Grupi muzikor përcjell traditën përmes këngëve të tyre
2023-09-14 09:31:28

Grup muzikor “Anda Union”/ foto nga China Daily

“Anda Union”, një grup muzikor i përbërë nga nëntë persona, nga Hohhot, kryeqendra e Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, bëri performancën debutuese më 18 gusht në programin “The Big Band”, prodhuar dhe transmetuar nga platforma e transmetimit “iQiyi”.

Kënga e tyre e parë u quajt “Ode për Heronjtë e Jangarit”, e cila solli në jetë eposin e Jangarit, një hero i famshëm mongol, dhe veprat heroike të 12 luftëtarëve të tij. E interpretuar në mongolisht, muzika galopante shpejt fitoi zemrat e publikut.

Me veshje tradicionale mongole, nëntë muzikantët performuan me instrumente akustike, duke përfshirë morin khuur (një lloj lahute me kokë kali) dhe topshur (një lahutë mongole me dy tela), së bashku me një perkusion dhe kontrabas.

Grup muzikor “Anda Union”/ foto nga China Daily

Ata të gjithë kënduan në harmoni, duke shkëmbyer vokalin e mrekullueshëm, duke përcjellë atmosferën e vetmuar të kullotave të gjera.

“Më parë kisha ëndërruar për livadhet e Mongolisë së Brendshme, por ndërsa ndoqa performancën e tyre, u ndjeva sikur po shëtisja nëpër fusha të pamata”, komentoi një fans.

“Në skenë, energjia e grupit ishte infektive. Ata janë të gjithë këngëtarë dhe instrumentistë të aftë.

Më pëlqeu veçanërisht interpretimi i morin khuur-it, që prodhon një efekt rënkues dhe goditjet tingëllojnë si thundra që galopojnë”,- tha një fans tjetër.

Për sezonin e tretë, “The Big Band” ka bashkuar 27 grupe kineze të stileve të ndryshme. Gjatë transmetimit të përjavshëm, grupet konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe falë votave të audiencës dhe gjashtë gjyqtarëve të famshëm, pesë prej tyre do të triumfojnë deri në fund të sezonit.

Dy sezonet e para u vlerësuan për ngritjen e grupeve dhe sjelljen e tyre në qendër të vëmendjes.

“Ne nuk ishim të sigurt për të qenë pjesë e një “reality show”, sepse fansat presin të shikojnë grupe rok. Ne nuk jemi të tillë. Gjuha në të cilën këndojmë është mongolishtja, për të cilën kishim merak se si do të pritej nga publiku”,- deklaroi Nars, bashkëthemeluesi i “Anda Union” dhe muzikanti kryesor i tij, i cili gjithashtu luan morin khuur-in dhe është i aftë në khoomei, një stil i të kënduarit ku një interpretues i vetëm prodhon një harmoni që tingëllon si zëra të shumtë.

“Qëllimi ynë është që më shumë njerëz të dëgjojnë muzikën e “Anda Union”, ndaj vendosëm të merrnim pjesë në këtë program, eksperienca jonë e parë në një “reality show””,- thotë Nars.

I pyetur pse zgjodhën “Ode për Heronjtë e Jangarit” për të filluar udhëtimin e tyre në “reality show”, Nars tha se të gjithë anëtarët e grupit u rritën duke dëgjuar legjendën.

foto nga

Nars, bashkëthemeluesi i grupit muzikor/ foto nga China Daily

“Eposi i Jangarit mund të marrë ditë apo edhe muaj për t'u treguar. Ne jemi krenarë që e ndajmë atë me audiencën. Ashtu si Jangari, muzika është pjesë përbërëse e kulturës mongole, kështu që ne jemi krenarë t'ia prezantojmë atë më shumë njerëzve”,- thotë Nars.

Kënga e dytë e interpretuar nga “Anda Union” ishte një kombinim i një kënge folklorike mongole dhe një kënge popullore mandarine, “Gu Yong Zhe” (Luftëtari i vetmuar), interpretuar fillimisht nga këngëtari nga Hong Kongu, Eason Chan.

Grupi e përktheu këngën dhe e performoi atë në gjuhën mandarin dhe mongolisht. Si pjesë e përshtatjes, dy vokalistët kryesorë, Biligbaatar dhe Tsetsegmaa, dhanë një performancë të veçantë urtiin duu.

E njohur edhe si “kënga e gjatë”, urtiin duu është një stil i këndimit lirik, i karakterizuar nga falseto, diapazoni jashtëzakonisht i gjerë vokal dhe forma e lirë kompozicionale.

Videot e performancave të tyre në spektakël janë shikuar miliona herë në platformat e rrjeteve sociale dhe reagimet e ngrohta të fansave kanë habitur dhe lumturuar muzikantët, të cilët nuk janë të angazhuar shumë me rrjetet sociale.

foto nga

Saikhannakhaa, anëtarja e grupit muzikor "Anda"/ foto nga China Daily

Këtë vit është 20-vjetori i themelimit. Emri i grupit, “Anda”, rrjedh nga fjala mongole “vëllazëri”. Disa nga anëtarët kanë qenë miq dhe kanë luajtur muzikë së bashku për gati 40 vjet, madje edhe anëtarët më të rinj kanë qenë me grupin për më shumë se 10 vjet. Siç tha gjatë shfaqjes Saikhannakhaa, një muzikante femër, e cila këndon, luan instrumente dhe mahniti audiencën me performancën e saj solo të tumur khuur (harpës frymore), të gjithë anëtarët kanë qenë së bashku për dekada, gjë që i bën ata një familje të madhe.

Sipas Nars, misioni i tyre që nga fillimet e grupit ka qenë të marrin frymëzim nga këngët e vjetra e të harruara, duke krijuar një formë të re muzikore. Ata e konsiderojnë muzikën mongole burimin e tyre kryesor të frymëzimit dhe një thesar të madh.

Nars u rrit në kullotën e Ar Horqin Banerit të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës me gjyshërit e tij barinj. Kur ishte 12 vjeç, ai u transferua në qytetin Chifeng për të studiuar muzikë, ku takoi disa nga anëtarët e ardhshëm të “Anda Union”.

Në vitin 2006, “Anda Union” fitoi çmimin e parë për muzikën etnike gjatë Konkursit të Këndimit për Rininë në Televizionin Qendror të Kinës, duke i dhënë mundësinë për të performuar në nivel kombëtar. Me albume, duke përfshirë “Homeland” në vitin 2006 dhe “The Wind Horse” në 2011-n, grupi ka bërë turne në vend. Ata gjithashtu kanë çuar tingullin e tyre unik në mbarë botën, duke bërë turne në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Zelandën e Re.

Gjatë periudhës së Covid-19, ata e ngadalësuan ritmin dhe u kthyen në shtëpi, duke u dhënë atyre kohë për të takuar muzikantë të moshuar dhe për të dëgjuar më shumë këngë të vjetra.

“Ka shumë muzikë folklorike për të mësuar. Deri tani, gjithçka që kemi bërë me këngët tona është si një pikë në oqean”,- tha Nars, duke shtuar se grupi do të bëjë edhe turne në Evropë gjatë këtij viti.