Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vënë veton ndaj një projektligji në Parlamentin ukrainas, që kufizon aksesin e publikut në deklaratat elektronike të pasurisë së zyrtarëve publikë, raportoi “Kiev Independent”.
“Deklaratat duhet të jenë publike. Regjistri duhet të hapet tani”, -tha Zelensky në “Telegram”.
Parlamenti ukrainas e miratoi projektligjin më 5 shtator për të rivendosur kërkesën për zyrtarët e lartë për të deklaruar pasuritë e tyre, një masë kundër korrupsionit kyç për bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, pas miratimit të këtij projektligji, Parlamenti bëri një sërë ndryshimesh. Një prej tyre parashikon që edhe për një vit nuk do të ketë më akses publik në deklaratat e pasurisë së zyrtarëve dhe vetëm forcat e rendit do të mund t’i kontrollojnë.
Një peticion i nisur më 6 shtator kërkonte ndryshimin e ligjit në mënyrë që deklaratat e pasurisë të jenë të aksesueshme për publikun, shkruan “ATSH”.
Anëtarët e Parlamentit Evropian gjithashtu më vonë i kërkuan Zelensky-t të vërë veton ndaj projektligjit, nga frika se kjo mund të minojë besimin për reformat.
Sistemi i deklarimeve të detyrueshme të pasurisë u krijua si pjesë e luftës së vendit kundër korrupsionit pas revolucionit “EuroMaidan 2014”. Me nisjen e konfliktit ruso-ukrainas në shkurt 2022, kërkesa për të paraqitur deklarata elektronike u pezullua dhe qasja e publikut në deklarata u mbyll.
Zyrtarëve iu kërkua t’i dorëzonin ato vetëm në baza vullnetare. (Elona)