OKB-ja organizon ndihmën pas stuhisë vdekjeprurëse në Libi
2023-09-14 15:57:46

Foto nga CFP

Foto nga CFP

OKB-ja po organizon ndihmën për të mbijetuarit pas stuhisë shkatërruese në Libi që vrau mijëra persona.

“OKB-ja po punon me partnerë vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të marrë ndihmën urgjente të nevojshme humanitare për ata në zonat e prekura”, -tha Stephane Dujarriç, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Zëdhënësi tha se një ekip i OKB-së ishte në terren dhe se ai po bashkëpunonte me autoritetet lokale për të vlerësuar nevojat dhe për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës, bën të ditur “ATSH”.

Ndërsa punonjësit e shpëtimit dhe të afërmit kërkojnë për të mbijetuar, rreth 10.000 banorë u raportuan të zhdukur në numërimin e fundit pas stuhisë “Daniel”, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Qeveria e njohur nga OKB-ja në Tripoli premtoi miliona dollarë ndihmë për zonat e shkatërruara nga stuhia, megjithëse nuk kontrollon rajonin në lindje të vendit. Dy qeveri rivale po konkurrojnë për pushtet në Libi, e cila është rrënuar nga trazirat vitet e fundit.

Njëra është e vendosur në lindje dhe tjetra është e vendosur në kryeqytetin Tripoli, në perëndim. Deri tani, përpjekjet diplomatike për të zgjidhur në mënyrë paqësore luftën civile në vazhdim kanë dështuar. (Elona)