UNICEF: Mbi 330 milionë fëmijë në varfëri ekstreme në mbarë botën
2023-09-14 17:47:38

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Pandemia e koronavirusit ka ngadalësuar luftën kundër varfërisë së fëmijëve, me 333 milionë prej tyre që jetojnë në varfëri ekstreme globalisht, zbulon një raport i përpiluar nga UNICEF-i dhe Banka Botërore, citon “RTSH”.

Sipas raportit, një në gjashtë fëmijë në mbarë botën jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë. 

“Krizat, për shkak të pasojave të pandemisë, konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike, kanë penguar progresin, duke lënë miliona fëmijë në varfëri ekstreme”, - tha drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Kathryn Russell, në një deklaratë për shtyp.

“Një botë në të cilën 333 milionë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme, të privuar jo vetëm nga plotësimi i nevojave të tyre më elementare, por edhe nga dinjiteti, mundësia, shpresa, është thjesht e patolerueshme”,- shtoi ajo.

Varfëria ekstreme prek 40% të fëmijëve në Afrikën Sub-Sahariane, shkalla më e lartë në botë. Ndryshe nga rajonet e tjera të botës, të cilat kanë regjistruar një ulje të varfërisë së fëmijëve në vitet e fundit, Afrika Sub-Sahariane ka parë rritje të saj, për shkak të rritjes së shpejtë demografike, pandemisë së koronavirusit dhe fatkeqësive natyrore.

Banka Botërore dhe UNICEF-i po u bëjnë thirrje qeverive që t'i japin përparësi luftës kundër varfërisë së fëmijëve dhe të miratojnë një sërë masash, në veçanti zgjerimin e programeve të përfitimeve universale familjare.

Konkluzionet e raportit tregojnë se qëllimi ambicioz i vendosur nga OKB-ja për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme të fëmijëve deri në vitin 2030 po dështon. (Elona)