Bumi turistik, masat për të ardhmen
2023-09-14 09:48:54

Kompleksi turistik Tropikal në Durrëës (Foto Albania hotels)

Kompleksi turistik Tropikal në Durrëës (Foto Albania hotels)

Në 7 muajt e parë të këtij viti Shqipëria është vizituar nga 5.1 milionë të huaj. Vetëm në korrik në territorin shqiptar kanë hyrë 1.7 milionë të huaj ku 28 përqind e tyre kanë deklaruar se kanë ardhur me pushime. Çfarë duhet bërë për t’ju përgjigjur këtij bumi turistik në të ardhmen? Në një intervistë për Tv Scan, eksperti i Turizmit Ferjolt Ozuni thotë se përqëndrimi tek akomodimi është kryesorja.

“Ka gjithmonë vend për më shumë dhe për më mire, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndërtojmë kuturu siç kemi ndërtuar deri tani. Problematika më e madhe që po përballemi tani është pikërisht mënyra se si është ndërtuar. Njësitë akomoduese që janë në treg sot nuk janë të ndërtuara si të tilla në fillim. Kjo lë hapësira dhe imazh jo të këndshëm tek turisti. Janë shumë ndërtesa që kanë filluar ndërtimin e tyre apo janë projektuar për të qenë njësi banimi dhe më pas janë përshtatur si njësi akomoduese apo hoteliere. Kriteret dhe kushtet për të qenë njësi akomoduese hoteliere të mirëfillta kanë një përplasje imazhesh dhe standardesh, për sa i përket njësive akomoduese”,theksoi ekpserti

Ferjolt Ozuni ( Foto Universiteti mesdhetar)

Ferjolt Ozuni ( Foto Universiteti mesdhetar)

Tregu aktualisht është i pasistemuar dhe fokusi duhet të jetë tek ndërtesat që sigurojnë numër të lartë akomodimesh, si hotele apo resorte.

“Është e vërtetë që ka një rritje, çdo vit ndërtohen njësi akomoduese, madje në dy vitet e fundit kemi parë edhe programin e qeverisë për investitorë strategjikë për sa i përket industrisë turistike ku janë dhënë leje ndërtimi apo lehtësira të tjera investitorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë shpalosur projektin e tyre për ndërtimin e njësive akomoduese të mirëfillta dhe të mëdha. Ne duhet të kalojmë nga njësitë akomoduese të vogla në miniaturë apo me shërbime familjare, tek njësi akomoduese të mëdha tip resortesh, të cilat përmbushin të gjitha kriteret por edhe nevojat e turistëve potencialë, sepse një njësi akomoduese e modelit resort për sa i përket bregdetit është shumë herë më e pranueshme dhe shumë herë më komode për turistin sesa një njësi akomoduese që është thjesht një ndërtesë ku turisti potencial thjesht kalon natën dhe shërbimet e tjera i merr në mënyra të ndryshme jashtë kësaj njësie akomoduese”, theksoi ai

Resort turistik në Shqipëri (Foto Scan Tv)

Resort turistik në Shqipëri (Foto Scan Tv)

Si model eksperti i turizmit merr Turqinë, një nga destinacionet e preferuara për shumë turistë për shkak të paketave që ofron duke u dhënë turistëve të gjitha shërbimet në një njësi të vetme.

“Kemi rastin e Turqisë. Përse Turqia preferohet nga shumë turistë, nga shumë vende të botës, pikërisht për faktin që njësitë akomoduese kanë brenda vetes të gjitha shërbimet e nevojshme që turistit t’i ofrojë pushim në kuptimin e parë të fjalës, pra çdo shërbim brenda njësisë.”

Një tregues i rëndësishëm për vizitorët e huaj në Shqipëri, është për ata që kthehen për herë të dytë. Kjo do të tregonte një tjetër drejtim se sa të kënaqur kanë mbetur nga eksperienca e parë në Shqipëri që i bën të kthehen sërish. Por kjo e dhënë mungon.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi statistika zyrtare për sa i përket rikthimit të turistëve dhe kjo është një nga mangësitë më të mëdha për sa i përket strategjisë që duhet të ndërtojmë, qoftë operatorët ekonomikë të industrisë turistike, ashtu edhe institucionet shtetërore, në të gjithë hallkat e tyre, të pushtetit qendror apo lokal. Një mungesë e këtij informacioni na bën dhe ne të dyshojmë dhe të ecim me perceptim, shpeshherë operatorët ekonomikë të industrisë turistike kryesisht tur operatorët janë ata që bëjnë një lloj statistike apo mbledhin një lloj informacioni vetëm për turistët e vet. Duke marrë parasysh që një tur oepratorë vjet mund të ketë pasur 5 mijë turistë të huaj në Shqipëri, sivjet ka 6 mijë turistë të huaj dhe mund të bëjë një farë përllogaritje të turistëve që rikthehen vetëm vetëm brenda njësisë së vet. Fatkeqësisht ne nuk kemi një përqindje të mirë të rikthimit të turistëve. Ajo që mund të them në aspektin personal është që nuk besoj se kalojmë më shumë se 10 apo 15% të totalit të turistëve të rikthyer në 5 vjeçar. Sepse nuk mund ta llogarisim cdo vit për të parë në një diapazon 5 vjeçar. Nëse kjo konfirmohet që është e vështirë dhe ta masësh, jemi shumë larg asaj që ne duhet të pretendojmë dhe asaj që ne pretendojmë për të qenë faktor i rëndësishëm në industrinë turistike, por edhe në Europë” theksoi eksperti i turizmit

turizem (Foto Bota sot)

turizem (Foto Bota sot)

Gjithë këtij bumi turistësh i gëzohen më shumë drejtuesit e njësive akomoduese, të cilët kanë përfitime të drejtpërdrejta.

“Po shihet si bum turistik sepse jemi në rritje, ashtu siç e kanë treguar institucione ndërkombëtare të ndryshme ekonomike, por edhe të indrustrisë turistike, Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të turistëve për banorë në Evropë, pra kemi ardhur cdo vit me një rritje graduale dhe të sigurtë me 10,15 apo dhe 30% në vite të caktuara nga viti në vit. Kjo rritje për momentin për sa i përket këtij viti mund të llogaritet vetëm në numër pasi në vlerë monetare është e vështirë, ndoshta nga marsi e tutje do të mund të dalin statistikat zyrtare nga INSTAT. Perceptimi është që më shumë të favorizuar në këtë aspekt janë njësitë akomoduese ato që përbëjnë dhe bazën më të madhe të paketës turistike sepse një biletë avioni mund të kushtojë 100, 200 apo 300 euro për të ardhur në Shqipëri, ndërsa një natë është nga 50 euro, 200 apo 300 euro nata. Me një përllogaritje të thjeshtë përfituesi kryesor janë njësitë akomoduese, prandaj investimet më të mëdha në industrinë turistike janë në njësitë akomoduese” bëri të ditur ai

Saranda  (Foto Telegrafi)

Saranda  (Foto Telegrafi)

Referuar statistikave të publikuara nga Ministria e Turizmit, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti nga pika të ndryshme kufitare kanë ardhur në vendin tonë 310 mijë italianë kryesisht për turizëm.