Qylli i lashtë i çajit Puer në malin Jingmai në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore / foto nga CFP
Nga 10 deri më 25 shtator zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite Sesioni i 45-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Nëse s'ka ndonjë befasi, projekti i paraqitur nga Kina "Panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit Puer në malin Jingmai" do të miratohet në këtë mbledhje dhe pritet të bëhet trashëgimia e 57-të botërore e UNESCO-s në Kinë.
Kanë kaluar 13 vjet qysh nga paraqitja e kërkesës për përfshirjen e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai në Listën e Trashëgimive Botërore. Gjatë këtyre mbi 10 dhjetë vjetëve, njerëz të panumërt kanë bërë përpjekje për mbrojtjen e këtij pylli, si dhe të sistemit kulturor përkatës, gjë që ndoshta ka rëndësi më të madhe se paraqitja e kërkesës dhe miratimi i saj.
Gjatë këtyre vjetëve, mali Jingmai është bërë i njohur edhe në botë. Në nëntor 2021 ai u përfshi në "Listën e destinacioneve më të mira botërore" për vitin 2022 të rekomanduar në uebsajtin e "NATIONAL GEOGRAPHIC".
Gjethe çaji nga plantacionet të malit Jingmai/ foto nga CFP
Nga vjen çaji?
Pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai ndodhet në qytetin Puer të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Para mbi një mijë vjetëve, paraardhësit e kombësisë bulang zbuluan dhe kultivuan çajin. Më vonë ata, së bashku me paraardhësit e kombësisë dai, e kultivuan këtë pyll të madh çaji. Sipas "Historisë së kombësisë bulang", pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai ka një histori prej 1840 vjetësh.
Thuhet se gjatë një shpërnguljeje, paraardhësit e kombësisë bulang pësuan një epidemi të rëndë dhe ndodheshin në një moment kritik për mbijetesën e tyre. Asokohe, dikush prej tyre zbuloi rastësisht shkurren e çajit dhe funksioni i veçantë i kësaj bime shpëtoi banorët e kombësisë bulang nga epidemia. Qysh atëherë, ata e njohën dhe e mbajtën mend këtë bimë magjike, të cilën e quajtën "la". Brez pas brezi, kombësia bulang dhe kombësi të tjera, si dai, hani, va, lagu etj., mbollën, kultivuan dhe përzgjodhën shkurret e çajit. Fiset që fillimisht ishin marrë me gjueti, e kthyen gradualisht mbjelljen e çajit si aktivitetin e tyre prodhues kryesor dhe zhvilluan funksionet ekonomike të çajit. Në dinastinë Qing (1616-1912), çaji Puer u përcaktua si produkt për familjen perandorake dhe aristokratët. Kështu, pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai hyri në periudhën e lulëzimit, duke njohur një zhvillim të qëndrueshëm deri më sot.
Shkurrja e lashtë e çajit në malin Jingmai, me një histori prej afro 1100 vjetësh/ foto nga CFP
Veçoria e çajit në malin Jingmai
Kina ka një kulturë të lashtë dhe të thellë të çajit, ndërsa pylli i lashtë i çajit në malin Jingmai karakterizohet nga "lashtësia" dhe "pylli". Pjesa dërrmuese e plantacioneve të çajit në botë janë në tarraca, kurse shkurret e çajit në malin Jingmai kanë histori më të gjatë dhe rriten në pyll, ku bimët janë mirëmbajtur në mënyrë të qëndrueshme falë ekosistemit pyjor.
Para përhapjes së teknikës moderne të mbjelljes dhe rritjes së çajit, paraardhësit e banorëve të malit Jingmai krijuan kushtet ideale të ndriçimit të diellit për rritjen e shkurreve të çajit. Në ekosistemin e përsosur pyjor, një mekanizëm natyror i ndihmon fermerët të prodhojnë çaj bio me cilësi të lartë, pa përdorur plehra kimike dhe kandërrvrasës, si p. sh., zhdukja e dëmtuesve me anë të merimangave, kthimi i gjetheve të rëna në pleh etj. Në saje të besimit fetar dhe të traditës kulturore vendore, kjo teknikë e mençur e rritjes së çajit është trashëguar deri më sot.
