OPEC i qëndron parashikimeve të rritjes së kërkesës për naftë për vitet 2023-2024
2023-09-14 17:35:03

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Rritje e fuqishme e kërkesës globale për naftë është parashikuar në 2023-shin dhe 2024-n nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), falë rritjes rezistente ekonomike globale.

Në raportin mujor të tregut të naftës për shtatorin, botuar të martën, OPEC-u parashikon që kërkesa botërore për naftë të rritet me 2.44 milionë fuçi në ditë (bpd) në vitin 2023 dhe me 2.25 milionë fuçi në ditë vitin e ardhshëm, shkruan “Xinhua”.

Kjo paraqet një rritje vjetore prej 2.45 për qind këtë vit dhe 2.2 për qind në 2024-n. Parashikimet mbeten të pandryshuara nga muaji i kaluar.

Sipas OPEC-ut, kërkesa globale për naftë e këtij viti, që pritet të arrijë në 102.1 milionë fuçi në ditë, do të tejkalojë nivelet para pandemisë Covid-19.

Grupi i prodhuesve të naftës njoftoi se pavarësisht sfidave të shumta, duke përfshirë inflacionin e lartë, normat e larta të interesit dhe tensionet gjeopolitike, rritja e vazhdueshme ekonomike globale parashikohet të nxisë kërkesën për naftë, veçanërisht duke pasur parasysh rimëkëmbjen në turizëm, udhëtimin ajror dhe lëvizshmërinë e qëndrueshme.

“Në vitin 2024, rritja solide ekonomike globale, mes përmirësimeve të vazhdueshme në Kinë, pritet të rrisë më tej konsumin e naftës”, thuhet në raport.

Në raportin mujor, organizata u qëndroi gjithashtu parashikimeve të mëparshme për rritjen ekonomike botërore: 2.7 për qind në vitin 2023 dhe 2.6 për qind në 2024-n. (Elona)