autoritetet kombëtare do të duhet të përshpejtojnë procedurat e autorizimit dhe të japin leje për termocentrale të reja të energjisë së rinovueshme, të tilla si panelet diellore ose turbinat me erë ose të përshtatin ato ekzistuese brenda 12 ose 24 muajve në varësi të vendndodhjes së tyre.

Legjislacioni synon gjithashtu të reduktojë emetimet e gazeve serrë me 14.5% deri në vitin 2030 në sektorin e transportit duke mbështetur përdorimin e biokarburanteve dhe lëndëve djegëse me origjinë jo biologjike, si hidrogjeni. 

Vendet anëtare të BE-së duhet t’i japin zyrtarisht dritën jeshile ligjit, por ai do të jetë vetëm një formalitet pasi negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje në mars.

Legjislacioni është pjesë e programit të Marrëveshjes së Gjelbër të Komisionit Evropian, që synon të arrijë neutralitetin klimatik dhe zero emetim karboni në BE deri në vitin 2050. (Elona)