foto nga CFP
Banorët përreth malit Jingmai e kanë konsideruar çajin si pjesë përbërëse të jetës dhe kanë krijuar besimin e tyre nga etika ekologjike. Banorët origjinalë besojnë se të gjitha qeniet në Tokë kanë shpirt dhe harmonia me natyrën ka qenë vlera e konceptit ekologjik të tyre gjatë mijëra vjetëve. Njëkohësisht, banorët e kombësisë bulang nderojnë edhe kreun e fisit që zbuloi çajin, Paeleng, si paraardhësin e çajit dhe bëjnë blatime për të çdo vit. Në plantacionin e çdo familjeje në malin Jingmai ka një "shpirt shkurreje çaji", që nderohet si "zoti i çajit" në këtë plantacion. Ndërkohë, edhe banorët e kombësisë dai i bëjnë blatime "zotit të çajit" dhe e quajnë si paraardhës të çajit Zhaonuola-në, kreu i fisit që mbërriti i pari në malin Jingmai.
Fshati i lashtë Uengji i kombësisë bulang buzë malit Jingmai/ foto nga CFP
Tre elementet e domosdoshme të aplikimit për trashëgimi botërore
Fermerët e çajit në malin Jingmai nuk e kishin menduar se mënyra e tyre e përditshme e jetesës do të bëhej epërsia e malit Jingmai për të plotësuar kërkesat për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNIESKO-s.
Sipas kërkesave të Qendrës së Trashëgimive Botërore, mali Jingtai duhet të ketë tre elementet e domosdoshme: pesë plantacione pyjore të çajit, tre pjesë të brezit pyjor mbrojtës, si edhe nëntë fshatra tradicionale.
Fshati i lashtë buzë malit Jingmai/ foto nga CFP
Nga një majë e malit Jingmai shihen plotësisht këto tre elemente të domosdoshme: fshatrat gjenden buzë malit, shkurret e lashta të çajit në mal kanë gjallëri të plotë, ndërsa në fund të horizontit brezi pyjor mbrojtës me gjerësi prej dhjetëra metrash mbron fshatrat dhe pyllin e lashtë të çajit.
Për të mbrojtur tërësinë e këtyre tre elementeve, pushteti vendor kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë mbi dhjetë vjetëve.
Në vitin 2004, kompania e energjisë elektrike e provincës Yunnan investoi afro 100 milionë juanë (12.5 milionë dollarë amerikanë) për transformimin e rrjetit elektrik në malin Jingmai. Fijet elektrike "i hapën rrugën" pyllit të lashtë të çajit.
Fshati i lashtë Nuogan buzë malit Jingmai/ foto nga CFP
Fermerët vendës ende mbajnë mend se sa të vjetra dhe të ulëta ishin shtëpitë e tyre në të kaluarën. Pas nisjes së projektit të aplikimit për trashëgimi botërore, filloi të zbatohet Plani i Fshatrave të Malit Jingmai. Sipas tij, fshatarët paraqitën kërkesën për riparimin e banesave dhe pastaj sektorët qeveritarë kryen riparimet, duke ruajtur pamjen origjinale të ndërtesave. Kështu, kushtet e banimit të fshatarëve rreth malit Jingmai patën përmirësim të dukshëm. Sot fshatrat buzë malit Jingmai duken ende të vjetra nga pamja e jashtme, por instalimet infrastrukturore janë të plota dhe moderne.
Pushteti vendor hartoi edhe rregulloren ligjore për mbrojtjen e shkurreve të lashta të çajit, që të mbrohen pamjet origjinale, tërësore dhe të vërteta të panoramës në malin Jingmai.
Fshati i lashtë Nuogan buzë malit Jingmai/ foto nga CFP
Kthimi i mbrojtjes në zakon
Në krahasim me masat mbrojtëse të qeverisë, më e rëndësishmja lidhur me mbrojtjen e shkurreve të lashta të çajit është zakoni i fermerëve.
