SHBA - Miratohet vaksina e re kundër Covid
2023-09-14 17:45:14

Komisioni këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve miratoi vaksinat e reja për personat e moshës nga 6 muaj e lart dhe ky sugjerim u mbështet menjëherë nga drejtorja e këtij institucioni.

Ashpërsia e pandemisë Covid-19 ka rënë, por ka ende mijëra raste shtrimesh në spitale dhe qindra vdekje çdo javë në Shtetet e Bashkuara, shkruan “Panorama”. Shtrimet në spital janë shtuar që nga fundi i verës, megjithëse duket se shifrat kanë tendencën të bien, në veçanti në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët megjithatë shqetësohen se imuniteti nga vaksinimet dhe infektimet e mëparshme mund të jetë duke u zbehur te shumë persona dhe mendojnë se një vaksinë e re do të shpëtonte shumë jetë.

Sipas një anketimi të cituar nga CDC-ja muajin e kaluar, rreth 42% të të pyeturve thanë se do ta bënin një vaksinë të re. Megjithatë, vetëm 20% e personave në moshë madhore morën një dozë të përditësuar të vaksinës kur ajo u ofrua vitin e kaluar.

Doktorët shpresojnë që të vaksinohen mjaftueshëm njerëz për të ndihmuar në shmangien e një epidemie të trefishtë, siç ndodhi vitin e kaluar, kur u mbingarkuan spitalet me një sezon të hershëm gripi, me një valë të sindromës të rrugëve të frymëmarrjes dhe një tjetër valë dimërore të koronavirusit.

Vaksinat e miratuara janë të kompanive “Pfizer” dhe “Moderna”. (Elona)