Pranvera dhe vjeshta janë periudhat më të zëna për fermerët e çajit në malin Jingmai, sepse këto janë stinët e vjeljes. Edhe në verë shkurret e çajit kanë gjethe, por fermerët nuk i mbledhin në këtë stinë në asnjë mënyrë, sepse ata janë të mendimit se shkurret e lashta të çajit janë si një plak mjekërbardhë dhe është një gjë e keqe që ta heqësh me forcë mjekrën. Kështu, një zakon ka mbetur deri më sot në malin Jingmai: çaji kërkohet vetëm në pranverë dhe vjeshtë, jo në verë e dimër.
Pjesa dërrmuese e banorëve vendorë të malit Jingmai kanë respektuar traditën e paraardhësve, por ka dhe disa shkelës si pasojë e kaosit të tregut të çajit në Kinë në fillimet e tij. Gjatë periudhës së viteve '60 - '90 të shekullit të kalur, fermerët në malin Jingmai provuan të rritnin çajin në tarraca, me mbjellje intensive dhe me vëllim të lartë prodhimi. "Me këtë metodë kultivimi, është e pamundur që të mos përdoren kimikate dhe plehra kimike," shprehen fermerët. Pas vitit 2007, tokat tarracore me çaj u transformuan në plantacione ekologjike me çajin e kultivuar në mënyrën tradicionale të pyllit.
Gjethe çaji nga mali Jingmai/ foto nga CFP
Disa vjet më parë, në një plantacion çaji u rritën barëra të dendura. Pronari i plantacionit, i lodhur nga puna e rëndë për heqjen e barërave me dorë, përdori herbicide. Këtë veprim e zbuloi shumë shpejt kryetari i fshatit dhe, sipas rregullores së fshatit, pronari i plantacionit pagoi një gjobë prej 300 juanësh (41 dollarë amerikanë).
Veprimet e ndërgjegjshme të fermerëve vendorë janë garancia bazë, por më e rëndësishme për mbrojtjen e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai.
Panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai/ foto nga CFP
Panorama në mbrojtje e sipër
Pse panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai ka kërkuar aktivisht përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore? Vetëm nga natyra e bukur dhe mjedisi ekologjik i mbrojtur në mënyrë tërësore? Jo vetëm kaq. Në malin Jingmai bashkëjetojnë njeriu dhe çaji në mënyrë harmonike. Atje ruhet shembulli i gjallë dhe përfaqësues tipik i mënyrës tradicionale të "mbjelljes e rritjes së çajit në pyll", që është një panoramë kulturore tipike në evolucion të vazhdueshëm dhe ka vlerë të përgjithshme në botë.
Sipas z. Zhang Pisheng, drejtori i Administratës së Pyllit të Lashtë të Çajit në Malin Jingmai, arsyeja kryesore e kërkesës për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore është për mbrojtjen më të mirë të kësaj panorame.
foto nga "thepaper.cn"
Për këtë arsye, përpjekjet e paepura për mbrojtjen e mjedisit në malin Jingmai janë bërë jo vetëm nga fermerët vendës, por edhe nga punonjësit që marrin pjesë në punët për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore. Çdo hollësi në zonën e trashëgimisë është studiuar herë pas here. P. sh., si të ndërtohet rruga malore prej dhjetëra kilometrash drejt zonës thelbësore të malit Jingmai? Punonjësit ishin të shqetësuar se rruga e asfaltit do të ndotte gjethet e çajit dhe do të ndikonte në cilësinë e çajit, ndërsa rruga prej çimentoje mund të reflektonte rrezet e diellit dhe të ndikonte në temperaturën e rritjes së çajit...
Në fund, kjo rrugë u ndërtua me gur. Në disa pjesë rruge në zonën thelbësore të panoramës kulturore, ndalohet kalimi i makinave.
Zhang Pisheng e përgjithëson thelbin e administrimit të panoramës kulturore të malit Jingmai si "përdorimi i 'minusit' në mal dhe i 'plusit' jashtë malit". Vetëm kështu panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit do të mbrohet si duhet dhe vendësit do të përqafojnë një jetë më të bukur. (Wang Lei/ Artan)
Panorama kulturore e pyllit të lashtë të çajit në malin Jingmai/ foto nga CFP